Please enter at least 3 characters.

Gjithçka nga zhvillimet për presidentin e ri - dekreti i Osmanit dhe masat e Kushtetueses

Ndërsa ecuria politike në Kosovë po kalon një fazë të re dhe vendimtare, vendi përballet me një situatë të paparashikuar pas shpalljes së dekretit nga Presidentja Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit dhe nisjen e zgjedhjeve të reja.

Takimet ndërmjet liderëve politikë nuk kanë arritur konsensus për zgjedhjen e presidentit/es të ri/re.

Mandati i presidentes Vjosa Osmani po afron drejt përfundimit, ndërsa kandidaturat e shpallura nga LVV, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku për postin e kreut të shtetit nuk u hodhën fare në votim, pasi që në seancën e 5 marsit nuk kishte kuorum.

Sfidat për krijimin e shumicës dhe mungesa e kuorumit në votimin për presidentin e ri e vendosin Kosovën në një moment të rëndësishëm.

Në këtë klimë, Gjykata Kushtetuese ka vendosur një masë të përkohshme, duke shtyrë dhe sqaruar procedurat në pritje të një vendimi përfundimtar që do të përcaktojë nëse Kosova do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme apo do të tentojë përsëri zgjedhjen e presidentit/es.

Telegrafi këtu mbyll raportimin e këtij live, ndërkaq ju mund të na ndiqni për lajmet e fundit dhe analizat e mëtejshme.

10/03/2026 16:00- Në takim me Osmanin, ambasadori britanik thotë se Kosova ka nevojë urgjente për stabilitet politik

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend dhe rëndësinë e stabilitetit institucional.

Ajo theksoi gjithashtu përkushtimin e institucioneve të Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar dhe për hapjen e kapitujve të rinj të partneritetit.

Ndërkohë, ambasadori britanik Hargreaves theksoi rëndësinë e stabilitetit politik në vend në këtë periudhë.

Lajmi i plotë>>>

10/03/2026 10:40- Masa e përkohshme ndaj dekretit të Osmanit, juristi Sejdiu: Në këtë situatë drejtësia kushtetuese duhet të vijë brenda ditësh, jo javësh

Gjykata Kushtetuese e Kosovës të hënën ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, masë kjo që hyn në fuqi më 9 mars dhe do të mbetet në fuqi deri më 31 mars 2026.

E lidhur me këtë, juristi Korab Sejdiu ka reaguar, duke thënë se për një çështje që prek drejtpërdrejt funksionimin e dy degëve të pushtetit – dhe në fakt, edhe të tretës – kjo është një kohë tmerrësisht e gjatë.

Sejdiu tutje thotë se ndërkohë që vendime serioze e presin shtetin, në një kohë kur duket që e tërë bota është në flakë, ndoshta kjo është një nga ato situata kur drejtësia kushtetuese duhet të vijë brenda ditësh, jo javësh.

Lajmi i plotë:

09/03/2026 23:28- Hasani: Deputetët nuk mund të detyrohen të qëndrojnë në sallë për zgjedhjen e presidentit

Profesori dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka komentuar zhvillimet e fundit rreth procesit të zgjedhjes së presidentit të Kosovës, duke theksuar se kërkesa për të detyruar deputetët të qëndrojnë në sallë dhe të sigurojnë 80 vota nuk mund të zbatohet.

Duke folur në emisionin Politiko në Kanal10, Hasani u shpreh se një kërkesë e tillë, e paraqitur nga Albulena Haxhiu dhe një grup deputetësh, nuk mund të imponohet nga Gjykata.

“Gjykata nuk mund ta kërkojë një gjë të tillë, për shumë arsye. E para është se ekziston një aktgjykim i vitit 2015, i cili përcakton se deputetët nuk mund të detyrohen të kryejnë një veprim të tillë,” ka deklaruar Hasani.

Lajmi i plotë>>>

09/03/2026 23:24- Masa e Kushtetueses, qeveria: Për tri javë jemi në gjendje pritjeje

Qeveria e Republikës së Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

Në një komunikatë për media, Qeveria ka bërë të ditur se vendimi i Gjykatës pezullon zbatimin e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të reja, deri në shqyrtimin e plotë të çështjes.

Sipas njoftimit, ky vendim krijon hapësirë që rasti të trajtohet në mënyrë të plotë nga Gjykata Kushtetuese, në përputhje me rendin kushtetues dhe parimet e funksionimit demokratik të institucioneve.

Lajmi i plotë>>>

09/03/2026 23:22- Osmani: Jam e bindur se dekreti është në përputhje me Kushtetutën

Presidentja, Vjosa Osmani, ka deklaruar se është e bindur që vendimi për dekretin është në përputhje të plotë me Kushtetutën, ndonëse Gjykata i vendosi masë të përkohshme.

Osmani, para publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kishte deklaruar se është konsultuar me dhjetëra juristë dhe se mirëpret çdo vendim të kësaj gjykate.

“Cilido që të jetë vendimi i Gjykatës në fund, për ne është i mirëseardhur. Është normale që institucionet të kenë interpretime të ndryshme. Aspak nuk kam frikë. E tëra që pres është që gjykata të vendosë në përputhje me parimin e integritetit dhe interpretimit të Kushtetutës në mënyrë të lirë”, ka thënë Osmani.

Lajmi i plotë>>>

09/03/2026 19:04- LVV mirëpret masën e Kushtetueses: Presim anulimin e shpërndarjes së Kuvendit

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka mirëpritur vendimin e Gjykata Kushtetuese e Kosovës për vendosjen e masës së përkohshme ndaj dekretit të presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.

Përmes një reagimi në Facebook, Nagavci tha se beson që kërkesa e paraqitur nga deputetët e kësaj partie është e drejtë dhe e mbështetur në argumente kushtetuese, ndërsa pret një trajtim profesional nga Gjykata.

Ajo theksoi se në kërkesën e dorëzuar në Kushtetuese është kërkuar që të anulohet dekreti i presidentes për shpërndarjen e Legjislaturës së Dhjetë të Kuvendit.

Lajmi i plotë>>>

09/03/2026 19:02- Zëdhënësi i LDK-së ironizon me LVV-në: A është ende Kushtetuesja “e kapur nga opozita”?

Zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa, ka reaguar pas masës së Gjykata Kushtetuese e Kosovës lidhur me çështjen e dekretit të presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.

Përmes një deklarate publike, ai ka ironizuar qëndrimet e Lëvizja Vetëvendosje (LVV), duke pyetur nëse tani kjo parti e konsideron gjykatën të paanshme.

“A na tregon VV tash a është Gjykata Kushtetuese ‘e kapur nga opozita’? A është ai gjyqtari serb ende rrezik për sigurinë kombëtare? Apo tash që po i pëlqen ky vendim VV-së, Gjykata është krejt në rregull dhe ai serbi është burrë i mirë?”, ka deklaruar Mustafa.

Lajmi i plotë>>>

09/03/2026 18:14- Kushtetuesja vendos masë të përkohshme në lidhje me dekretin e Osmanit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës.

Vendimi është marrë pas ankesës së paraqitur nga kryeministri Albin Kurti në emër të Qeveria e Kosovës.

Sipas vendimit, masa e përkohshme hyn në fuqi më 9 mars dhe do të mbetet në fuqi deri më 31 mars 2026. Gjatë kësaj periudhe ndalohet çdo veprim i presidentes lidhur me Dekretin nr. 24/2026 të datës 6 mars, si dhe çdo veprim i Kuvendit të Kosovës që lidhet me këtë çështje.

Lajmi i plotë>>>

09/03/2026 16:55- Rrahmani: LVV dhe Kurti tentuan ta eliminojnë politikisht Osmanin për kontroll të plotë të pushtetit

Deputeti nga Grupi Parlamentar i PDK-së, Eman Rrahmani, ka deklaruar se vendimi i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit ka qenë i drejtë, pasi sipas tij janë tejkaluar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

Në emisionin FIVE, Rrahmani ka theksuar se tashmë vendimi i takon qytetarëve për të zgjedhur një legjislaturë të re që do ta zgjidhë çështjen e presidentit.

“Ka qenë një vendim i drejtë pasi kanë kaluar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit. Tash mbetet te populli që të vendosë për një legjislaturë e cila do ta zgjidhë çështjen e presidentit, pasi kjo legjislaturë nuk ka pasur as vullnet e as mundësi për ta zgjedhur një figurë që do të ishte përfaqësuese dhe unifikuese për vendin”, ka deklaruar ai.

Lajmi i plotë>>>

09/03/2026 15:59-Kushtetuesja po shqyrton kërkesën e Albulena Haxhiut për procedurën e zgjedhjes së Presidentit

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se kërkesa e parashtruar nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës është duke u proceduar.

Përmes një përgjigje për Telegrafin nga zyra për media e Gjykatës Kushtetuese kanë thënë se vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese.

Lajmi i plotë

09/03/2026 15:23- Pas dorëheqjes së Avdylit, Guxo: Nuk përfshihemi në debate të ulëta dhe as në linçime publike

Partia Guxo ka konfirmuar se deputeti Haxhi Avdyli ka dhënë dorëheqje nga kjo parti, duke theksuar se vendimi i tij është pranuar nga kryesia e subjektit politik.

Në një komunikatë për media, Guxo bëri të ditur se për dorëheqjen e Avdylit kanë marrë vesh përmes mediave dhe rrjeteve sociale.

Lajmi i plotë>>>

09/03/2026 14:29- Osmani nuk e ka nënshkruar dekretin për zgjedhjet e reja, pret vendimin e Kushtetueses

Presidentja e Kosovës po pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, para se të nënshkruaj dekretin për zgjedhjet e reja.

Kështu ka bërë të ditur, Bekim Kupina, këshilltar për Media i presidentes Vjosa Osmani.

Ndryshe, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje sot ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Lajmi i plotë>>>

09/03/2026 14:19- LVV dorëzon në Kushtetuese dekretin e presidentes për shpërndarje të Kuvendit

LLV dorëzon në Kushtetuese dekretin e presidentes për shpërndarje të Kuvendit

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci ka thënë se sot kanë dorëzuar kërkesën e nënshkruar nga 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Gjykatën Kushtetuese, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Dekretit nr. 24/2026, të datës 06.03.2026, të Presidentes së Republikës së Kosovës, lidhur me shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook, Nagavci ka shkruar se njëkohësisht kanë kërkuar nga Gjykata që të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e këtij dekreti, deri në nxjerrjen e aktgjykimit përfundimtar.

Lajmi i plotë

09/03/2026 14:05- Përmendi fjalën pushkatim për Osmanin, Geci pas reagimit të Presidencës: Nuk kam nxitur dhunë

Pas reagimit të Presidenca e Kosovës ndaj deklaratave të tij, Halil Geci ka publikuar një reagim publik duke sqaruar qëndrimin e tij lidhur me shkrimin ku kishte komentuar veprimet e presidentes Vjosa Osmani.

