ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Klinika e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka zëvendësuar shtretërit e dëmtuar me ata të rinj. Nga QKUK-ja është bërë e ditur se deri më tani janë zëvendësuar shtatë shtretër, ndërsa edhe një tjetër pritet të ndërrohet gjatë ditës.

Zëvendësimi u bë pas denoncimit publik të një nëne, Aulona Memetit e cila kishte publikuar në rrjetet sociale fotografi që pasqyronin gjendjen e rëndë në Repartin e Gastroenterologjisë të Klinikës së Pediatrisë, raporton KosovaPress.


Në fotografitë e publikuara shiheshin një shtrat i njollosur me gjak, tualete të papastra dhe mungesë e kushteve elementare higjienike. Nëna kishte deklaruar gjithashtu se, pas publikimit të fotografive, ishte përballur me presion nga disa infermiere për shkak të raportimit të gjendjes në klinikë.

Drejtori i Shërbimeve Teknike dhe Administrative në QKUK, Fisnik Dobra, tha se zëvendësimi i shtretërve është pjesë e një kontrate për modernizimin e infrastrukturës, të lidhur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit më 10 qershor.

Sipas tij, nga të gjitha klinikat e QKUK-së është kërkuar që të raportojnë nevojat për shtretër të rinj dhe inventar tjetër medicinal.

Ai shtoi se deri të premten pritet që klinikat t’i dorëzojnë të dhënat për nevojat e tyre.

“Është bërë ndërrimi i disa shtretërve të cilët kanë qenë të dëmtuar, janë ndërruar me shtretër të rinj. Ky është vetëm fillimi i një kontrate që është lidhur nga agjencia qendrore e prokurimit me 10 qershor për modernizim të infrastrukturës, bëhet fjalë për furnizim me inventarë medicinal nëpër klinika. Deri të premten e kësaj jave i presim të dhënat nga klinikat në planifikimet për inventarë të rinj për shtretër dhe të tjera, është kontratë me 51 artikuj. Do të mblidhen te gjitha të dhënat, do strukturoren dhe të bëhen kërkesat e furnizimit. Besoj që për një kohë të shkurtër do të bëhen furnizimet.. Sot janë ndërruar shtatë shtretër, gjate ditës do bëhet ndërrimi edhe një shtrati”, tha Dobra.

Ndërkohë, drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Alije Keka-Sylaj, prej dy ditësh nuk ka pranuar të prononcohet drejtpërdrejt për KosovaPress-in.

Ajo ka thënë se raportin dhe deklaratat e saj i ka dorëzuar në Drejtorinë e QKUK-së.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka suspenduar një punëtor teknik, ka ndërmarrë masa ndaj katër infermiereve dhe ka formuar një komision ad-hoc për të hetuar kushtet e rënda dhe mungesat bazike në Klinikën e Pediatrisë.

Këto masa janë marrë pas denoncimeve publike të familjarëve për shtretër të dëmtuar, çarçafë të njollosur me gjak dhe mungesë të kushteve higjienike. /kp/