LAJMI I FUNDIT:

‘Trajtoje me kujdes, ai bën gjithçka për ty’: Bleacher Report për karrierën e Xherdan Shaqirit, nga fillimi deri më tani dhe raportet me trajnerët

‘Trajtoje me kujdes, ai bën gjithçka për ty’: Bleacher Report për karrierën e Xherdan Shaqirit, nga fillimi deri më tani dhe raportet me trajnerët

Mediumi i njohur Bleacher Report ka bërë një rikujtim të karrierës së Xherdan Shaqirit dhe atë në të cilën ka kaluar lojtari gjatë dhjetë viteve si futbollist profesionist.

Gjithçka fillon me debutimin e tij te Basel.


Ishte sezoni 2009-10 në Super Ligën e Zvicrës dhe zhvillohej ndeshja e fundit, ndërsa sytë e të gjithëve ishin te Seydou Doumbia.

Lideri FC Basel takohej me vendin e dytë Young Boysin. Baseli kishte goldallimin me vete, dhe vetëm një barazim iu kryente punë.

Për Young Boysin duhej fitorja që të arrinin te titulli i kampionit pas 24 vitesh.  Doumbia ishte te Young Boys dhe kishte shënuar 30 gola, gjë që nuk ishte parë në Zvicër që nga vitit 1988.

Baseli kishte lojtarë si Valentin Stocker e Scott Chipperfield, që i shënuan gola e fitores.

Basel fitoi 2-0, por në atë ndeshje një emër i ri lindi. Ai luajti si mbrojtës i majtë në atë ndeshje. Kush ishte lojtari që e ‘fiku’ sulmuesin e Young Boysit që kishte shënuar 30 gola? Ishte Xherdan Shaqiri.

“Ai luajti kundër lojtarit më të mirë të ligës zvicerane”, thotë Thorsten Fink, trajner i Baselit në atë kohë, për Bleacher Report.

“Ne patëm një ‘finale’ kundër Young Boysit, dhe ai luajti si mbrojtës i majtë kundër Doumbias. Doumbia shënoi 30 gola atë sezon dhe nuk u  pa në atë ndeshje”.

“Shaqiri mund të luajë në çdo pozitë, kur luante në të majtë, ai luante shumë mirë, kur luan në krah të djathtë, luan shumë mirë dhe mund të luante edhe si numër 10. Në fillim, mendova se ai ishte më i miri i majtë që kisha parë, por ai donte të luante në sulm”, thotë Fink.

Shaqiri nuk luajti si mbrojtës i majtë për shumë kohë.

Gjatë dy sezoneve pasardhëse, së pari nën drejtimin e Fink dhe pastaj nën drejtimin e Heiko Vogel, ai ishte si lojtari më i ri emigrant në futbollin zviceran dhe lulëzonte si futbollist.

Me Baselin fitoi tjetër titull të ligës në vitin 2011 dhe një tjetër ligë në vitin 2012.

“Ai ka nevojë për një trajner që i jep atij shumë besim. Pastaj ai mund të vendosë një ndeshje, në ndeshjet e mëdha, ai është aty. Shumë lojtarë, kur luajnë ndeshje të mëdha, nuk i shihni, por Shaqiri është për ndeshje të mëdha”.

“Ka lojtarë që përpiqeni t;i motivoni dhe kjo nuk iu ndihmon. Nëse e motivoni Shaqirin, ai fluturon për ju”, thotë trajneri Fink.

Shaqiri e shfrytëzon me Baselin Ligën e Kampionëve në sezonin 2011-12, duke e zhvendosur atë në një dimension të ri. Basel eliminoi si sensacion Manchester Unitedin në fazën e grupeve dhe Shaqiri luajti një rol kryesor, duke krijuar dy gola në fitoren 2-1 në shtëpi ndaj djemve të Sir Alex Ferguson në dhjetor të vitit 2011.

Ai nënshkroi për Bayern Munich në shkurt të vitit 2012 dhe u bashkua me klubin në fund të sezonit.

Pavarësisht se fillimisht u konsiderua si mbështetje për Arjen Robben dhe Franck Ribery, shqiptari luajti rregullisht nën drejtimin e Jupp Heynckes, duke shënuar tetë gola dhe duke ofruar 13 asistime gjatë një sezoni ku Bayern e fitoi kurorën e trefishtë: Bundesligën, DFB-Pokal dhe Ligën e Kampionëve.

“Unë mendoj se Heynckes e linte të luajë shumë, sepse e pa atë si një zëvendësues të mirë i cili mund të luante pothuajse në çdo pozicion sulmues. Ai kishte shumë energji, që ishte mirë për të sjellë freski pas minutës së 60 apo 70 “, kujton gazetari Benedikt Warmbrunn.

Warmbrunn shkruante për Suddeutsche Zeitung në kohën kur Shaqiri luante te Bayern Munich.

“Tifozët e pëlqyen, sepse ai ishte shumë i mirë, gjithnjë miqësor, me një buzëqeshje në fytyrë. Viti i parë ishte më i miri në Mynih”.

Problemet e Shaqirit në Bayern filluan kur Pep Guardiola erdhi në verën e vitit 2013. Stili i lojës së Guardiolës i detyroi lojtarët sulmues të lëviznin rreth fushës në koordinim të kujdesshëm me shokët e tyre, por Shaqiri ishte solist i lindur.