Në reagimin e tij, Geci thotë se në shkrimin e publikuar kishte shprehur vetëm një mendim kritik mbi respektimin e Kushtetutës dhe se deklaratat e tij janë interpretuar gabimisht.

Ai ka shtuar se reagimi i Presidencës ndaj tij është i tepruar dhe se debati publik për respektimin e Kushtetutës duhet të jetë i lejuar në një shoqëri demokratike.

Lajmi i plotë>>>

09/03/2026 13:53- "Thirrjet për pushkatim ndaj Osmanit" - jep dorëheqje nga Guxo, Haxhi Avdyli

"Thirrjet për pushkatim ndaj Osmanit" - jep dorëheqje nga Guxo, Haxhi Avdyli

Deputeti Haxhi Avdyli ka dhënë dorëheqje nga Lista Guxo si shenjë proteste për sulmet ndaj presidentes së vendit, Vjosa Osmani.

Avdyli përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se sulmet e paskrupullta ndaj Osmanit, deri edhe në thirrje për pushkatim, si dhe linçimet publike ndaj saj nga figura të njohura e panjohura, përfshirë edhe sulme ndaj fëmijëve të saj, janë një politikë që do të duhej t’i përkiste së kaluarës së hidhur.

Ai po ashtu ka thënë se: “Në shenjë proteste, dhe për të mos identifikuar veten me këtë fushatë të ulët, kam vendosur të jap dorëheqje të parevokueshme, nga të gjitha pozitat në Partinë Guxo”.

Lajmi i plotë

09/03/2026 13:04- Mandati i Osmanit skadon më 5 prill - Cakolli shpjegon skenarin kushtetues pas kësaj date

Situata institucionale në Kosovë pas dekretit për shpërndarjen e Kuvendit dhe skadimit të mandatit të Presidentes më 5 prill, pritet të varet edhe nga vendimet e mundshme të Gjykatës Kushtetuese.

Lidhur me këtë çështje, Eugen Cakolli nga KDI ka dhënë sqarime në një prononcim për Telegrafin, se çfarë do të ndodh pas 5 prillit dhe kush mund të marrë postin e ushtruesit të detyrës në rast se nuk ka president të ri.

Cakolli thotë se aktualisht pritet një vendim i mundshëm i Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesat për masë të përkohshme.

Lajmi i plotë>>>

09/03/2026 11:51- Haxhiu: Dekreti i Presidentes Osmani është jokushtetues dhe i ngutshëm

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se tani pritet që Grupimi Parlamentar i LVV ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, që sipas saj është i paligjshëm.

Haxhiu u shpreh se vendimi i presidentes për të shpërndarë Kuvendin ka qenë surprizë për të, derisa e cilësoi si të hap të ngutshëm nga ana e Osmanit.

Lajmi i plotë>>>

09/03/2026 10:22- Shpërndau Kuvendin, Presidenca thotë se Osmani përballet me thirrje për pushkatim

Presidenca e Republikës së Kosovës ka dënuar ashpër gjuhën ku bëhet thirrje për pushkatim të Presidentes së vendit, Vjosa Osmani.

Përmes një reagimi nga presidenca thonë se kur në debat politik përdoret fjala “pushkatim”, kjo nuk ka të bëjë me kritikë apo opinion, por me një gjuhë të rrezikshme që nxit urrejtje dhe normalizon dhunën politike.

Sipas reagimit thuhet se Kosova nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë vend ku aktivistë politikë vetëshpallen gjykatës dhe shpallin dënime me jetë për figura të zgjedhura nga qytetarët.

Lajmi i plotë>>>

09/03/2026 09:25- Surroi analizon dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, e quan ndërhyrje në pushtetin legjislativ

Publicisti Veton Surroi ka dhënë interpretimin e tij për dekretin e shpallur më 6 mars për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, duke vënë në dyshim bazën kushtetuese të tij.

Sipas Surroit, presidenti i Kosovës ka kompetenca të përcaktuara qartë për shpërndarjen e Kuvendit dhe asnjë nga kushtet për të ushtruar këtë kompetencë nuk ishte përmbushur më 6 mars.

Ai thekson se presidenti nuk ka autoritet për të krijuar kompetenca të reja jashtë atyre të përcaktuara nga Kushtetuta dhe se deklarimet mbi “bllokimin institucional” nuk mund të zëvendësojnë procedurat kushtetuese.

Lajmi i plotë>>>

08/03/2026 13:51- Xhafer Tahiri kundërshton fushatën kundër Osmanit

Xhafer Tahiri, ish-kryetar i degës së LDK në Vushtrri, ka reaguar lidhur me fushatën e organizuar me shpifje kundër Presidentes Vjosa Osmani.

Tahiri ka cituar shprehjen e njohur të Fan S. Nolit: “Këtu brenda një dite si me magji tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor,” duke theksuar se historia duket se po përsëritet.

Ai tha se fushata kundër Presidentes Osmani është e padrejtë dhe duhet të ndalet.

Lajmi i plotë>>>

08/03/2026 12:58- Hoti: Emri im për president u përmend për të tejkaluar ngërçin, Kurti u tentua të shantazhohej

Ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar publikisht lidhur me deklaratat e kryeministrit Albin Kurti për çështjen e presidentit dhe përmendjen e emrit të tij në këtë proces.

Përmes një reagimi publik, Hoti tha se konfirmon plotësisht deklaratat e kryeministrit, duke theksuar se ato nuk janë të bazuara në dëgjime, por në atë që ai thotë se ka parë vetë. Ai ka theksuar se sipas tij është tentuar të ushtrohet presion ndaj kryeministrit përmes pazareve politike.

Sipas tij, përmendja e emrit të tij në kontekstin e postit të presidentit ka qenë një përpjekje për të tejkaluar një ngërç politik dhe për të shmangur krizën institucionale.

Lajmi i plotë>>>

08/03/2026 12:00- Sallahu: Avokati i Popullit po hesht për dekretin kundërkushtetues, është bërë mik i AAK-së

Ish-zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka kritikuar ashpër institucionin e Avokatit të Popullit, duke e akuzuar për mosveprim lidhur me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, që sipas Sallahut është kundërkushtetues.

Përmes një reagimi publik, Sallahu tha se në historinë e Republikës së Kosovës nuk ka pasur “Avokat të Popullit më politik dhe më jopopullor” sesa ky aktual.

Ai theksoi se, sipas nenit 113 paragrafi 2.1 të Kushtetuta e Kosovës, Avokati i Popullit ka të drejtë që një dekret kundërkushtetues ta dërgojë për shqyrtim në Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por sipas tij kjo ende nuk ka ndodhur.

Lajmi i plotë>>>

08/03/2026 10:47- Shpërndau Kuvendin, kërkohet shkarkimi i Vjosa Osmanit

Politologu Melazim Koci, ka deklaruar se presidentja Vjosa Osmani duhet të përballet me procedurë shkarkimi për vendimin e saj për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Sipas Kocit, ky veprim përbën një shkelje të rëndë kushtetuese.

Lajmi i plotë>>>

08/03/2026 10:25- Haxhiu shmang komentet për çështjen e presidentit dhe Kuvendit: Sot fokusi janë gratë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu nuk ka pranuar të jap koment kur është pyetur për pritshmëritë lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit dhe shpërndarjen e Kuvendit.

Haxhiu ka theksuar se sot në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, është më e rëndësishme të diskutohet për të drejtat, problemet dhe sfidat që përballen gratë, sesa për çështje politike ditore.

Lajmi i plotë>>>

08/03/2026 08:53- Dekreti i Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, ndez përplasje politike në vend

Dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, ka thelluar përplasjet politike mes pushtetit dhe opozitës në vend.

Nga Partia Demokratike e Kosovës është vlerësuar se vendimi i presidentes është në përputhje me Kushtetutën.

Sipas tij, interpretimet që thonë se Kuvendi mund të vazhdojë pa kufizim kohor do të krijonin mundësi për zvarritje të procesit. Në anën tjetër, përfaqësues të pushtetit dhe ekspertë të së drejtës e kanë kundërshtuar dekretin.

Lajmi i plotë>>>

07/03/2026 23:31- Kraki: Osmani kishte të drejtë, por duhet pritur Kushtetuesja nëse shpërndahet kuvendi apo jo

Deputeti i “Lista Guxo”, pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, komentoi situatën politike në Kosovë.

Kraki deklaroi në Euronews Albania se situata aktuale institucionale është e pazakontë, pasi sipas tij kalendari legjislativ ka hyrë në konflikt me kalendarin presidencial, duke krijuar një përplasje afatesh që nuk përputhen me parashikimet kushtetuese. Ai theksoi se legjislatura e re pati shumë pak kohë në dispozicion për të zgjedhur presidentin, çka sipas tij ka sjellë një vakum institucional.

Ai shtoi se presidentja Vjosa Osmani kishte të drejtë kur deklaroi se vendi mbeti pa president për shkak të mosveprimit të deputetëve, pasi sipas tij ishte përgjegjësi e Kuvendit që të siguronte kuorumin dhe të zgjidhte kreun e shtetit brenda afatit.

Lajmi i plotë>>>

07/03/2026 23:10- Bahtiri: Po presim të zbulojmë i kujt është ky skenar për ta bllokuar shtetin

Deputeti i Vetëvendosjes, Agim Bahtiri, ka reaguar lidhur me situatën politike, duke thënë se, janë në pritje të përgjigjes së Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit.

Bahtiri, në postimin e tij, ka shtuar edhe se LVV-ja është në pritje, siç ka thënë ai, që të ‘’zbulohet se i kujt është ky skenar për ta bllokuar shtetin’’.

"Po presim të zbulohet se i kujt është ky skenar për ta bllokuar shtetin dhe nga e kanë burimin gjithë ato lojëra që bëhën në emër të shtetit për ta ri-fituar pushtetin sepse për dikë pushteti qenka më me vlerë sesa shteti"

‘’ Çdo gjë do të dalë në dritë, sepse askush nuk e ka të drejtën që për shkak të mospërmbushjes se ambicieve të saj, të fut padrejtësisht në krizë një shtet të tërë’’, ka shkruar Bahtiri.

07/03/2026 22:37- Profesori universitar në Shqipëri: Rama i ngriti kurth Kurtit me Vjosa Osmanin

Profesori universitar në Shqipëri dhe eksperti i politikës ndërkombëtare Enver Bytyçi ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke folur për ngërçin kushtetues që lidhet me procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.

Në Euronews Albania, Bytyçi ka përmendur rolin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, duke thënë se ai kishte dhënë një orientim për çështjen e zgjedhjes së presidentit, por sipas tij kjo nuk është përfillur nga Partia Demokratike e Kosovës.

Sipas Bytyçit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka parë vizitën e Ramës në Prishtinë si një përpjekje për të lobuar në favor të rizgjedhjes së presidentes Vjosa Osmani.

