LAJMI I FUNDIT:

Dezinformimi dhe propaganda ruse po e nxisin pasigurinë ushqimore në botë

Dezinformimi dhe propaganda ruse po e nxisin pasigurinë ushqimore në botë

Agresioni ushtarak rus i Ukrainës po shoqërohet me pasoja edhe jashtë kufijve të vendit. Tre muaj pas luftimeve të pakuptimta dhe brutale të Rusisë, Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara (WFP) paralajmëron krizë botërore si pasojë e pushtimit.

E njohur si shporta e bukës, Ukraina ka qenë prej kohësh një nga prodhuesit dhe eksportuesit kryesorë të bujqësisë në botë. Në përpjekjen e saj për të nënshtruar Ukrainën, Rusia ka sulmuar depot ushqimore, ka vjedhur të korrat dhe pajisjet bujqësore, duke shkatërruar kapacitetet e përpunimit dhe transportit të ushqimit dhe më e rëndësishmja, duke bllokuar portet ukrainase në Detin e Zi për të parandaluar eksportin e grurit nga ky vend.


Veprimet e Rusisë po destabilizojnë drejtpërdrejt tregjet botërore të ushqimit, ndërsa dezinformimi dhe propaganda ruse po i përkeqësojnë tensionet si një përpjekje për të shmangur fajin dhe minuar mbështetjen botërore për Ukrainën, shkruan EUvsDisinfo, përcjell Telegrafi.

Ekosistemi i dezinformimit dhe propagandës së Kremlinit synon të bindë audiencën botërore se sanksionet ndërkombëtare të vendosura ndaj Rusisë janë fajtore për rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve. Mesazhe të tilla janë shpërndarë në shumë gjuhë, në Evropë, në fqinjët e saj dhe më gjerë dhe kanë marrë jehonë në mediet kineze, duke rritur shtrirjen e tyre botërore.

The Economist: Agresioni ushtarak rus ka goditur sistemin botëror të ushqimit, kostoja e produkteve bazike pritet të prek 1.6 miliard njerëz
Lexo po ashtu The Economist: Agresioni ushtarak rus ka goditur sistemin botëror të ushqimit, kostoja e produkteve bazike pritet të prek 1.6 miliard njerëz

Në fakt, sanksionet ndërkombëtare të vendosura ndaj Rusisë kanë për synim zbehjen e aftësisë së Kremlinit për të financuar agresionin e tij ushtarak – shkaku kryesor i krizës së ushqimit – dhe jo sektori bujqësor. Sanksionet kanë përjashtime në lidhje me eksportin dhe transaksionet që lidhen me produktet ushqimore dhe bujqësore.

Rusia gjithashtu po përdor forume diplomatike për të pretenduar se Ukraina po transporton grurë në BE, për të paguar Perëndimin për furnizimet me armë, duke ilustruar edhe një herë se diplomatët rusë janë bërë pjesë e makinës së propagandës së Kremlinit. Mesazhe të ngjashme dezinformuese pretendojnë se është Ukraina ajo që po bllokon anijet në portet e saj – një pretendim i kundërshtuar nga verifikuesit e fakteve në vend.

Veçanërisht, mesazhet e mëparshme dezinformuese pro-Kremlinit, drejtuar audiencës botërore, portretizuan agresionin e Rusisë kundër Ukrainës si një përgjigje ndaj një “komploti perëndimor”. Tani këto narrativa po e ndihmojnë kuadrin e gënjeshtrave që rrezikojnë sigurinë botërore të ushqimit – “fajin e ka Perëndimi”.

FMN: Çmimet e ushqimeve në botë u rriten në mënyrë shokuese
Lexo po ashtu FMN: Çmimet e ushqimeve në botë u rriten në mënyrë shokuese

Për audiencën rusisht-folëse, mediat pro-Kremlinit kanë diçka edhe më tinëzare. Përgjatë viteve, dezinformatat e kanë mohuar vazhdimisht Holodomorin, një krizë ushqimore e krijuar nga Stalini për të shkatërruar fshatarësinë ukrainase, që mori miliona jetë përgjatë viteve 1930.

Aktualisht, mediet pro-Kremlinit po pretendojnë se Rusia është ajo që e pengon Kyievin të organizojë një Holodomor të ri në Ukrainë, duke bllokuar portet ukrainase në Detin e Zi. Në një mënyrë tipike “orwelliane”, Rusia po paraqitet si “shpëtimtare” ndaj veprimet e pretenduara të Ukrainës, që po krijojnë një krizë botërore ushqimore. /Telegrafi/