Arijon Ibrahimovic kërkohet nga nëntë klube evropiane, Bayerni vendos për të ardhmen e talentit kosovar


Paraqitjet e shkëlqyera të mesfushorit ofensiv, Arijon Ibrahimovic kanë zgjuar interesimin e klubeve nga Bundesliga, Liga Premier dhe Eredivisie, ndërsa vlera e tij në treg vazhdon të rritet.
Ibrahimovic po kalon një nga periudhat më të rëndësishme të karrierës së tij. Talenti kosovar, i cili është në pronësi të Bayern Munichut, ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve evropiane pas paraqitjeve mbresëlënëse gjatë huazimit të tij te Heidenheim në Bundesliga.
Forma e mirë e 19-vjeçarit ka bërë që vlera e tij në treg të rritet ndjeshëm, me raportime që e vlerësojnë kartonin e tij rreth 10 milionë euro. Paraqitjet e tij kanë bindur shumë skuadra se ai është gati për një rol më të madh në futbollin evropian.

Sipas Transfermarkt, interesim konkret për Ibrahimovicin kanë shfaqur disa klube nga ligat më të forta të kontinentit. Nga Liga Premier situatën e tij po e ndjekin Crystal Palace, Brighton, Brentford dhe Fulham, ndërsa PSV Eindhoven mbetet një nga opsionet më serioze jashtë Gjermanisë.
Ndërkohë, në Bundesliga nuk mungojnë admiruesit e tij. Werder Bremen, Augsburg, Hoffenheim dhe Stuttgart janë ndër klubet që po monitorojnë nga afër zhvillimin e talentit kosovar dhe mund të lëvizin gjatë afatit kalimtar të verës.

Bayern Munich ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen e lojtarit. Drejtuesit bavarezë po shqyrtojnë mundësinë e integrimit të tij në skuadrën e parë, por në tavolinë mbeten edhe opsionet e një huazimi të ri ose të një transferimi të përhershëm.
Me interesimin që po rritet çdo ditë dhe me disa klube të rëndësishme që janë futur në garë për shërbimet e tij, e ardhmja e Arijon Ibrahimovicit pritet të jetë një nga temat më interesante të afatin kalimtar të verës. /Telegrafi/




































