Mbingarkesa e klinikave në QKUK, kërkohet referim më i drejtë

Përveç personave të lënduar në aksidente, Qendra Emergjente në QKUK vazhdon të përballet me fluks të madh pacientësh, ndërsa drejtuesit e saj apelojnë që qytetarët fillimisht t`u drejtohen qendrave të mjekësisë familjare dhe spitaleve rajonale. Sipas tyre, vetëm rastet urgjente duhet të referohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve dhe për të ulur mbingarkesën.
Klinika Emergjente është një nga klinikat në QKUK, ku çdo ditë qindra pacientë marrin shërbime urgjente.
Megjithatë, sipas drejtorit të kësaj klinike, Naser Syla, shumë prej këtyre rasteve do të duhej të trajtoheshin nëpër qendrat e mjekësisë familjare dhe në spitalet rajonale.
Ndaj, ai rekomandon që vetëm rastet që janë të domosdoshme të referohen në këtë klinikë, për të ulur mbingarkesën dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve.
“Të ndiqet rruga dhe mënyra e trajtimit të pacientëve. Gjithsesi, më së pari të shkojnë në mjekësinë familjare, pastaj në spitalet rajonale, e vetëm rastet që duhet të trajtohen dhe janë të domosdoshme të sillen këtu. Apeli është që të mos ngarkohet Emergjenca dhe QKUK-ja..”, thekson Naser Syla, drejtor i Klinikës Emergjente në QKUK.
Fluksi i pacientëve nuk mungon as nëpër qendrat e mjekësisë familjare. Megjithatë, theksohet se në shumicën e rasteve, porta e parë për qytetarët duhet të jetë mjekësia familjare.
“Të them të drejtën, të gjithë jemi të mbingarkuar, pavarësisht se kemi staf profesional dhe ia dalim ta menaxhojmë këtë situatë. Shumica kërkojnë ndihmë në qendrat e mjekësisë dhe qendrat e tjera. Ne ofrojmë gjitha shërbime. Megjithatë, ne e theksojmë që porta e parë është mjekësia familjare dhe ne i kemi të gjitha për të ofruar ndihmë. Në raste të rralla i referojmë që të shkojnë atje, por u themi që të mos shkojnë direkt atje”, tha Rushit Ismajli, specialist i mjekësisë familjare.
Megjithëse thanë se pavarësisht numrit të lartë të rasteve të trajtuara, mjekët kanë ofruar kujdes të pandërprerë për të gjithë pacientët që kanë kërkuar ndihmë mjekësore./RTK




































