Suksesi i madh i shënuar në Mastersin e mbajtur këtë javë në Doha të Katarit, ka bërë që ekipi Olimpik i xhudos të shënojë ngritje të madhe në renditjen e re Olimpike të publikuar sot nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos.

Kosova fitoi katër medalje dhe një vend të shtatë, nga po aq garues sa morën pjesë.

Me medaljen e artë, Distria Krasniqi është bindshëm e para në kategorinë deri në 48 kilogramë, duke quar në 8915 numrin e pikëve, 1720 pikë më shumë se sa vendi i dytë.

Ngritjen më të madhe me pozita e ka bërë medalistja e bronztë, Loriana Kuka. Ajo nga vendi 12 kaloi në të pestin me 4713 pikë, kategoria –78 kg.

Ngritje për nga një pozitë kanë bërë edhe dy medalistet tjera të bronzta nga kjo garë, kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi dhe kampionia e Evropës 2018, Nora Gjakova.

Majlinda tani është e pesta me 5052 pikë në kategorinë -52 kg, ndërsa Nora e katërta me 5190. Akil Gjakova që zuri vendin e shtatë në kategorinë -73 kg, mbeti në pozitën e njëjtë (10), por që tani ka 3915 pikë.

“Kosova vazhdon të mahnitë me katër medaljet e Mastersit. Krahasuar me numrin e pjesëmarrësve, është padyshim një nga vlerat më të mira për ekipin e tyre. Puna e bërë nga përzgjedhësi Driton Kuka është një model i llojit të vet”, ka shkruar sot Federata Ndërkombëtare e Xhudos.

Të pesë xhudistët ndodhen brenda normës Olimpike Tokio 2020. /Telegrafi/