"Zoti Kurti e mori si një lloj kurthi të zotit Rama, dhe të zonjës Osmani. Zoti Rama nuk erdhi për festën e pavarësisë në Prishtinë, erdhi një ditë para për të bërë një favor Osmanit që ta ndihmojë atë të bëhej përsëri presidente", deklaroi Bytyçi.

Lajmi i plotë>>>

07/03/2026 21:11- Presidenca: Pretendimet për “puç” janë shpifje, Osmani nuk është pjesë e komploteve politike

Shefja e stafit të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, Learta Hollaj, ka reaguar ndaj akuzave dhe pretendimeve që, sipas saj, po qarkullojnë në publik për një “puç” apo skenar të organizuar nga presidentja për rrëzimin e Qeverisë.

Përmes një reagimi publik, Hollaj i ka cilësuar këto pretendime si shpifje dhe të pavërteta, duke theksuar se akuzat për një plan të tillë në bashkëpunim me aktorë të ndryshëm politikë janë të pabazuara.

Ajo ka përmendur edhe pretendimet për bashkëpunim të mundshëm me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, ish-emisarin amerikan Richard Grenell, presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq apo me opozitën në Kosovë, duke theksuar se këto janë narrativa të rreme.

Lajmi i plotë>>>

07/03/2026 21:09- Dugolli flet për “komplot” kundër Kurtit

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka reaguar ndaj qëndrimeve të partive opozitare lidhur me çështjen e shpërbërjes së Kuvendit nga presidentja Vjosa Osmani.

Përmes një postimi në Facebook, Dugolli ka kritikuar PDK-në dhe LDK-në, duke thënë se këto parti gjatë konsultimeve me kryeministrin Albin Kurti për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e Presidentit kishin deklaruar disa herë se nuk kanë votë për Osmanin.

“Por një gjë është e sigurt: e vërteta nuk mbetet gjatë e fshehur. Herët a vonë gjithçka del në dritë. Dhe gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë se në këtë komplot ka shumë më tepër aktorë sesa ata që duken në skenë”, ka shkruar Dugolli.

Lajmi i plotë>>>

07/03/2026 19:50- Përplasjet Presidencë–Qeveri vazhdojnë, Kabineti i Osmanit publikon videon - Murati reagon ashpër

Polemikat mes Qeverisë dhe Presidencës janë thelluar pas publikimit të një videoje nga kabineti i presidentes Vjosa Osmani, ku shfaqet ministri i Financave Hekuran Murati duke folur për afatin e zgjedhjes së presidentit dhe mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit.

Pas publikimit të videos, Murati ka reaguar duke sqaruar se deklarata e tij i referohej situatës kur procesi i zgjedhjes së presidentit kalon nëpër tri raunde votimi dhe asnjëri kandidat nuk arrin t’i marrë 61 votat e nevojshme në Kuvend.

Lajmi i plotë>>>

07/03/2026 10:54- Torres: Kosova përballet me pasiguri të re politike

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Kosovë, duke thënë se kjo është serioze dhe zhgënjyese.

Ai në një postim në platformën X shkruan se kjo Kosova përballet me pasiguri të re politike.

“Kuvendi i Kosovës dështoi të zgjedhë Presidentin. Kjo është një pengesë serioze. Në vend të stabilitetit, vendi përballet me pasiguri të re politike. Vërtet zhgënjyese”, shkruan Terras.

06/03/2026 23:08- Dekreti i Osmanit, Qorrolli: Një prej rasteve më flagrante të ndërhyrjes së pushtetit presidencial

Vigan Qorolli nga Lëvizja Vetëvendosje ka folur në Debat Plus lidhur me dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

“Kjo shënon një prej rasteve më flagrante të ndërhyrjes së pushtetit ‘presidencial’… Ne frikësohemi që presidentja nesër mund ta shpallë datën e re të zgjedhjeve”.

“Ajo nuk mund ta shpallë dekretin e ri për caktimin e datës së zgjedhjeve, sepse ka një lëndë tashmë aktive në Gjykatën Kushtetuese, ku ne kemi kërkuar masë të përkohshme”, tha ai.

Lajmi i plotë>>

06/03/2026 21:24- Kriza politike, Gjermania: Kosovës i duhen institucione funksionale

Pas krizës së re institucionale në Kosovë qeveria gjermane thekson rëndësinë e institucioneve për integrimin e vendit në BE

Gjermania reagoi ndaj krizës së re institucionale në Kosovë. Në Konferencën Federale të Shtypit në Berlin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Martin Giese, theksoi rëndësinë e institucioneve funksionale në vend.

"Kosovës i duhen institucione funksionale”, tha ai. Sipas qeverisë gjermane, kjo është e rëndësishme edhe për vazhdimin e dialogut të normalizimit të udhëhequr nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë. "Integrimi i Serbisë dhe Kosovës në BE mund të arrihet vetëm përmes këtij dialogu të normalizimit”, u shpreh Giese.

Lajmi i plotë >>>

06/03/2026 19:43- BE-ja thotë se i sheh me “keqardhje” zhvillimet e fundit politike në Kosovë

Një zëdhënësi i Bashkimit Evropian i ka thënë Radios Evropa e Lirë të premten se blloku i sheh me “keqardhje” zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

“Tani, po presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha zëdhënësi, duke iu referuar ankesës së partisë në pushtet kundër dekretit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për ta shpërndarë Kuvendin.

Lajmi i plotë >>>

06/03/2026 18:59- Gjykata Kushtetuese i kthen përgjigje kryeparlamentares

Gjykata Kushtetuese i është përgjigjur kryeparlamenatres Albulena Haxhiu, e cila dje ka dërguar një lëndë për shqyrtim në këtë institucion.

Përmes një shkrese kjo gjykatë e ka njoftuar Haxhiun se ka regjistruar kërkesën K.068/26, e cila është parashtruar nga ajo dhe 9 deputetë të Kuvendit të Kosovës. lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”.

Në këtë shkresë, thuhet se deputetët e Kuvendit mund t`i paraqesin komentet e tyre me shkrim për këtë çështje deri më 9 mars 2026.

Lajmi i plotë >>>

06/03/2026 18:13- Haxhiu njofton deputetët për dekretin e presidentes për shpërbërjen e Kuvendit

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka njoftuar deputetët për dekretin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërbërjen e Legjislaturës së Dhjetë dhe hyrjen në fuqi me rastin e nënshkrimit të tij.

Në një shkresë zyrtare për deputetët e Kuvendit, kryetarja Haxhiu u ka bashkëngjit dekretin e presidents.

Po ashtu, ajo ju deputetëve iu ka bashkëngjit edhe regjistrimin e kërkesës me numër K.068/26 të Gjykatës Kushtetuese të bërë nga Kryetarja e Kuvendit dhe nëntë (9) deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së ,,Procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Lajmi i plotë>>>

06/03/2026 17:02- Kurti: Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është jokushtetues

Sipas tij, nga momenti i fillimit të procedurave për zgjedhjen e presidentit, Kushtetuta parasheh një afat prej 60 ditësh që duhet të kalojnë para se të mund të shpërndahet Kuvendi.

“Ka afat 60-ditor për t’u zgjedhur presidenti dhe ne kemi qenë në sallën e Kuvendit vetëm 30 minuta”, tha Kurti.

"Nuk është përmbushur kriteri prej 60-ditësh, nuk jemi më 5 maj sot, por më 6 mars", shtoi ai.“Nuk është përmbushur kriteri prej 60 ditësh për t’u shpërndarë Kuvendi”, deklaroi Kurti, duke theksuar se procesi duhet të zhvillohet në përputhje me afatet dhe rregullat kushtetuese.

Lajmi i plotë>>>

06/03/2026 15:20- Porosi e qytetarëve në Prekaz: T’i lëmë anash inatet, të bashkohemi në këtë vend

Për nder të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz u bënë homazhe nga një numër i madh qytetarësh nga të gjitha trevat shqiptare. Ata vendosën lule dhe u përkulën me respekt pranë varreve të familjes Jashari, duke nderuar flijimin e tyre për lirinë e Kosovës.

Përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta në komunën e Klinës, Shkelzen Gashi, tha se në një ditë kaq të rëndësishme duhet të lihen anash inatet politike dhe të gjithë së bashku të nderojnë të rënët për liri.

“Sidomos kjo është një ditë e shenjtë për të gjithë shqiptarët. Duhet t’i lëmë anash të gjitha inatet dhe të bashkohemi në këtë vend, ku para 28 vitesh ka ndodhur një masakër e paparë. Sa herë vijmë këtu për vizitë kemi emocione shumë të forta. Të gjithë shqiptarët duhet t’i kenë, sepse është një ditë e madhe, flijimi i të gjithë familjes Jashari”, tha ai.

Ndërsa, një qytetar tjetër nga Llausha, Demir Batalli, tha se në ditë të tilla të mëdha duhet të bëhemi të gjithë bashkë.

06/03/2026 14:14- Hamza del nga takimi me Osmanin, tregon se çfarë u diskutua

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, është deklaruar për media pas takimit që zhvilloi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ai bëri të ditur se në këtë takim është diskutuar për datën e zgjedhjeve të reja, ndërsa akuzoi Lëvizja Vetëvendosje se mban përgjegjësinë kryesore për faktin që vendi po shkon sërish në zgjedhje.

Lajmi i plotë>>>

06/03/2026 14:13- Haradinaj pas takimit me Osmanin: Datat e mundshme për zgjedhjet e reja 5, 12 ose 19 prill

Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur pas takimit konsultativ me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, lidhur me zhvillimet politike dhe mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja parlamentare.

Haradinaj bëri të ditur se në këtë takim janë diskutuar disa data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa si opsione janë përmendur 5, 12 dhe 19 prilli megjithëse sipas tij mund të ketë edhe data të tjera në varësi të zhvillimeve.

“Sapo përfundoi takimi dhe rrjedhimisht presidentja ka vepruar në bazë të kompetencave që i ka, me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit”, tha Haradinaj.

06/03/2026 13:55- Nis takimi konsultativ me Osmanin dhe liderët e partive politike pa Kurtin

Ka nisur takimi konsultativ mes presidentes së vendit, Vjosa Osmani, dhe liderëve të disa prej partive politike parlamentare lidhur me procesin e zgjedhjeve të reja në Kosovë.

Në këtë takim po marrin pjesë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ndërsa lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nuk po merr pjesë.

06/03/2026 13:53- Çështja e presidentit, Kushtetuesja thotë se vendimi do të merret pas shqyrtimit të plotë

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se ka pranuar kërkesën e parashtruar nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Kjo kërkesë vjen pasi që një ditë më parë kryetarja e Kuvendit iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar interpretim lidhur me ligjshmërinë e nisjes së procedurave për zgjedhjen e presidentit.

Nga Gjykata Kushtetuese në një përgjigje për Telegrafin kanë bërë të ditur se kërkesa është pranuar zyrtarisht dhe se vendimi do të merret vetëm pasi të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të paraqitura në kërkesë.

