Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave lidhur me zjarrin që përfshiu diskotekën “Gate Club” në zonën industriale Prishtinë–Fushë Kosovë, më 14 shkurt 2025.

Sipas Prokurorisë, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ndaj të pandehurve SH.T. dhe F.S. është ngritur aktakuzë për veprën penale “Zjarrvënia”, ndërsa ndaj B.H., I.M. dhe RR.A. për veprën penale “Shtytje nga zjarrvënia”.


Ndaj F.S. rëndon edhe dyshimi për veprën penale “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”.

Sipas aktakuzës, më 14 shkurt 2025, rreth orës 04:53, në rrugën “Epiri”, në zonën industriale Prishtinë–Fushë Kosovë, SH.T. dhe F.S., në bashkëkryerje dhe pas shtytjes nga RR.A., dyshohet se i kanë vënë zjarrin objektit të diskotekës “Gate Club”.

Prokuroria pretendon se për kryerjen e veprës është ofruar një shpërblim prej 3 mijë eurosh.

Si pasojë e zjarrit, sipas aktakuzës, të dëmtuarve u është shkaktuar dëm material në vlerë prej 969 mijë e 435 eurosh.

Në aktakuzë përfshihet edhe një rast tjetër, që lidhet me periudhën nga shtatori deri më 16 nëntor 2025, në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.

Sipas Prokurorisë, B.H. dhe I.M., në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se kanë shtyrë një person ende të paidentifikuar që të kryejë një vepër penale kundër pasurisë së të dëmtuarit S.S.

Sipas aktakuzës, motivi dyshohet të ketë qenë hakmarrja, pasi të pandehurit konsideronin se F.S. dhe SH.T. ishin arrestuar si rezultat i veprimeve të S.S.

Personi i shtyrë dyshohet se më pas i ka vënë zjarrin automjetit “Range Rover” të S.S., duke shkaktuar dëm material në vlerë prej 54 mijë e 892.72 eurosh.

Me rastin e ngritjes së aktakuzës, prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit SH.T., F.S., B.H., I.M. dhe RR.A. të shpallen fajtorë për veprat penale që u vihen në barrë dhe të dënohen sipas legjislacionit në fuqi.

Të pandehurit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata. /Telegrafi/