Besa fiton, titulli vendoset javën e fundit

Skuadra pejane ka shtyrë garën për titullin e kampionit pas fitores minimale 1-0 ndaj liderit aktual të elitës Ferronikelit.
Në një ndeshje që mblodhi rreth 6000 tifozë ku rreth 800 sosh ishin të mysafirëve, Besa iu fal një goli të sulmuesit Fatih Karahoda që shënoi me volle në pjesën e dytë.
Në xhiron e fundit Ferronikelit i mjafton një barazim ndaj Prishtinës që të shpallet kampionë, por në rast të humbjes nga Prishtina dhe fitores së Besës në Gjakovë ndaj Vëllaznimit, atëherë titulli do t’i takonte pejanëve.
Prishtina ka humbur në shtëpinë e saj 2-0 nga Drenica e cila siguroi mbijetesën falë kësaj fitore.
Dy sulmuesit e talentuar të Drenicës, Kastriot Mehmeti dhe Dren Gashi shënuan golat në këtë takim.
Ndërkohë Drita dhe Vëllaznimi janë pajtuar si duket që të luajnë në barazh pas humbjeve nga Kosova e Vushtrrisë respektivisht Hajvalia.
Drita u mposht me rezultat 3-0 në Vushtrri nga Kosova e Vushtrrisë, ku gol shënoi edhe Milot Rashica në ndeshjen e fundit para tifozëve të tij. Ndërkohë Hajvalia shënoi fitore 2-0 përballë Vëllaznimi falë golave të Genc Hamitit dhe Mërgim Pevqelit.
Fitore të mbijetesës shënoi edhe Istogu si mysafire në Mitrovicë tek Trepça ’89, duke e mposhtur 3-2. Granit Arifaj realizoi dy gola ndërsa Suad Saliagiq një për këtë sukses të Istogut, ndërsa për vendasit shënuan Blerand Kurtishaj dhe Ibrahim Peci.
Në ndeshjen e dy skuadrave të rëna nga elita e futbollit kosovar, Trepça dhe Ferizaj, fitore shënuan mitrovicasit 2-0. /Telegrafi/



















