06/03/2026 13:50- Nagavci i kundërpërgjigjet Osmanit: Kush janë këta emra të papërgjegjshëm dhe nëse janë njerëz të rrezikshëm

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagvci, pyet presidenten e vendit Vjosa Osmani që të thotë me emër e me mbiemër se kush janë njerëzit e papërgjegjshëm dhe nëse janë janë të rrezikshëm për situatën e krijuar.

Nagavci përmes një konference për media ka thënë se është obligim i saj dhe është për keqardhje të dëgjohen këto deklarata.

06/03/2026 12:15- Sallahu i LVV-së: Dekreti është kundërkushtetues, Kuvendi duhet t’i zhvillojë punimet deri të vendos Kushtetuesja

Ish-zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu tha sot se dekreti i presidentes Vjosa Osmani është kundërkushtetues.

Sallahu në një postim në Facebook shkruan se Kuvendi do të duhej t’i zhvillojë punimet përderisa ka sipas tij dekret qartazi kundërkushtetues dhe përderisa Gjykata Kushtetuese të vendos për kërkesën që është dërguar.

06/03/2026 11:37- Osmani fton në takim liderët e partive për konsultime rreth datës së zgjedhjeve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të zhvillojë konsultime me liderët e partive politike për të përcaktuar datën e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Siç merr vesh Telegrafi takimi pritet të mbahet në orën 13:00 në presidencën e Kosovës.

06/03/2026 11:33- “Tronditi themelet e shtetit”, Hasani: Dekreti i Osmanit për shpërndarje të Kuvendit është jokushtetues

Dekreti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarje të Kuvendit dhe dërgim të vendit në zgjedhje të reja është jokushtetues, thotë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Profesori i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në një intervistë me shkrim për KosovaPress thotë se dështimi për zgjedhjen e presidentit të enjten nuk e dërgon vendin automatikisht në zgjedhje të reja.

Lajmi i plotë>>>

06/03/2026 10:40- Jepni mendimin tuaj duke votuar

06/03/2026 10:29- Reagimi nga Vlora Çitaku e PDK-së

Nënkryetarja e Partia Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend, duke akuzuar Lëvizja Vetëvendosje për bllokimin e institucioneve dhe shtyrjen e vendit drejt një cikli të ri zgjedhor.

Përmes një reagimi publik, Çitaku tha se ambicia për kontroll të plotë institucional po e çon Kosovën drejt një krize të re politike.

Për të lexuar lajmin e plotë, kliko këtu.

06/03/2026 09:45- Osmani shpalli dekretin për shpërndarje të Kuvendit, reagojnë nga Lëvizja Vetëvendosje

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, njëherësh zyrtar i Lëvizja Vetëvendosje, Jeton Zulfaj, ka reaguar pas zhvillimeve në Kuvendi i Kosovës lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit.

Përmes një postimi në Facebook, Zulfaj ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje ka respektuar plotësisht Kushtetutën gjatë gjithë procesit.

Lajmi i plotë>>>

06/03/2026 09:36- Abdixhiku mirëpret dekretin për shpërndarjen e Kuvendit

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mirëpritur dekretin e presidentes së vendit për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës, duke e vlerësuar si një veprim në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit të institucioneve.

Në një reagim publik, Abdixhiku tha se partia që ai drejton mbështet qëndrimin e presidentes Vjosa Osmani, duke theksuar se vendimi i saj tregon përgjegjësi dhe qartësi kushtetuese.

Lajmi i plotë>>>

06/03/2026 09:07- Kosova në zgjedhje, presidentja Osmani shpërndan Kuvendin

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se sot ka nxjerr dekretin që të shpërndajë Kuvendin e Kosovës dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

“Jam këtu përpara jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja. Kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe për këtë shtet që ata nuk zgjodhën interesin e Republikës së Kosovës. Andaj sot në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës kam nxjerrë dekretin për shpërndarje të Kuvendit”, tha presidentja.

Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu:

06/03/2026 09:30- Kur do të ftohen liderët partiakë nga Presidentja për datën e zgjedhjeve të reja? Flet Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të zhvillojë konsultime me liderët e partive politike për të përcaktuar datën e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Njoftimi u bë në një konferencë për media, pasi presidentja nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës.

Lajmi i fundit>>>

06/03/2026 09:10- Zgjedhjet e Jashtëzakonshme, Osmani: Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nxjerrë të premten dekretin për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës, pas dështimit të deputetëve për të zgjedhur presidentin e ri të vendit.

Në një konferencë për media, Osmani deklaroi se mosarritja e votimit të presidentit në seancën e së enjtes mbrëma ka bërë të pashmangshme shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Lajmi i plotë>>>

06/03/2026 08:45- Para konferencë së presidentes, ambasadorët e QUINT-it në Qeveri

Pak para se të nis konferenca e presidentes Vjosa Osmani e paralajmëruar për sot në ora 08:00 pasi të enjten u ndërpre seanca për zgjedhje e presidentit të ri në mungesë të kuorumit, por sot në orët e mëngjesit ambasadorët e QUINT-it janë në Qeveri.

Zhvillime e sotme janë pasi një ditë më parë nuk pati kuorum në Kuvend për zgjedhjen e presidentit.

Lidhur me këtë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu i është drejtuar Kushtetueses.

06/03/2026 07:30- Presidentja Osmani mban konferencë për media

Presidentja Osmani mban konferencë për media

Kuvendi i Kosovës të enjten ndërpreu seancën për zgjedhjen e presidentit të ri për shkak të mungesë së kuorumit.

Në seancë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë, shumë më pak se numri i nevojshëm për të arritur kuorumin.

Lajmi i plotë>>>

05/03/2026 23:47- Haxhiu i drejtohet Kushtetueses për procedurën e zgjedhjes së presidentit

Haxhiu i drejtohet Kushtetueses për procedurën e zgjedhjes së presidentit

Kryetarja e Kuvendi i Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se i janë drejtuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Sipas saj, përmes kësaj kërkese është kërkuar gjithashtu që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit.Kryetarja e Kuvendi i Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se i janë drejtuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Sipas saj, përmes kësaj kërkese është kërkuar gjithashtu që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit.

"Po ashtu, përmes kësaj kërkese, kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së Presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit", ka shkruar Haxhiu.

05/03/2026 23:10- Haxhiu e ndërpret seancën për president në mungesë të kuorumit

Seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit është ndërprerë në momentin e hapjes, pasi në sallë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se për shkak të mungesës së kuorumit seanca nuk mund të vazhdojë dhe do të shtyhet për një moment tjetër.

“Me këtë rast nuk ka kuorum për të vazhduar më tutje me votimin. Disa herë në këtë seancë i bëra apele deputetëve që mungojnë të vijnë dhe të jenë të pranishëm në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Situata është që ata nuk janë të pranishëm. Rrjedhimisht s’i kemi dy të tretat e deputetëve”, ka deklaruar Haxhiu.

Sipas rregullave kushtetuese, për zgjedhjen e presidentit në votimin e parë nevojiten të paktën 80 vota të deputetëve.

05/03/2026 22:38- 66 deputetë në seancën për presidentit, Haxhiu fton opozitën për të marrë pjesë

Nis seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidnetit/es, te pranishme ne sall nuk janë deputetët opozitarë, raporton Ekonomia Online.

Ne sallë janë 66 të pranishëm, e ku kryetarja e Kuvendit u ka bërë thirrje deputetëve opozitarë që të marrin pjesë në seancë, e ku ua përmend edhe nenin e kushtetutës.

“Në këtë rast po i ftoj deputetët që nuk janë të pranishëm që të vinë në seanca sepse edhe aktgjykimet e kushtetueses kërkojnë pranin e tyre. Kemi kuorum për vazhduar”, ka thënë kryetarja Haxhiu.

05/03/2026 22:13- Fatmir Kollçaku, kandidatja e dytë për presidente

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, është kandidatja e dytë për presidente të Kosovës.

Kjo konfirmohet nga thirrja që Lëvizja Vetëvendosje ia ka bërë Kryesisë së Kuvendit të enjten në mbrëmje.

“Në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës, në emër të deputetëve nënshkrues, paraqes nominimin për kandidaten për Presidente të Republikës së Kosovës. Deputetët nënshkrues nominojnë znj. Fatmire Mulhaxha Kollçaku, si kandidate për Presidente të Republikës së Kosovës. Bashkëngjitur me këtë shkresë përcjellëse, gjeni listën e nënshkrimeve të deputetëve, si dhe dokumentacionin tjetër të nevojshëm. Ju lus që në përputhje me procedurat e paracaktuara të procedoni këtë nominim”, thuhet në shkresën e shefes së deputetëve të VV-së, Arbërie Nagavci, drejtuar Kryesisë së Kuvendit.

05/03/2026 21:42- Seanca e radhës në orën 22:00

Pas dështimit të votimit në seancën e mbajtur pas orës 20:00 për ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani, Kuvendi do të mblidhet edhe në një seancë tjetër gjatë mbrëmjes të së enjtes.

Kjo seancë do të fillojë nga ora 22:00, ka njoftuar kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

05/03/2026 21:33- Nuk kalojnë amendamentet e Osmanit në Kuvend

05/03/2026 20:50-​  Nagavci: LVV mbështet ndryshimet kushtetuese që populli ta zgjedh direkt Presidentin

Ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani – që presidenti i Kosovës të zgjidhet përmes votës së popullit e jo nga Kuvendi – nuk kanë kaluar.

Të pranishëm ishin vetëm 93, përfshirë 9 nga komuniteti joshumicë, nga 120 deputetë sa ka Kuvendi.

Për kalimin e tyre nevojiteshin votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat e të gjithë deputetëve nga komunitetet joshumicë.

Në seancë munguan deputetët e Listës Serbe, e cila ka 9 vende.

Prandaj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu nuk i hodhi fare në votim amendamentet dhe tha se do të ketë seancë të re.

05/03/2026 21:29- Bajrami e ashpër në Kuvend: Çka janë këto lojëra, çka doni me iu thënë qytetarëve?

Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami është treguar e ashpër me partinë në pushtet, duke insistuar se cdo gjë është ne rend të ditës kur bëhet fjalë për interesin e qytetarëve, raporton Ekonomia Online.

Ajo tha se amendamentet për t’u votuar presidenti nga populli nuk e eviton shkuarjen në zgjedhje.

Sa herë flasim për interesat e qytetarëve jemi në rend të ditës. Dhe sot nuk ka rend të ditës më të rëndësishme që mos me i çu qytetarët në zgjedhje prapë. Dhe kush po i çon në zgjedhje? Po i çoni ju që i keni marrë 51 për qind të votave dhe keni sjell në rend të ditës amendamente kushtetuese të cilat assesi nuk e evitojnë dërgimin e vendit në zgjedhje.. Çka janë këto lojëra, cka doni me iu thënë qytetarëve kur të shpërndani Kuvendin?”, tha ajo.

Bajrami kritikoj qeverinë për mos zgjidhjen e çështjes së presidentit, duke thënë se vetëm disa orë e ndajnë vendin nga zgjedhjet e reja.

