0Shares

Bashkimi ka arritur fitore të madhe në Prizren ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 96-80, duke krijuar epërsi prej 2-0 në serinë finale të playoffit. Prizrenasit kështu janë vetëm një fitore larg titullit të parë të kampionit në basketboll që nga paslufta. 

Palestra “Rexhai Surroi” në Prizren filloi të stërmbushej me të filluar takimi, i cili për shumë njohës të basketbollit u pa si vendimtar.

Çereku i parë kaloi me lojë të barashpeshuar të dy skuadrave, ku mysafirët nga kryeqyteti kishin karakter më të mirë se sa në ndeshjen e parë.

Kryesisht beteja u përqëndrua te qendrat, ku Fisnik Rugova ishte i pandalshëm, por edhe agresiv në mbrojtje, ku shpejt bëri dy faula në këtë takim, teksa keq reagoi në një situatë edhe Urim Zenelaj i cili po ashtu bëri tri faula.

Prishtina kishte një periudhë të mirë në çerekun e dytë, ku Tmusic ishte më i dalluari, ndërsa pas disa teknikeve për Prishtinën që protestonte për vendimet e gjyqtarëve, një seri e furishme e Bashkimit ndihmuar nga publiku bëri që pas dy çerekëve vendasit të kenë një epërsi prej 10 pikësh.

Në pjesën e dytë Bashkimi filloi mirë duke çuar në 12 pikë epërsinë, por një seri prej 10-4 e Prishtinës me dy treshe nga Alban Veseli, bëri që Prishtina të kthehej në lojë.

Por, një mungesë e përqëndrimit e Prishtinës dhe sulmet e Bashkimit drejt koshit kundërshtar duke depërtuar në zonë, bënë që Bashkimi të rikthejë epërsinë me një seri prej 10-0, ku edhe problemet me faula ishin të mëdha te Prishtina krahas mungesës në ekzekutim, ku pikët kërkoheshin me kundërsulme dhe me lojë në post nga Bundovic dhe Fisnik Rugova, teksa Alban Veseli kishte katër faula në fund të çerekut të tretë.

Pikërisht në fund të kësaj periudhe Bashkimi arriti të krijojë edhe epërsinë më të lartë në këtë takim me 15 pikë, por treshja një saktësi e Alban Veselit në fund të kësaj periudhe bëri që në çerekun e katërt Prishtina të hyjë me 11 pikë disavantazh dhe me shansa për një rikthim.

Ishin ndërhyrjet e shumta ato që ja pamundësuan Prishtinës një rikthim dhe Bashkimi vazhdoi me sulmet e sigurta, sidomos nga kundërsulmet dhe kështu edhe e vulosi fitoren e madhe në finalen e dytë.

Më i miri në këtë takim ishte Mikaile Tmusic nuk qenë i papërmbajtshëm nga vijë për tri pikë. Ai realizoi 31 pikë në total me gjashtë treshe nga shtatë tentime, kurse ishte i ndihmuar nga Moss me 21 pikë, 8 kërcime dhe 8 asistime, kurse Zollo shtoi 15 pikë të tjera te Bashkimi.

Te Prishtina 27 pikë e 9 kërcime arriti Alban Veseli me pesë trehe të realizuara, kurse Edmond Azemi shtoi 14 pikë, por performanca e lojtarëve tjerë la për të dëshiruar në këtë takim, sidomos e fundorëve.

Pas kësaj fitore të madhe në finalen e dytë, Bashkimi arrin kështu që të krijojë një përparësi shumë të madhe prej 2-0, dhe i nevojitet vetëm edhe një fitore që mund ta arrijë në fundjavë në Prishtinë për të marrë kështu edhe titullin e parë të kampionit të Kosovës në basketboll.

Ndërkaq, Prishtinës i duhen dy ndeshje të mëdha për të barazuar serinë dhe për ta çuar në ndeshjen e pestë, e cila zhvillohet në Prishtinë për shkak të vendit të parë të kryeqytetasve në sezonin e rregullt. /Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)