LAJMI I FUNDIT:

Allegri: Fitoja na dërgon drejt titullit

Allegri: Fitoja na dërgon drejt titullit

Milan-Juventus është gjithmonë Milan-Juventus, pavarësisht pozicionit që kanë të dyja skuadrat në renditje.

Këtë të shtunë në San Siro kuqezinjtë dhe bardhezinjtë do të përballen sërish në një sfidë shumë të rëndësishme për ecurinë e të dyja këtyre ekipeve në këtë sezon të Serisë A, italiane.


Massimiliano Allegri do të rikthehet në stadiumin ku u bë i njohur si trajner me objektivin për të thelluar krizën e Milanit, edhe pse trajneri livornez e di që Juventusin e tij nuk e pret një ndeshje e thjeshtë.

“Do të kthehem në një stadium ku jam ndierë shumë mirë për vite me radhë. Gjithsesi në dy sezonet e fundit jam ndierë gjithashtu shumë mirë edhe në Torino”.

“Dua të fitoj kampionatin e dytë radhazi me bardhezinjtë sepse pavarësisht se çfarë thuhet nuk kemi fituar ende asgjë”.

“Duhet të ruajmë përqendrimin. Ndeshja ndaj Milanit është shumë e rëndësishme për ne, ndërsa pas kësaj sfide mbeten edhe 6 takime të tjera për tu luajtur. Duhet të bëjmë një paraqitje të shkëlqyer. Milani lufton për një vend në Ligën e Evropës, kurse ne duhet të mendojmë që nga kjo ndeshje mund të varet një pjesë e mirë e sezonit”, ka thënë Allgeri.

Juventus dhe Milan do të takohen edhe në finale të Kupës së Italisë. /Telegrafi/