“Jemi vetëm disa orë para vendimit që shkojmë prapë në zgjedhje dhe po diskutojmë amendamente kushtetuese, siç u thamë, me 4 vjet vonesë. Qytetarë të nderuar, të kthehemi tek tema kryesore. Sot kjo seancë është thirrur në shpërqendrim të vëmendjes. Sot, kjo seancë është thirrur nga ata të cilët para disa jave i morën 51% të votave, për të na adresuar çështjen e bujqve të cilët s’i kanë marrë subvencionet e vitit të kaluar; me adresuar çështjen e qytetarëve të cilët i pret një valë e re e inflacionit nga luftat në botë. E këta dalin e u thonë njerëzve që inflacionin e kemi mbajtur nën kontroll me një vendim atje për çmimin e derivateve të naftës… Dhe këta sot na sjellin amendamente kushtetuese. Këta sot i ofendojnë të gjithë pacientët të cilët janë në spitale dhe vdesin pa barna esenciale. Ky është turp, turp”,theksoi ajo.

05/03/2026 21:26- Përparim Gruda përplaset me Albulena Haxhiun

Deputeti i PDK, Përparim Gruda, është përplasur me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë seancës parlamentare.

Nga foltorja, Gruda i ka drejtuar një seri pyetjesh Haxhiut, e cila i ka kërkuar të flasë për popullin dhe jo për të personalisht.

"Drejtoju popullit jo mua", i është përgjigjur Haxhiu.

Gruda ka kritikuar procedurën për amendamentet kushtetuese, duke thënë se nuk ka precedent që kontrolli paraprak të bëhet sot, ndërsa miratimi të shtyhet pas një dekade.

05/03/2026 21:04- Abdixhiku me ironi: Kushtetuta ndërrohet natën, besomëni s’ka bereqet

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia e tij mbështet në parim amendamentet kushtetuese që synojnë zgjedhjen direkte të presidentit, por ka kritikuar mënyrën se si po bëhen ndryshimet.

“LDK i mbështetë në parim amendamentet e tilla sepse janë në frymë me bindjen tonë ideologjike. Presidenti i Kosovës duhet me u zgjedh nga qytetarët. Pavarësisht gjitha vërejtjeve që pajtohem, Kushtetuta ndërrohet natën, besomëni s’ka bereqet”, ka thënë Abdixhiku, duke theksuar se procedurat duhet të jenë transparente dhe të respektuar në orare normale.

Ai ka theksuar se mbështetja e LDK-së për ndryshimet nuk do të thotë pajtim me mënyrën e implementimit, duke i bërë thirrje institucioneve që procesi të zhvillohet në mënyrë publike dhe të qartë.

05/03/2026 20:56- Hamza: Ne kemi pritur që sonte te zgjedhim presidentin/en e ri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se PDK ka qenë vazhdimisht e hapur që presidenti të zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë, por jo dy orë para se t’i skadojë mandati presidentes.

“Ne nuk mund te flasim sonte për këtë çështje. Ne kemi pritur që sonte te zgjedhim presidentin e jo të sfidohemi me një seance te tille për amendamentin e Kushtetutës. Ne parim jemi për, por kjo kërkon trajtim”, ka shtuar Hamza.

05/03/2026 20:50- Nagavci: LVV mbështet ndryshimet kushtetuese që populli ta zgjedh direkt Presidentin

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së Arbërie Nagavci, gjatë fjalimit të saj në seancën e jashtëzakonshme e ka arsyetuar përkrahjen e këtyre amandamenteve që parashohin zgjedhjen e Presidentit nga populli.

Nagavci deklaroi se me zgjedhjen e Presidentit nga populli, do të kishte legjimitet më të madh demokratik.

“Kur qytetarët votojnë për presidentin, ata ndihen më të përfshirë në procesin politik dhe kjo e rritë interesimin për demokracinë dhe zgjedhjet në përgjithësi”, deklaroi Nagavci gjatë seancës.

Ajo theksoi se një president duhet të marrë votën e shumicës së popullit.

05/03/2026 20:22- Çfarë parashohin amendamentet e propozuara për presidentin

Amendamentet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani dhe të miratuara në Komisionin Parlamentar për Legjislacion parashohin të ndryshojnë mënyrën se si zgjidhet presidenti i Kosovës.

Këto ndryshime parashohin të ndryshojnë në tërësi Nenin 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës së Kosovës.

Amendamentet parashohin që presidenti i Kosovës të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, përmes votimit, dhe që zgjedhjet presidenciale të shpallen nga kryetari i Kuvendit, jo më vonë se 6 muaj para se të përfundojë mandati i presidentit aktual.

Sipas amendamenteve, nëse asnjëri nga kandidatët në rundin e parë të garës zgjedhore nuk arrin të marrë shumicë absolute prej më shumë se 50 për qind të votave të popullit, mbahet rundi i dytë i zgjedhjeve midis dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave herën e parë dhe kandidati që merr më së shumti vota në rundin e dytë zgjidhet president i Republikës së Kosovës.

Po ashtu, parashihet që të shtohet një nen i ri, i cili mundëson që mandati i presidentit aktual, që është zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës, të vazhdojë derisa presidenti i ri të zgjidhet dhe të bëjë betimin.

Amendamentet parashohin po ashtu mundësinë që të garojnë në zgjedhje presidenciale edhe ish-presidentët që kanë shërbyer para se të bëheshin këto ndryshime.

Presidentin e zgjedhur nga populli nuk mund ta shkarkojë Kuvendi, por organi ligjvënës mund ta dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese peticionin për shkarkimin e tij, sipas amendamenteve.

05/03/2026 20:14- Ftohet seancë për ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit

Deputetët do të mblidhen në Kuvend sot për të votuar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani sa i përket zgjedhjes së presidentit.

Në uebfaqen e Kuvendit është konfirmuar se seanca e jashtëzakonshme plenare është planifikuar të nisë në orën 20:00.

Komisioni për Legjislacion ka miratuar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Tani çështja ka avancuar dhe ndryshimet kushtetuese do të shqyrtohen në seancë plenare.

Ndryshimet u miratuan me 6 vota pro. Dy deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës votuan kundër.

05/03/2026 19:26- President nga populli, komisioni për Legjislacion miraton ndryshimet kushtetuese

Me 6 vota për dhe 2 kundër Komisioni për Legjislacion i ka miratuar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Tani këto ndryshime priten të shqyrtohen në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës. Kundër këtyre ndryshimeve votuan dy anëtarët e PDK-së, Përparim Gruda dhe Blerta Deliu Kodra.

Para votimit të ndryshimeve kushtetuese pati një debat të ashpër ndërmjet anëtarëve të këtij komisioni. Kryetari i këtij komisioni, Përparim Gruda, vlerësoi se ndryshimet kushtetuese të para një dekade nuk mund të votohen tani, derisa anëtarët e LVV-së, Adnan Rrustemi, Vigan Qorrolli e Adnan Abrashi vlerësuan se ato e kanë vulën e Gjykatës Kushtetuese dhe ajo që ka mbetur është vota në Kuvend.

Sipas ndryshimeve të propozuara, presidenti i shtetit do të duhej të zgjidhej me votë direkte nga qytetarët.

05/03/2026 19:12- President nga populli, Abrashi: Janë krijuar rrethanat që ta shtyjmë përpara këtë proces

Edhe anëtari tjetër nga LVV, Adnan Abrashi ka thënë se ndonëse si rast është i vjetër, ai i ka kaluar të gjitha procedurat e përcaktuara.

“Krejt çfarë ka mbetur kjo punë pa u materializuar ka qenë vota në Kuvendin e Kosovës. Tash janë krijuar rrethanat që ta shtyjmë përpara këtë punë. Krejt kjo që po e diskutoni konsideroj nuk është e rëndësishme. Pyetja më e rëndësishme që të gjithë e shtrojmë sot është kjo: A do të duhej që qytetarët e Republikës së Kosovës si sovran i këtij vendi ta kenë të drejtën për ta zgjedhur presidentin e tyre me votë të drejtpërdrejt".

Lajmi i plotë KËTU.

05/03/2026 19:01- Lushaku-Sadriu për amendamentet: S’është mirë në natën e fundit

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu ka deklaruar se kjo nuk është një rrugëzgjidhje, reformat kushtetuese kërkojnë kohë dhe analizë.

“Kjo nuk është një rrugëzgjidhje e natës së sotme dhe urgjencës që këto të procedohen. Reformat kushtetuese kërkojnë kohë dhe analizë”, tha ajo.

05/03/2026 18:52- Rrustemi: U mbetet deputetëve të votojnë ose jo

Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, gjatë mbledhjes së Komisionit për Legjislacion, tha se nuk mund të mbahet peng vullneti i 120 deputetëve, duke mbrojtur idenë e presidentes për dërgimin e amendamenteve për ta ndryshuar Kushtetutën.

“Sot po i dërgojmë në seancë, me një rrethanë specifike, me vonesë dhe i mbetet deputetëve të votojnë ose jo”, tha ai.

“Komisionet janë trupa ndihmëse, nuk janë filtra të domosdoshëm. Ka bërë edhe mos me u mbajtë kjo mbledhje, shumë mirë që po mbahet por po them që nuk janë filtra komisionet që po s’kaluan dhe po spatën vendim pozitiv të komisionit mbahet peng vullneti i 120 deputetëve, jo në asnjë menyrë. Ne ndihmojmë Kuvendin, ne këtu 11 anëtarë ndihmojmë…”, tha Rrustemi.

Lajmi i plotë KËTU.

05/03/2026 18:42- "Tejkalimi i afateve", Gruda: S’mund të shqyrtohen amendamentet e Osmanit

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete në Kuvendi i Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar se amendamentet kushtetuese të propozuara nga Vjosa Osmani për zgjedhjen e presidentit/es drejtpërdrejt nga populli nuk mund të shqyrtohen në këtë fazë.

Sipas Grudës, arsyeja lidhet me tejkalimin e afateve, pasi këto amendamente janë dërguar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese që në vitin 2011.

Lajmi i plotë KËTU.

05/03/2026 18:38- President nga populli, Haliti: Një përpjekje e Osmanit sa për të thënë që po bëjë diçka

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka komentuar propozimin e presidentes Vjosa Osmani për ndryshime kushtetuese që do të mundësonin zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit nga qytetarët.

Duke folur në FIVE në TV Dukagjini, Haliti tha se kjo është një çështje që, sipas tij, duhet të trajtohet nga ekspertët e së drejtës kushtetuese.

Ai theksoi se sipas Kushtetutës aktuale, Kosova është republikë parlamentare, ku rolin kryesor në vendimmarrje e ka Kuvendi dhe jo presidenti.

Lajmi i plotë KËTU.

05/03/2026 18:17- President nga populli, LVV: Shprehim mbështetjen e plotë për amendamentet e Presidentes Osmani

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se LVV përkrah plotësisht amendamentet kushtetuese të proceduara nga presidentja e vendit për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit nga qytetarët.

