Ylli i Paris Saint-Germain, Ousmane Dembele, ka qetësuar tifozët para finales së madhe të Ligës së Kampionëve ndaj Arsenalit, duke konfirmuar se do të jetë i gatshëm për sfidën e 30 majit në Budapest.

Sulmuesi francez u detyrua të largohej nga fusha në ndeshjen e fundit të PSG-së ndaj Parisit pas një shqetësimi të lehtë fizik, çka ngriti dyshime për praninë e tij në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit.


Megjithatë, Dembele ka siguruar se problemi nuk është serioz dhe se ai do të jetë në dispozicion për finalen.

“Jam mirë, shumë më mirë se të dielën”, deklaroi Dembele në një intervistë për M6.

“Kisha një shqetësim të vogël, por mjeku më tha se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Ndjeva një shtrëngim të lehtë në pulpë dhe nuk desha të rrezikoja. Po, do të jem aty më 30 maj, mos u shqetësoni”, u shpreh ai.

Ky lajm vjen si një shtysë e madhe për skuadrën e drejtuar nga Luis Enrique, e cila synon të fitojë titullin e dytë të Ligës së Kampionëve në historinë e klubit.

Dembele ka qenë një nga lojtarët më vendimtarë të PSG-së këtë sezon, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në rrugëtimin drejt finales. /Telegrafi/

telegrafi sport app