Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” ka nisur aksionin për lirimin e pronave të uzurpuara në zonën përreth liqenit të Ujmanit, ku po rrënohen 11 objekte të ndërtuara në pronën e kësaj ndërmarrjeje.

Kryeshefi ekzekutiv i “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka, ka deklaruar për Telegrafin se aksioni është vazhdim i një procesi të nisur rreth një muaj më parë, ndërsa kjo përbën fazën e dytë të lirimit të pronave.


“Kjo është në vazhdën e aksionit që ka filluar para një muaji, ku janë rrënuar disa objekte në pronën e Ibër-Lepencit. Këtu është vala e dytë e 11 shtëpive, me lajmërimin e dorëzuar më 3 korrik për lirimin e pronës”, deklaroi Mujka për Telegrafin.

Sipas tij, personat që i shfrytëzonin këto objekte nuk kanë ndërmarrë veprime për lirimin e pronave, pavarësisht njoftimeve të bëra nga ndërmarrja.

“Personat nuk janë lajmëruar, nuk kanë ndërmarrë asnjë aksion për të liruar këto vila, andaj sot ka filluar rrënimi i tyre”, tha ai.

Mujka bëri të ditur se aksioni ka nisur në orët e hershme të mëngjesit dhe deri tani nuk janë evidentuar probleme gjatë zhvillimit të tij.

“Aksioni ka filluar herët në mëngjes, nuk kemi pasur probleme. Ka filluar largimi i gjësendeve nga vilat dhe magazinimi i tyre, për të filluar më pas me rrëzimin e tyre”, shtoi kryeshefi i “Ibër-Lepencit”.

Ndërkohë, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar për Telegrafin se policia është duke asistuar në këtë aksion.

“Rreth orës 07:00 kemi filluar asistencën për Ibër-Lepencin dhe Ministrinë e Mjedisit në lirimin e pronave tek vendi i njohur si ‘Plazha e Shqiptarëve’”, ka thënë Elshani.

Ai ka shtuar se deri tani nuk janë hasur pengesa dhe se aksioni po zhvillohet pa probleme.

“Nuk kemi hasur në pengesa, andaj si Ibër-Lepenci ashtu edhe Ministria janë duke e zhvilluar aksionin pa probleme”, ka deklaruar Elshani.

Aksioni në zonën përreth liqenit të Ujmanit është ndërmarrë me kërkesë të ndërmarrjes “Ibër-Lepenc” për lirimin e disa parcelave që, sipas saj, janë uzurpuar dhe ndodhen në pronësi të kësaj ndërmarrjeje. /Telegrafi/