Lajmi i plotë KËTU.

05/03/2026 17:05- Haxhiu: I bashkohem thirrjes së Presidentes për votimin e amendamenteve

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur amendamentet që presidenti i vendit të zgjidhet nga populli.

“Sapo i pranova amendamentet kushtetuese nga Presidentja Vjosa Osmani, të cilat parashohin që Presidenti/Presidentja të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Në këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre”, ka shkruar Haxhiu.

Lajmi i plotë KËTU.

05/03/2026 17:02- Osmani procedon amendamentet për zgjedhjen e presidentit direkt nga populli

Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se ka proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit, duke e cilësuar këtë hap si përgjigje ndaj, siç tha, dështimeve të njëpasnjëshme në zgjedhjen e kreut të shtetit nga deputetët.

Sipas saj, amendamentet në fjalë janë hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011 dhe tani janë dorëzuar për shqyrtim në Kuvendi i Kosovës.

Lajmi i plotë KËTU.

05/03/2026 14:59- Këshilltari i Kurtit: Vetëvendosje nuk ia ka borxh Vjosa Osmanit ta bëjë presidente

Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me debatin për zgjedhjen e presidentit të Kosovës dhe rolin e Vjosa Osmani në këtë proces.

Zulfaj ka theksuar se Osmani është zgjedhur në dy nga pozitat më të larta shtetërore falë votave të Lëvizja Vetëvendosje.

Në reagimin e tij, Zulfaj ka thënë se Osmani është figurë e respektuar, por sipas tij Vetëvendosje nuk ka obligim ta mbështesë për një mandat tjetër.

Lajmi i plotë KËTU.

05/03/2026 14:20- Osmani nuk tregon nëse do t’i marrë nënshkrimet e ofruara nga LVV

Presidentja Vjosa Osmani pas ceremonisë së rreshtimit të kuadrateve të FSK-së nuk ka treguar nëse do të marr nënshkrimet e ofruara nga Lëvizja Vetëvendosje për të hyrë në garën për presidente.

Osmani tha se sot nis Epopeja e UÇK-së dhe kjo është tema kryesore dhe e vetme.

Lajmi i plotë KËTU.

05/03/2026 14:13- Abdixhiku: Zgjedhja e presidentit kërkon konsensus, jo kandidatura të njëanshme

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se zgjedhja e presidentit të vendit nuk mund të bëhet me kandidatura të njëanshme dhe pa konsensus politik mes partive në Kuvend.

Ai tha se nuk ka pasur asnjë marrëveshje për një kandidaturë të caktuar për postin e presidentit dhe se një gjë e tillë nuk është kërkuar gjatë bisedimeve.

Lajmi i plotë KËTU.

05/03/2026 12:09- Hamza: Pa marrëveshje politike, PDK nuk propozon kandidat për president

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka folur sërish për zhvillimet rreth çështjes së zgjedhjes së presidentit.

Ai ka thënë se varësisht nga zhvillimet, do të vendosin nëse do të hyjnë në seancën e Kuvendit nëse do të krijohet mundësia për të hedhur në votimin çështjen e presidentit/es.

I pyetur se përse PDK nuk po propozon kandidat për president, Hamza tha se pa marrëveshje politike nuk ka kandidat.

Lajmi i plotë KËTU.

05/03/2026 12:07- Zgjedhja e presidentit, Koci: Për të shmangur zgjedhje të reja, ofrohem si kundërkandidat i Glauk Konjufcës

Avokati Arianit Koci ka shpreh dëshirën për t’i hyjë garës për President të vendit.

Koci përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar 30 nënshkrime që të hyjë në garën për të parin e shtetit, por vetëm si kundër-kandidat i Glauk Konjufcës.

Ai tha se Kosova nuk mund të mbetet vazhdimisht në cikël zgjedhjesh dhe bllokadash.

Lajmi i plotë KËTU.

05/03/2026 10:09- "Nëse mua jo, kë do ta votonin?", Konjufca pyet opozitën - thotë se po e shtyjnë vendin drejt zgjedhjeve

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, ka sqaruar arsyet pse vendosi të pranojë të jetë kandidat për president.

Ai tha se ishte propozuar nga partia e tij, Vetëvendosje, dhe se tani është koha për të shkuar përpara me këtë proces.

Ai shtoi se versioni më i mirë është që edhe partitë opozitare të propozojnë kandidatet e tyre.

Lajmi i plotë KËTU.

05/03/2026 10:08- Kurti: Pasdite do t'i vazhdojmë përpjekjet për ta zgjedhur presidentin

Kryeministri i vendit, Albin Kurti pas mbledhjes solemne të Qeverisë për shënimin e Epopesë së UÇK-së, para gazetarëve ka thënë se pasdite do t’i vazhdojnë përpjekjet për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Ai tha se uron që do të kenë edhe një kandidatë tjetër për president në mënyrë siç tha “ta përmbushi, kërkesën kushtetuese”.

Lajmi i plotë KËTU.

05/03/2026 08:43- Afati kushtetues për presidentin përfundon sot

Sot përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Deri tani është propozuar vetëm një kandidat për këtë post, Glauk Konjufca, i nominuar nga Lëvizja Vetëvendosje me nënshkrimet e 30 deputetëve.

Për tu ftuar seanca e Kuvendit për të votuar për presidentin, përveç Konjufcës nevojitet edhe një tjetër kandidat.

Nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin, Kushtetuta parasheh mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Në zgjedhjen e presidentit kërkohen 80 vota në dy rundet e para, ndërsa në rundin e tretë mjaftojnë 61 vota.

05/03/2026 08:18- Gjini: Edhe po të na ftonte Kurti, ne nuk do ta takonim – fare nuk e ka pasur qëllim zgjedhjen e presidentit

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka deklaruar në Debat Plus se partia e tij nuk do të merrte pjesë në takim me kryeministrin Albin Kurti, edhe nëse do të ishte ftuar.

Gjini ka theksuar se AAK kishte qëndrim të qartë për të mos ndihmuar, siç u shpreh ai, në asnjë variant që do t’i mundësonte Kurtit vazhdimin e qeverisjes.

Lajmi i plotë KËTU.

05/03/2026 08:17- Haradinaj mohon raportimet se Osmani ka krijuar një listë të re politike “Shpresa”

Të mërkurën është raportuar se Vjosa Osmani po përgatit një listë të re politike me emrin “Shpresa”, me të cilën mund të garojë në zgjedhjet e ardhshme, potencialisht në koalicion me Lidhja Demokratike e Kosovës ose Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Raportimet vijnë në kontekstin e mundësisë që, nëse Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin e ri deri të enjten, vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Megjithatë, këto pretendime janë mohuar nga keshilltarja e Osmanit, Meliza Haradinaj.

Lajmi i plotë KËTU.

05/03/2026 08:16- Nagavci: Jemi të gatshëm për zgjedhje të reja nëse nuk ka kourum për presidentin

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë në konferencë për media se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i detyron deputetët të qëndrojnë në sallë.

Ajo tha se nëse deputetët e PDK, LDK e AAK dhe të tjerët vendosin mos të respektojnë këtë obligim si deputetë, atëherë LVV është e gatshme për zgjedhje.

Lajmi i plotë KËTU.

05/03/2026 08:14- LDK: Pa emra konsensualë dhe marrëveshje politike, nuk marrim pjesë në seancën për presidentin

Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhja Demokratike e Kosovës, Jehona Lushaku, ka deklaruar se kjo parti nuk do të marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit, për aq kohë sa nuk ka emra konsensualë dhe një marrëveshje politike paraprake.

Ajo u tregua e rezervuar edhe kur u pyet nëse LDK-ja do ta kandidonte Vjosa Osmani për presidente, duke theksuar se partia e saj nuk i ka numrat për të propozuar një kandidat.

Lajmi i plotë KËTU.

04/03/2026 19:39- Haxhiu: Duhen dy kandidatë për të thirrur seancën për presidentin

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se deri tani është propozuar vetëm një kandidat për president, Glauk Konjufca, i cili ka marrë nënshkrimet e 30 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të grupit multietnik.

Haxhiu ka bërë thirrje që deputetët të dorëzojnë nënshkrimet për një kandidat tjetër, në mënyrë që të plotësohet kushti për thirrjen e seancës për zgjedhjen e presidentit.

Ajo ka theksuar se afati i fundit kushtetues për thirrjen e seancës është 5 marsi 2026, duke nënvizuar urgjencën e situatës.

Lajmi i plotë KËTU.

04/03/2026 17:22- Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese: Strategjia e Kurtit për president, vetëvrasje politike

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për përpjekje për të zhvendosur fajin te opozita lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke e cilësuar strategjinë e tij si “vetëvrasje politike”.

Hasani, në një intervistë për KosovaPress, thotë se Kurti dëshiron të krijojë momentumin për zgjedhje të reja, me shpresë t’i rrisë votat për dallim nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Sipas tij, edhe takimet me opozitën për presidentin janë “fiktive” dhe shërbejnë më shumë për konsum publik sesa për arritjen e një marrëveshjeje reale.

Ai thekson se synimi i Kurtit është një kandidat me profil të theksuar partiak, duke përmendur figura si Glauk Konjufca apo Albulena Haxhiu.

Lajmi i plotë KËTU.

04/03/2026 17:21- Arsim Bajrami tërheq kandidaturën për president: Nuk u përkrah koncepti i një kandidati konsensual

Ish-ministri i Administratës Publike dhe i Arsimit, Arsim Bajrami, ka njoftuar se ka tërhequr gatishmërinë e tij për t’u vënë në dispozicion si kandidat konsensual për President të Republikës së Kosovës.

Në një reagim publik, Bajrami tha se vendimi i tij vjen pasi dy partitë kryesore parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, nuk e përkrahën konceptin e një kandidati konsensual.

Ai theksoi se vetëofrimi i tij kishte për qëllim ekskluzivisht kontributin në tejkalimin e krizës së thellë politike dhe institucionale, në të cilën, sipas tij, vendi po hyn në vitin e dytë.

Lajmi i plotë KËTU.

04/03/2026 17:19- Vetëvendosje propozon Glauk Konjufcën për president

Vetëvendosje propozon Glauk Konjufcën për president

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se do të propozojë për President të Republikës së Kosovës ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, pas dështimit për të arritur një marrëveshje me partitë opozitare për një kandidat konsensual.

Sipas njoftimit të subjektit fitues të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, të cilat u mbajtën pas një bllokade mbi dhjetëmujore, qytetarët dhanë “rezultatin më të qartë në historinë e Kosovës së pasluftës”, duke votuar kundër bllokimit institucional dhe në favor të themelimit të institucioneve.

LVV thekson se, në përputhje me këtë rezultat, pa vonesë janë konstituuar Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës, ndërsa procesi i radhës është zgjedhja e Presidentit, për të cilën kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në sallë.

Lajmi i plotë KËTU.

