Hetimet vazhdojnë në lokacionin e tretë në Zubin Potok, prokurorja del në terren

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se, në koordinim me Policinë e Kosovës, po vazhdojnë intensivisht hetimet lidhur me rastin e krimeve të luftës në komunën e Zubin Potokut.
Deri tani, tre persona janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Gjatë hetimeve janë kontrolluar disa lokacione. Në fshatin Jabukë janë gjetur mbetje, të cilat do t’u nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së për identifikim.
Ndërkohë, gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël janë duke vazhduar, ndërsa aktualisht hetimet po zhvillohen edhe në një lokacion të tretë.

Prokuroria ka bërë të ditur se prokurorja përgjegjëse ka qenë në vendngjarje së bashku me hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe ekspertët forenzikë, për të mbikëqyrur veprimet hetimore.
Për shkak të ndjeshmërisë së fazës aktuale të hetimit, Prokuroria Speciale ka thënë se nuk mund të japë detaje të tjera, ndërsa informacione shtesë do të publikohen kur të jetë e mundur pa cenuar procesin hetimor. /Telegrafi/













