Robben dhe Ribery gjithmonë do të ishin pikat qendrore të strategjisë së Guardiolas, ndërsa Shaqiri u përball gjithashtu me konkurrencën e Thomas Muller dhe nënshkrimet e reja Thiago Alcantara dhe Mario Gotze. Edhe lëndimet e bën të vetën, ndërsa në atë sezon kishte vetëm 10 ndeshje.

Në nëntor të vitit 2014, gazeta  gjermane Bild, njoftoi se Guardiola kishte hequr dorë nga shpresa se Shaqiri do të mund të përshtatej me udhëzimet e sakta taktike të tij.

Bayern kishte refuzuar një ofertë për Shaqirin nga Liverpooli në verë, por në janar ai u lejua të largohej për te Interi.

“Sezoni i parë ishte me Heynckes, i cili foli shumë me lojtarët, sidomos lojtarët e rinj si Shaqiri, dhe ai luajti shumë, pastaj erdhi Pep. Ai kishte nevojë për besimin e trajnerit dhe për të dëgjuar se çfarë duhej të bënte dhe çfarë duhej të ndryshonte për tu përmirësuar. Sipas Guardiolas, ai thjesht nuk e dinte se ku ishte ai”, tregon Warmbrunn.

Pas një gjysmë sezoni në Inter, Shaqiri u bashkua me Stoke Cityn në gusht të vitit 2015, ku do ta ringjallte karrierën e tij.

Ai shpesh akuzohej nga analistët dhe ish futbollistët si Mike Pejic dhe Gary Neville.

Vëllezërit Neville bënin shpesh komente të këqija për Shaqirin.

Në fund edhe mesfushori i Stokes, Charlie Adam, e vuri në lojë Shaqirin, kur ai u bashkua me Liverpooli.

Shaqiri vazhdoi me punë dhe statistikat treguan se ai ishte një nga lojtarët më efektivë të Stokes. Ai shënoi ose krijoi 43 për qind të 35 golave ​​të tyre në Ligën Premier.

Shaqiri luajti në sulm me Marko Arnautovicin dhe Bojan Krkicin duke bërë shpesh ndeshje të bukura dhe fitore ndaj Manchester Cityt dhe Manchester Unitedit ku fituan 2-0 në stadiumin Britannia.

Viti i fundit me Paul Lambert, pasardhësi i Hughes, nuk ishte i mjaftueshme që Stoke të mbetet në elitë.

Në Liverpool, Shaqiri duket se e ka gjetur kombinimin e përsosur. Një ekip ambicioz plot me interpretues të nivelit të lartë, të mbikëqyrur nga një menaxher të madh.

Jurgen Klopp ka qenë i ashpër ndaj Shaqirit në fillim – dëshmi mbetet ndeshje e eliminimit nga Kupa Carabao kundër Chelseat- ku 27-vjeçari u qortua nga trajneri në mes të fushës.

Sipas Sky Sports dhe statistikave të Opta-s, tregojnë Shaqiri renditet i dyti pas Mohamed Salahit për rëndësinë e golave këtë sezon.

Menaxheri gjerman i Liverpoolit, Jurgen Klopp, bisedon shumë me mesfushorin e Liverpoolit, Xherdan Shaqirin. Ai nuk e mori atë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Cervena Zvezdës në Beograd.

“Jam shumë mirë me të”, ka thënë  Shaqiri për Kloppin në një intervistë për Blick në nëntor.

“Më pëlqejnë njerëzit që janë të hapur dhe fakti që ne mund të flasim në gjermanisht është padyshim një plus i madh”.

“Klopp ka një ndikim të tillë te unë që më bën të mendoj dhe të them: ‘Dua të fitoj titullin për këtë njeri'”.

Shaqiri ka shënuar katër gola në katër paraqitjet e tij të fundit dhe ka fituar zemrat e tifozëve në Anfield. Sidomos dy golat me Manchester Unitedin në Old Trafford.

Me Liverpoolin ai është në luftë në tri frone, ndërsa me Zvicrën ka dy ndeshje në Ligën Kombëtare.

Viti 2019 mund të jetë viti i tij, ku do ta dëshmojnë edhe një herë vetën në ndeshjet e mëdha. /Telegrafi/  

Në trend Sport

Më shumë
Gjyqtari italian, Orsato nuk mundi t’i ndalë lotët pas ndeshjes PSG-Dortmund

Gjyqtari italian, Orsato nuk mundi t’i ndalë lotët pas ndeshjes PSG-Dortmund

Liga e Kampionëve
Pyetja për Luis Enriquen që e çmendi Al-Khelaifin

Pyetja për Luis Enriquen që e çmendi Al-Khelaifin

Liga e Kampionëve
Florentino Perez e ka telefonuar Mbappen pas eliminimit të PSG-së

Florentino Perez e ka telefonuar Mbappen pas eliminimit të PSG-së

Ndërkombëtare
Gazetari i bën Mbappes një pyetje provokuese rreth Real Madridit, reagimi i tij i thotë të gjitha

Gazetari i bën Mbappes një pyetje provokuese rreth Real Madridit, reagimi i tij i thotë të gjitha

Liga e Kampionëve
Trajneri i Dortmundit kishte një punë në Ligën Premier që askush nuk e mban mend

Trajneri i Dortmundit kishte një punë në Ligën Premier që askush nuk e mban mend

Premier League

"Ai ishte i vetmi lojtar që ia kisha frikën" - John Terry emëron legjendën e futbollit si kundërshtarin e tij më të vështirë

Premier League
Kalo në kategori