“Për pushtetin në Beograd shërbimi sekret rus është autoritet suprem” - thotë Veran Matiq, aktivist për të drejtat e njeriut në Beograd

Në një intervistë për “Novosti”, një e përjavshme e bashkësisë serbe në Kroaci, aktivisti për të drejtat e njeriut dhe themeluesi i Radios B92, Veran Matiq ka folur mbi gjendjen aktuale në Serbi dhe sidomos rolin katastrofal të presidentit Aleksandar Vuçiq.
Veran Matiq, i cili sulmohet nga mediat e regjimit si tradhtar, tha se Aleksandar Vuçiq manipulon vazhdimisht me situatën dhe dëshiron t’i shtyjë zgjedhjet sa më larg të jetë e mundur.
“Sikur hulumtimet e regjimit të ishin të sakta dhe të favorshme për të, ai do të kishte dalë me kohë në zgjedhje. Nëse nuk do të jetë i detyruar, nuk do t'i shpallë ato përpara se të përfundojë (ekspozita botërore) Expo, sepse akterët relevantë e përmendin këtë projekt si një nga aktivitetet më të mëdha korruptive të kësaj pushteti”, tha Matiq.
Sipas tij, problemi i veçantë për Vuçiqin janë zgjedhjet presidenciale, sepse partia e tij SNS nuk ka një kandidat adekuat që mund ta trashëgojë atë.
“Në historinë e Serbisë, ndryshimet e pushtetit kanë ndodhur gjithmonë duke humbur regjimi së pari nivelin presidencial, gjë që më pas tërhiqte edhe atë parlamentar. Kështu ra Slobodan Millosheviqi, dhe kështu Tomisllav Nikoliqi mposhti Boris Tadiqin. Taktika e Vuçiqit është e qartë: licitimi me data, lodhja e elektoratit, dobësimi i revoltës studentore dhe gatishmëria absolute për dhunë shumë më të madhe se kjo e tanishmja, e cila tashmë është agresive”, deklaroi tutje ai.
Matiq u shpreh skeptik mbi rolin e opozitës sebre. Ai tha se opozita funksionon në të njëjtën mënyrë si pushteti, gjithçka reduktohet te individët, me ç'rast është humbur substanca. Problemi është i natyrës ideore, nuk ka aty ndarje klasike në të majtë dhe të djathtë; ato kategori në Serbi sot pothuajse nuk ekzistojnë.
“Partia Demokratike, e cila dikur me profesorë të respektuar dhe me një infrastrukturë të respektuar përfaqësonte Serbinë e matur, sot në terren thuajse nuk ekziston fare”, shtoi Matiq.
Opozita e redukton politikën te Beogradi dhe te veprimi brenda kornizave parlamentare që regjimi i ka lejuar nga mëshira, shtoi Matiq.
“E dimë rregullin: për të fituar zgjedhjet duhet përvetësuar Serbia rurale dhe duhet t'i tregohet shtresës më të paarsimuar se do të jetojë më mirë se nën Vuçiqin. Humbja në zgjedhje e të fuqishmit Viktor Orban e tronditi Vuçiqin, sepse triumfi i Peter Magyarit tregoi më së miri gjithçka që opozita në Serbi - nuk po bën”, potencoi aktivisti për të drejtat e njeriut dhe themeluesi i Radios B92.
Sipas Matiq, Magyar e arriti suksesin sepse për dy vjet me radhë vizitoi pa ndërprerë çdo vendbanim të shtetit, duke kaluar më shumë kohë në terren sesa në Budapest.
“Nëse dëshirohet të jesh i dyti apo i treti përgjithmonë, atëherë politika e salloneve të Beogradit është krejtësisht në rregull. Vuçiqi luan me mjeshtëri me atë kartë, duke e mbajtur bazën mes shtresave më të varfra dhe të mesme që varen drejtpërdrejt nga shteti, si 900’000 pensionistët mbi të cilët ka zhvilluar një rrjet brutal shantazhesh”, bëri të ditur Matiq.
Matiq tregoi se politika e Bashkimit Europian ka ndryshuar dhe nuk i ka më prioritet të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.
“Të drejtat e njeriut dhe shteti i së drejtës kanë pushuar së qeni primare, sepse ato pyetje nuk janë më të rëndësishme as për liderët në Bruksel. Komisioni Evropian në raportet zyrtare konstaton se Serbia është vend jodemokratik, i dhunshëm, me brutalitet policor dhe pa reagim të prokurorisë, ndërsa në të njëjtën kohë po atë shtet e trajtojnë publikisht si një partner të qëndrueshëm dhe të dëshirueshëm”, tha Matiq.
Ai nënvizoi se paraqitja e Vuçiqit në paradën ushtarake të Parisit - ku u shfaq si lideri i vetëm i një vendi jashtë NATO-s dhe BE-së - shërben ekskluzivisht për të ushqyer egon e tij dhe për propagandë të brendshme, gjë që mediat e regjimit e paraqesin si sukses historike.
Matiq është i bindur se “pas kësaj fasade të politikës së jashtme fshihet një korrupsion i zhveshur. Komunikimi i Perëndimit me Serbinë bazohet kryesisht në interesa partikulare: Macroni i shet Serbisë aeroplanët luftarakë Rafale, ndërsa Vuçiqi mburret me triumf, duke aktivizuar edhe narrativat e tij luftënxitëse”.
