Atletico Madridi ia "vjedh" objektivin PSG-së, synon sulmuesin e Barcelonës


Atletico Madridi është klubi më i fundit që ka shfaqur interes për Ferran Torresin, duke iu bashkuar PSG-së në garën për transferimin e sulmuesit të Barcelonës.
Sipas “Marca”, e cila citon gazetarin e njohur të merkatos Matteo Moretto, e ardhmja e reprezentuesit spanjoll mbetet e paqartë, ndërsa ai po hyn në një periudhë vendimtare për karrierën e tij.
Moretto bën të ditur se drejtori sportiv i Atletico Madridit, Mateu Alemany, është një admirues i madh i Ferran Torresit dhe e konsideron atë një futbollist me cilësi të jashtëzakonshme.

Raporti shton gjithashtu se Barcelona nuk ka hequr dorë nga dëshira për të transferuar Julian Alvarezin nga Atletico Madridi. Për këtë arsye, priten bisedime të reja mes dy klubeve, të cilat mund të hapin rrugën edhe për diskutime rreth Ferran Torresit.
Megjithatë, largimi i sulmuesit nuk është i sigurt. Sipas Morettos, mbetet ende mundësia që Torres të vazhdojë te Barcelona, edhe pse e ardhmja e tij përshkruhet si "shumë e hapur" para nisjes së sezonit të ri.
Ferran Torres iu bashkua Barcelonës nga Manchester City në janar të vitit 2022 dhe është shndërruar në një pjesë të rëndësishme të skuadrës. Kontrata e tij me klubin katalanas është e vlefshme deri në vitin 2027, por javët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e tij./Telegrafi/








































