Bie çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare


Çmimet e naftës ranë në tregjet ndërkombëtare pas spekulimeve se mund të ketë një normalizim të situatës në ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.
Investitorët reaguan ndaj pritjeve për uljen e tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit dhe mundësisë së rikthimit të qarkullimit më normal të anijeve përmes kësaj rruge detare. Këto pritje kanë ushtruar presion në ulje mbi çmimet e naftës.
Nafta Brent ra nën nivelin prej 84 dollarësh për fuçi, ndërsa tregjet po monitorojnë zhvillimet diplomatike dhe çdo sinjal për një marrëveshje që do të mund të garantojë furnizimet energjetike nga Gjiri Persik.
Ngushtica e Hormuzit është një pikë strategjike për tregtinë globale të energjisë, pasi përmes saj kalon një pjesë e madhe e eksporteve të naftës nga vendet e Gjirit.
Çdo kërcënim për mbylljen ose kufizimin e qarkullimit në këtë zonë zakonisht shkakton rritje të menjëhershme të çmimeve në tregjet botërore. /Telegrafi/




































