Koalicionet parazgjedhore të frytshme: Guxo me katër deputetë, Vjosa Osmani vet e treta në Kuvend


Derisa po vazhdon procesi i numërimit të votave nga diaspora, pjesa më e madhe e përbërjes së Kuvendit të Kosovës tashmë duket e qartë.
Rezultatet e deritanishme tregojnë se koalicionet dhe iniciativat parazgjedhore kanë prodhuar rezultate konkrete, duke siguruar përfaqësim për subjektet dhe figurat që garuan në lista të përbashkëta.
Në grupin më të madh parlamentar që pritet të dalë nga këto zgjedhje, atë të Lëvizjes Vetëvendosje, do të ketë një përbërje të larmishme deputetësh. Nga koalicioni LVV-Guxo, partia Guxo ka arritur të sigurojë katër mandate në Kuvend.
Përveç bashkëkryetares Donika Gërvalla, Guxo do të përfaqësohet në Kuvend edhe nga Nezir Kraki, Blerim Gashi dhe Valon Peci.
Në kuadër të koalicionit me LVV-në, mandatin e deputetes e ka siguruar edhe Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa.
Ndërkaq, edhe presidentja Vjosa Osmani dhe ekipi i saj, që iu bashkuan listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë arritur të sigurojnë tre mandate deputetësh.
Sipas rezultateve aktuale, përveç Osmanit, në Kuvend pritet të jenë edhe Albena Reshitaj dhe Jeta Statovci.
Numërimi i votave nga diaspora ende nuk ka përfunduar, por rezultatet e deritanishme tregojnë se koalicionet parazgjedhore kanë qenë një faktor i rëndësishëm në sigurimin e përfaqësimit parlamentar./Telegrafi/





































