Besa në pritje të përforcimeve

Besa e Pejës nuk qëndron mirë në tabelën e klasifikimit të ETC Superligës së Kosovës në basketboll. Nga 11 ndeshej të zhvilluara skuadra pejane i ka mbledhur vetëm 13 pikë, duke shënuar 2 fitore, ndërkohë që i ka pësuar 9 humbje.
Trajneri i Besës, Fabian Gjuka, i tha të enjten gazetës ‘Sport Plus’ se skuadrës së tij i duhen përforcime, të cilat priten të vijnë shumë shpejt. “Nuk e di saktësisht se kur amerikanët do të vijnë në Pejë”, tha shkurt Gjuka, ndërkohë që ai thotë se, skuadrës së tij i duhen përforcime, pasi nuk qëndron mirë në tabelë.
Tutje Gjuka tha se skuadra e tij synon të bëjë lojë cilësore, e cila do t’i kënaqte tifozët e skuadrës së tij. “Pa marrë parasysh se cilët basketbollistë do të vijnë, unë synoj që me të ardhurit në skuadrën tonë dhe me basketbollistët aktual të bëjmë lojë sa më të mirë”, shtoi më pas trajneri Gjuka.
Para pak ditësh skuadra e Besës i kishte larguar katër basketbollistë amerikanë: Dominik Scales, Many Richardson, Umar Shanon dhe Shawntez Paterson, ndërsa menjëherë i kishte paraqitur për regjistrim në Federatën e Basketbollit të Kosovës tre të tjerë, po ashtu basketbollistë që vijnë nga SHBA.
Të paraqitur për regjistrim janë basketbollistët Davis Ja Wan, Cosey Antwan Andre dhe Jones II Terencce. Ndërkohë, para disa ditësh radhët e kësaj skuadre i kanë lëshuar edhe basketbollistët pejanë, Sami Hajzeri dhe Arian Qallaku. /Telegrafi/



















