04/03/2026 15:51- Tahiri: Është një puç që po i instalohet Kosovës përmes një shumice parlamentare

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka folur lidhur me situatën aktuale politike në Kosovë, duke theksuar se situata e krijuar për zgjedhjen e presidentit është një krizë serioze që mund të dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Tahiri ka kritikuar ashpër partitë që janë në pushtet për mungesën e një procesi të mirëfilltë politik për zgjedhjen e një kandidati konsensual për presidencën e Kosovës.

Lajmi i plotë KËTU

04/03/2026 15:38- U përfol si kandidat për president, Lushtaku: PDK nuk ka votë për Andin Hotin

Ka përfunduar mbledhja e Grupit Parlamentar të PDK-së në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ku u diskutua për çështjen e presidentit.

Pas kësaj ka folur deputeti Mërgim Lushtaku, i cili tha se qëndrimi i tyre është i njëjtë.

Sa i përket përfoljes së emrit të Andin Hotit si kandidat i mundshëm i LVV-së për president, Lushtaku tha se nuk kanë votë për të.

Lajmi i plotë KËTU.

04/03/2026 14:58- Osmani pjesë e LDK-së? Lushaku: Gjithçka i takon të ardhmes, LVV e ka përgjegjësinë për presidentin

Jehona Lushaku, shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se partia e saj nuk ka pranuar asnjë ftesë nga kryeministri Albin Kurti për takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ajo theksoi se përgjegjësia për procesin e zgjedhjes së presidentit i takon partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, si subjekti më i madh parlamentar.

Sa i përket raportimeve për mundësinë që presidentja Vjosa Osmani të bëhet pjesë e listës së LDK-së, Lushaku nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke theksuar se këto çështje i përkasin të ardhmes.

Lajmi i plotë KËTU.

04/03/2026 14:34- Hamza: Nuk ka marrëveshje për kandidat për president, të tjerat janë spekulime

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka theksuar se nuk ka arritur ndonjë marrëveshje për kandidaturën për presidentin e Kosovës.

Ai këtë deklaratë e dha ndërsa po hynte në objektin e Kuvendit të Kosovës, ku do t’i bashkohej mbledhjes së Grupit Parlamentar të PDK-së.

Hamza sqaroi se partia e tij nuk ka propozuar ende një kandidat konkret për postin e presidentit dhe se asnjë diskutim për emra nuk ka arritur në fazën e propozimeve.

Lajmi i plotë KËTU.

04/03/2026 14:32- Hasani: Nëse PDK-ja rri në sallë votoj për Andin Hotin

Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, tha se nëse PDK-ja qëndron në sallë ai e voton për president Andin Hotin

“Nëse PDK-ja rri në sallë unë votoj” tha ai.

I pyetur se kush do të ishte i denjë për president sipas PDK, ai tha se nuk ka emra.

04/03/2026 14:31- “Është çështje orësh” - Kurti flet për çështjen e presidentit para mbledhjes së LVV-së në Kuvend

Kryeministri Albin Kurti ka arritur në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ku do të zhvillohet mbledhja e Grupit Parlamentar të LVV-së.

Kjo mbledhje vjen në kohën kur çështja e zgjedhjes së presidentit të ri ka hyrë në orët vendimtare.

I pyetur nga gazetarët, Kurti tha se “jam kureshtar edhe unë aq sa ju”.

Lajmi i plotë KËTU.

04/03/2026 13:34- Çështja e presidentit, grupi parlamentar i LVV-së dhe ai i PDK-mblidhen sot

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ai i Partisë Demokratike të Kosovës pritet të mblidhen sot për çështjen e presidentit të Kosovës.

Siç merr vesh Telegrafi, Grupi parlamentar i LVV-së do të mblidhen në orën 13:30, ndërsa ai i PDK-së në orën 14:00 në Kuvendin e Kosovës.

Lajmi i plotë KËTU.

04/03/2026 10:28- Zgjedhja e presidentit, Kurti pritet të takohet sërish me Hamzën e Abdixhikun

Në prag të seancës për zgjedhjen e presidentit, kryeministri Albin Kurti pritet të zhvillojë edhe sot takime të reja me liderët opozitarë, në përpjekje për të arritur një marrëveshje politike.

Telegrafi ka mësuar nga burime se para se të zhvillohet seanca e Kuvendit për këtë çështje, Kurti pritet të takojë sërish kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar mundësitë e arritjes së një konsensusi politik.

Ndryshe në media është raportuar se seanca për zgjedhjen e presidentit mund të ftohet sot gjatë ditës ose në mbrëmje.

Lajmi i plotë KËTU.

04/03/2026 07:45- A do të kemi sot marrëveshje për presidentin?

Kanë mbetur më pak 48 orë kohë për zgjedhjen e presidentit të vendit, ndërkaq ende nuk ka një marrëveshje ndërmjet partive politike për këtë çështje.

Të martën lideri i LVV-së, Albin Kurti u takua me liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku por nuk pati diçka konkrete nga ai takim.

Kurti pas takimit dhe se atmosfera ishte konstruktive, por që ende nuk ka zgjidhje.

Ndërkaq, pas takimit Kurti-Abdixhiku, deputetët e LDK-së mbajtën një takim në parti.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa pas mbledhjes së Grupit parlamentar të LDK-së tha se LDK nuk ka numra që ta propozojë ndonjë kandidat, por ka vullnet për të gjetur zgjidhje.

Sipas tij, LDK ka dy alternativa.

“E para është një konsensus i gjerë politik, pra një kandidat që vjen si pajtueshmëri nga të gjitha partitë politike; dhe e dyta është një marrëveshje politike klasike mes dy partive, në këtë rast pushtetit dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Natyrisht, më lejoni të cek këtu që pushteti i ka 66 ulëse në Kuvend, pra ka 66 deputetë, 66 vota dhe në asnjë format kjo gjë nuk bëhet pa ta”, është shprehur Mustafa.

03/03/2026 23:25- Haradinaj: Deputetë të LVV-së më kanë premtuar votën për president, çudi pse Kurti s’e propozoi Osmanin

Ish- kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se një numër “i respektuar, jo i vogël” i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (VV) i kanë premtuar votën në rast se ai do të ishte kandidat për president të vendit.

Në një intervistë në emisionin Pressing, Haradinaj tha se këto premtime i janë dhënë drejtpërdrejt, madje edhe në prani të kolegëve të deputetëve.

Haradinaj foli edhe për çështjen e kandidaturës për president, duke thënë se i duket politikisht e habitshme që kryeministri Albin Kurti nuk e ka propozuar Vjosa Osmani për një mandat tjetër.

Lajmi i plotë KËTU.

03/03/2026 23:24- Dërguti: PDK ka kërkuar të propozojë dy emra për president, mes tyre edhe djalin e Adem Demaçit

Balton Dërguti nga Iniciativa “Ne Mundemi” ka deklaruar në “Debat Plus” se PDK ka kërkuar të propozojë dy emra për president, mes tyre edhe Shqiptar Demaçi.

Sipas tij, në seancën e radhës do të tentohet sigurimi i nënshkrimeve për kandidaturën e Demaçit, një lëvizje që mund ta vendosë Vetëvendosjen në pozitë të vështirë nëse nuk e mbështet atë.

“Është tentuar fillimisht me PDK të arrihet marrëveshje. Ku kam informacion që PDK-ja ka kërkuar t’i propozojë dy emra. Edhe njëri nga ta që është diskutuar është Shqiptar Demaçi".

Lajmi i plotë KËTU.

03/03/2026 23:23- Ish-deputeti i LVV-së: Nuk ka matematikë që e rizgjedh Osmanin presidente

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nasuf Bejta, ka deklaruar se aktualisht nuk ekziston “matematikë” që do ta mundësonte zgjedhjen e Vjosa Osmani për një mandat të dytë në krye të shtetit.

Në Debat Plus në TV Dukagjini, Bejta tha se kryeministri Albin Kurti është “njohës i shkëlqyeshëm i matematikës politike”, por sipas tij, numrat në Kuvend nuk janë në favor të zgjedhjes së Osmanit.

“Albin Kurti është njohës i shkëlqyeshëm i matematikës politike. Nuk ka matematikë për momentin që e zgjedh Vjosa Osmanin presidente të shtetit. Nuk ka. E ka thënë shumë qartë. Dy është për një është pak. Me mungu ose mos me votu. Unë konsideroj që Albin ka llogaritur shumë bukur".

Lajmi i plotë KËTU.

03/03/2026 16:06- Ymeri thotë se Kurti po bënë shantazh politik për çështjen e presidentit: Konjufca nuk duhet ta marrë postin

Deputetja Janina Ymeri ka reaguar fuqishëm ndaj mënyrës së kryeministrit Albin Kurti për zgjedhjen e presidentit në Kosovë, duke e cilësuar atë si një kushtëzim që përdoret përmes shantazhit dhe kërcënimit politik.

“Shumë gjëra në Kosovë janë kushtëzu me shantazh, me kërcënim, këtë e dëgjojmë edhe jashtë sallave të gjykatave, po tash Kosova ka arrit në atë nivel që Kryeministri përdor këtë metodë edhe për zgjedhje të Presidentit,” ka thënë Ymeri.

Ajo shtoi se kjo mënyrë e vendosjes së kushteve për kandidatin partiak në zgjedhje është e papranueshme dhe dëmton rëndë demokracinë në vend.

Lajmi i plotë KËTU.

03/03/2026 14:24- LDK kundër zgjedhjeve të reja, ofron dy opsione për zgjedhjen e presidentit

Në prag të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, Lidhja Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se nuk e sheh të nevojshme shkuarjen në zgjedhje të reja dhe është e gatshme të kontribuojë për një zgjidhje politike.

Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, zëdhënësi i partisë, Besian Mustafa, tha se qëndrimi i përbashkët i 15 deputetëve të pranishëm është që zgjedhjet në këtë fazë janë të panevojshme dhe të shmangshme.

Ai theksoi se LDK është e gatshme të kontribuojë për zgjedhjen e presidentit në dy drejtime.

“LDK jemi të gatshëm të kontribuojmë për zgjedhjen e presidentit në dy drejtime: e para, një konsensus i gjerë politik me një kandidat që vjen si pajtueshmëri nga të gjitha partitë politike dhe e dyta, një marrëveshje politike klasike në këtë rast mes LVV-së dhe LDK-së”, u shpreh ai.

Lajmi i plotë KËTU.

03/03/2026 13:34- A do ta votonin Vjosa Osmanin për presidente? Deklarohen deputetë të LDK-së

Deputetët e Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) janë mbledhur në selinë e partisë për të diskutuar çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Ky takim vjen një orë pas përfundimit të takimit të tretë të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, me kryeministrin dhe njëherësh kryetarin e Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti.

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, tha se do të respektojë çdo vendim që merr kryesia e LDK-së për çështjen e presidentit, përfshirë edhe mundësinë për ta votuar për një mandat të dytë Vjosa Osmanin.

Lajmi i plotë KËTU.