Formula e këtij bashkëpunimi, sipas Matiq, është e thjeshtë: "Do të blej çfarëdo që mund të me shitni, më jepni kredi, do të jem borxhliu dhe shërbëtori juaj, vetëm më lini në pushtet“.
Matiq kritikoi edhe qasjen e Serbisë ndaj të kaluarës: “Bota nuk dëshiron që kriminelët e luftës thjesht të dorëzohen mekanikisht në Hagë; ajo dëshiron që ne si shoqëri të përballemi me të kaluarën e keqe. Kur u dorëzua Slobodan Milosheviqi, pushteti i atëhershëm tha: ‘Ai nuk është më problemi ynë, por i Holandës’. Ne u besojmë shumë më tepër miteve rrethanore sesa fakteve të zhveshura”.
Matiq tha se në Serbi është e rrënjosur thellë bindja se jemi një popull i pagabueshëm, "hyjnor“, me teori të vazhdueshme konspirative se e gjithë bota është kundër nesh, kurse ne nuk jemi kurrë fajtorë.
“Për një pjesë të madhe të opinionit publik Millosheviqi vdiq si martir, ndërsa kriminelët e dënuar u bënë sërish qytetarë të nderuar, heronj që luftuan kundër një bote të padrejtë, gjë që as nuk përbën çudi sepse me vend sundojnë të njëjtit njerëz si në vitet e nëntëdhjeta”, deklaroi ai.
Në Serbi, tha Matiq, në vitin 2014 u miratuan ligje pro-evropiane për mediat, “kur ishim në vendin e mirë, të 54-ët në listën e Raporterëve Pa Kufij; sapo ndryshoi politika zyrtare, ashtu edhe Serbia ra në vendin e 104-ët katastrofal. Serbia ndjek një politikë të konfrontimit të vazhdueshëm, e jo të ndërtimit të urave. Është e pamundur të ecet përpara nëse nga fqinjët prodhoni me ngulm armiq dhe nëse grindeni me Kroacinë, e cila është tashmë anëtare e Bashkimit Evropian”.
Duke analizuar raportet me Rusinë, Matiq tha se “regjimi mbështetet fuqishëm në sentimentin pro-rus dhe në mitin për rusët si ‘vëllezër historikë’, e në thelb bëhet fjalë për një depërtim të thellë propagandistik dhe ekonomik. Rusia, përmes monopolit energjetik, është e involvuar në çdo pore të shoqërisë. Për pushtetin në Beograd, Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) është autoriteti suprem”.
Sipas Matiq, në të njëjtën kohë, Vuçiq ia ka dorëzuar Kinës të gjithë Serbinë lindore.
“Ai rajon sot është praktikisht nën administratën kineze deri në atë masë sa autoritetet vendase nuk mund të kryejnë as funksione elementare shtetërore atje, përderisa i gjithë territori ndodhet nën një goditje të tmerrshme ekologjike që rrezikon drejtpërdrejt jetën e njerëzve”, bëri të ditur ai.
Sipas bindjes së Matiqit, Vuçiqi e ka shitur Serbinë për të blerë mbijetesën e vet, duke korruptuar me radhë Kinën, Rusinë dhe Francën. Sepse procesi i integrimeve evropiane të Serbisë është shndërruar në një farsë dhe një poligon për tregti të ndërsjellë.
Sipas Matiq, ngjashëm si me Rusinë, Kinën dhe Francën - Vuçiq tentoi të sillet edhe me qeverinë amerikane.
“Me administratën e Trumpit u përpoq të bëjë një marrëveshje në mënyrën më primitive - duke dhuruar hapësirën e Shtabit të Përgjithshëm të rrënuar në Beograd për ndërtimin e një hoteli luksoz. Ky është një cinizëm suprem dhe një ironi historike që tregon se për këtë regjim asgjë nuk është e shenjtë”, ka thënë ai.
Matiq akuzoi Beogradin për qasje të gabuar ndaj serbëve në rajon.
“Nuk ekziston vetëkritika. Beogradi zyrtar është larguar dramatikisht nga institucionet zyrtare të serbëve në Kroaci, të cilëve nuk u ofrohet mbështetje e sinqertë, por kërkohet lojalitet absolut, e në shkëmbim nuk jepet asgjë. Kushdo që refuzon bindjen sulmohet, gjë që në kohën e tronditjeve rajonale shihet qartë përmes asaj që regjimi e imponon si model të dëshirueshëm sjelljeje. I dëshirueshëm është Milorad Dodiku, i cili funksionon si një element shkatërrues dhe i cili me të drejtë ishte nën sanksionet e SHBA-së. Modeli i dëshirueshëm është edhe Millan Knezheviqi në Malin e Zi, si dhe Lista Serbe në Kosovë. E gjithë kjo është lojalitet ndaj Aleksandar Vuçiqit, me interesat e tij personale dhe qëndrimet e tij, gjë që nuk ka asnjë lidhje me interesat e vërteta të popullit serb në rajon. Të gjithë këta njerëz dhe fatet e tyre sakifikohen me vetëdije për shkak të politikës së një njeriu, ambicia e vetme e të cilit është të menaxhojë krizat dhe të manipulojë me to në nivel ndërkombëtar, ku paraqitet si i vetmi që mund ta qetësojë atë kaos”, përfundoi aktivisti për të drejtat e njeriut dhe themeluesi i Radios B92. /Telegrafi/









































