Arteta paralajmëron transferime të tjera: Nuk do të rrimë duarkryq

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka konfirmuar se klubi do të vazhdojë të jetë aktiv në afatin kalimtar të verës, duke theksuar se kampionët e Ligës Premier nuk do të ndalen në përforcimin e skuadrës për sezonin e ri.
Pas fitores bindëse 4-1 ndaj Gironas në një ndeshje miqësore, tekniku spanjoll u pyet për planet e klubit në merkato, në një kohë kur Arsenali vazhdon të lidhet me emra të mëdhenj si Bruno Guimaraes i Newcastle United dhe Vinicius Jr i Real Madridit.

Megjithatë, Arteta refuzoi të komentojë mbi interesimin për lojtarë të veçantë, duke bërë të qartë se objektivi i klubit është të vazhdojë përmirësimin e skuadrës.
“Presim të ketë lëvizje në javët e ardhshme, natyrisht”.
“Ne duam të bëhemi më të fortë si çdo skuadër tjetër. Mjafton të shikoni tregun e transferimeve dhe çfarë po bëjnë kundërshtarët tanë, por edhe ne. Nuk do të rrimë duarkryq dhe jemi shumë ambiciozë në atë që po bëjmë”.
“Dallimet janë shumë të vogla. Ne duam të përmirësohemi, sepse niveli do të rritet. Duhet të rrisim konkurrencën brenda skuadrës dhe të identifikojmë ato gjëra që ende na mungojnë”, deklaroi Arteta.
Deri tani, Arsenali ka transferuar portierin Illan Meslier dhe sulmuesin Christos Tzolis, ndërsa qendërmbrojtësi Piero Hincapie është blerë përfundimisht pas sezonit të kaluar që e kaloi në huazim në "Emirates".
Klubi londinez do ta nisë mbrojtjen e titullit në Ligën Premier më 21 gusht, kur do të presë në shtëpi Coventry Cityn, skuadrën e sapongjitur në elitën e futbollit anglez./Telegrafi/














