03/03/2026 12:44- Kriza për presidentin, Koci: Rrezikohet kaos kushtetues dhe zgjedhje të reja

Mundësia për arritjen e konsensusit për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së vendit mbetet shumë e vogël, ndërsa skenari i zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe përfshirja e Gjykatës Kushtetuese po bëhen gjithnjë e më të mundshme.

Kështu ka vlerërsuar politologu Melazim Koci në një prononcim për Telegrafin. Koci ka theksuar se aktualisht ekzistojnë vetëm dy opsione teorike, por që sipas tij asnjëri nuk duket i realizueshëm.

“Mundësia e arritjes së konsensusit për presidentin/presidenten është shumë e vogël. Kanë mbetur dy mundësi: konsensus i gjerë i VV dhe opozitës për një emër të përbashkët ose një marrëveshje ndërmjet VV dhe PDK. As njëra as tjetra nuk shihen në horizont. Madje aktualisht nuk ka as përpjekje reale për të gjetur konsensus, përtej deklarimeve formale politike”, ka deklaruar Koci.

Lajmi i plotë KËTU.

03/03/2026 12:05- Pas takimit Kurti-Abdixhiku, mblidhet LDK-ja

Lidhja Demokratike e Kosovës është mbledhur sot, pas takimit të kreut të kësaj partie Lumir Abdixhiku me kryeministrin Albin Kurti lidhur me çështjen e presidentit.

Pas konsultimeve me Abdixhikun, Kurti tha takimi ka shkruar në frymë konstruktive, por ende nuk kanë zgjidhje.

“Takimi shkojë në atmosferë konstruktive, mirëpo kur ka diçka të re do të ju njoftojmë. Ende nuk i kemi zgjidhjet mirëpo do të ju njoftojmë së shpejti”, tha Kurti.

03/03/2026 11:50- Kurti pas konsultimeve me Abdixhikun: Takimi shkoi në atmosferë konstruktive, por ende nuk i kemi zgjidhjet

Pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se takimi ka qenë ne atmosferë konstruktive.

Ai po ashtu tha se nuk ka diçka të re nga ky takim që do të mund ta potencote.

“Takimi shkojë në atmosferë konstruktive, mirëpo kur ka diçka të re do të ju njoftojmë. Ende nuk i kemi zgjidhjet mirëpo do të ju njoftojmë së shpejti”, tha Kurti.

Lajmi i plotë KËTU.

03/03/2026 10:24- Kurti vazhdon konsultimet për presidentin, takohet me Abdixhikun në Kuvend

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, edhe sot po zhvillon takim me kryetarin e Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.

Takimi po mbahet në ambientet e Kuvendi i Kosovës, ku në fokus të diskutimeve pritet të jetë çështja e presidentit dhe hapat e mëtejmë në këtë proces institucional.

Ndërkaq, siç merr vesh Telegrafi, kryeministri Kurti është takuar mbrëmë edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, për të diskutuar rreth çështjes së presidentit.

Lajmi i plotë KËTU.

03/03/2026 09:53- Abrashi: PDK po dëshmon mungesë parimesh në çështjen e zgjedhjes së Presidentit

Deputeti i Artan Abrashi nga Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj qëndrimeve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) lidhur me mundësinë e zgjedhjes së presidentit të vendit.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Abrashi ka akuzuar PDK-në për mungesë parimesh dhe për qasje destruktive në raport me institucionet shtetërore.

“Vjet PDK për kryetar Kuvendi thojke, ju mundeni me propozu, por për me zgjedh duhet me i pas 61, e Lëvizja atëherë i kish veç 56. Tash për President ku nevojiten 80, PDK po thotë ne edhe propozojmë, por ju duhet edhe me naj votu, me veç 22 vota. Kjo kallzon që nuk keni parime edhe interesin e vetëm e keni destruktivitetin, ama zero shtetin”, ka shkruar Abrashi.

Lajmi i plotë KËTU.

02/03/2026 19:02- Bajrami kritikon Kurtin: Dy herë takime me Hamzën e Abdixhikun pa ofruar asnjë emër për president

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ai është takuar dy herë me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, pa ofruar asnjë propozim konkret apo emër për president.

Sipas Bajramit, këto takime kanë shërbyer vetëm për të konfirmuar se partitë nuk përkrahin kandidatë partiakë, ndërsa përgjegjësia kryesore për sigurimin e votave bie mbi Lëvizja Vetëvendosje, e cila së bashku me minoritetet ka 66 deputetë në Kuvend.

Ajo ka thënë se LVV ka pasur dy mundësi për të siguruar zgjedhjen e presidentit: duke përfshirë një parti politike në qeveri për të garantuar votat, ose duke propozuar një kandidat apartiak.

Lajmi i plotë KËTU.

02/03/2026 18:38- Tahiri: 48 orë para seancës, fituesi i zgjedhjeve ende nuk ka emër, e as propozim konkret për president

Deputeti i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar lidhur me situatën politike para votimit për president, duke thënë se vetëm 48 orë para seancës, fituesi i zgjedhjeve ende nuk ka as emër, as propozim konkret për kandidatin.

Tahiri ka kritikuar takimet mes partive, duke i cilësuar ato si “konsum publik” dhe deklaratat për konstruktivitet si “fasadë”.

“Edhe 48 orë kanë mbetur deri te votimi i presidentit, ndërsa fituesi i zgjedhjeve ende nuk ka as emër e as propozim konkret. Takimet duken më shumë për konsum publik, fjalët për ‘konstruktivitet’ janë vetëm fasadë, sepse këtu veç konstruktivitet nuk ka,” ka shkruar ai.

Lajmi i plotë KËTU.

02/03/2026 18:07- Kurti pas takimit me Abdixhikun: Prioritet t’i evitojmë zgjedhjet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se prioriteti kryesor politik në këtë moment është shmangia e zgjedhjeve të parakohshme, duke theksuar se ekzistojnë mundësi reale për t’i evituar ato.

Pas takimit me kryetarin e Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ai tha se atmosfera me opozitën “kurrë s’ka qenë më konstruktive” dhe se në dy ditët e ardhshme do të intensifikohen diskutimet për të gjetur një zgjidhje.

“Kushtetuta na obligon t’i evitojmë zgjedhjet. Duhet të angazhohemi maksimalisht që të mos shkojmë në zgjedhje. Kushtet janë ideale për t’i pasur tre kandidatë, e aktualisht s’kemi asnjë”, deklaroi ai, duke shtuar se komunikimi me subjektet politike do të vazhdojë.

Lajmi i plotë KËTU.

02/03/2026 15:13- Garë për presidentin? Abdixhiku: Nëse LVV dhe PDK insistojnë, shkojmë në zgjedhje

Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti për çështjen e zgjedhjes së presidentit, kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se LDK-ja nuk preferon të ketë garë për postin e presidentit, për shkak se do të dështonte dhe se është e vështirë të sigurohen 81 vota në Kuvend.

“Për garë, LDK nuk beson që ka zgjidhje, pasi kjo është procedurë e paracaktuar për të dështuar. Nëse LVV dhe PDK vendosin për garë, atëherë shkojmë në zgjedhje sipas gjasave, sepse nuk dihet sesi do të arrihen 81 vota,” tha Abdixhiku.

Lajmi i plotë KËTU.

02/03/2026 14:26- Kurti para takimit me Abdixhikun: Gjithçka për presidentin merret vesh për pak ditë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se po vazhdojnë përpjekjet për të përmbyllur me sukses sfidën e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar nevojën për një kandidat që siguron 80 vota në Kuvend.

“Po i vazhdojmë përpjekjet për të përmbyllur me sukses edhe sfidën e zgjedhjes së presidentit. Na duhet kandidati apo kandidatja që siguron 80 vota në sallë. Pas takimit me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, po takohemi edhe me kryetarin e LDK-së. Gjithçka do të merret vesh, brendapak ditësh” tha Kurti.

Lajmi i plotë KËTU.

02/03/2026 14:13- Nis takimi Kurti–Abdixhiku në Kuvend, në fokus çështja e presidentit

Ka nisur takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Në takim do të diskutohet për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Për zgjedhjen e presidentit nevojiten 80 vota në raundet e para të votimit, çka e bën të domosdoshëm një konsensus më të gjerë politik.

Ky takim vjen në kuadër të përpjekjeve për të tejkaluar situatën aktuale politike dhe për të siguruar votat e nevojshme para afatit kushtetues.

Ende nuk dihet nëse nga ky takim do të dalë një emër konkret apo një dakordim për hapat e mëtejmë në procesin e zgjedhjes së presidentit.

02/03/2026 13:23- Zgjedhja e presidentit, Haxhiu: Partitë të heqin dorë nga qëndrimet bllokuese

Pa u zyrtarizuar kandidatët për president nuk mund të thirret seanca për zgjedhjen e të parit të vendit, tha kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Derisa kanë mbetur edhe dy ditë afat për zgjedhjen e presidentit, Haxhiu tha se deri tani nuk ka asnjë kandidat me tridhjetë nënshkrime të deputetëve, raporton KosovaPress.

Ajo, derisa u pyet se a do ta mbështesin Vjosa Osmanin për një mandat të dytë, tha se në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së një ditë më parë ka pasur diskutime për presidentin, por nuk janë përmendur emra.

Lajmi i plotë KËTU.

02/03/2026 13:01- Kërkohen 80 vota, Kurti sot takohet me Abdixhikun për çështjen e presidentit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet sot me kryetarin e Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Ende nuk janë bërë të ditura ora dhe vendi i takimit. Takimet e fundit të Kurtit me liderët e partive parlamentare janë zhvilluar në ambientet e Kuvendi i Kosovës.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti ka deklaruar se për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion për zgjedhjen e presidentit, ka nisur menjëherë angazhimet për tejkalimin e situatës, duke filluar takimet me subjektet politike parlamentare.

Lajmi i plotë KËTU.

02/03/2026 12:59- Presidenti i ri, Kurti: Murat Jashari do të ishte zgjidhja e duhur në momentin e duhur

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka folur për procesin e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se kjo mbetet çështja e fundit për t’u përmbyllur pas formimit të qeverisë.

Kurti deklaroi se për të qeverisur “mirë dhe mbarë”, vendit i ka mbetur edhe zgjedhja e presidentit, proces i cili kërkon së paku 80 vota në Kuvend.

Kurti theksoi se një figurë e tillë do të mund të vinte nga familja Jashari, duke përmendur emrin e Murat Jashari si kandidat potencial.

“Bindja ime ka qenë dhe vazhdon të mbetet se një figurë si Murat Jashari do të gëzonte mbështetje partiake, nder për republikën dhe siguri për kombin. Rrethanat gjeopolitike kërkojnë një moment reflektimi dhe një figurë që i bën ballë shtërngatave të tilla. Edhe sot zgjedhja e një figure si Murat Jashari do të ishte zgjedhja e duhur në momentin e duhur”, deklaroi Kurti.

Lajmi i plotë KËTU.