Aktorja Xhejlane Tërbunja 'shpërthen' me kritika: Shumë prej televizioneve tona do i mbyllja, nuk ka profesionalizëm

Aktorja Xhejlane Tërbunja, e cila njëherësh është edhe autore e emisionit të humorit “Veç Kesh”, së fundmi ka qenë e ftuar në emisionin “Shok Podcast” me Fis Junikun, ku ka folur hapur për rrugëtimin e saj në aktrim dhe përvojën në televizion.
Gjatë bisedës, Tërbunja rrëfeu detaje nga karriera e saj, por theksi më i fortë i intervistës ishte kritika e drejtpërdrejtë ndaj televizoneve në Kosovë. Ajo u shpreh se ka mbetur e zhgënjyer nga mënyra se si funksionojnë shumë media, duke thënë se, sipas saj, mungon profesionalizmi dhe se disa televizione madje “do të duhej të mbylleshin”.
“Do pritja të bëja një gjë të tillë sepse në televizionet tona nuk ka profesionalizëm. Kjo është një kritikë mese serioze. Në televizionet tona nuk e marrin seriozisht emisionin”, u shpreh ajo, duke shtuar se moderatorët shpesh “hiqen shumë”, jo domosdoshmërisht për fajin e tyre, por sepse nuk kanë kushtet e duhura për të realizuar një intervistë si duhet.
@shokpodcast Aktorja Xhejlane Terbunja me kritika per TV Kosovare ! Full episode @FOLÉ PUBLISHING on Youtube Now . #fyp #fy #viral #trendingvideo #foru ♬ original sound - ShokPodcast
Sipas saj, prapa moderatorit duhet të qëndrojë një ekip i tërë që merret me çdo detaj të produksionit, ndërsa roli i moderatorit duhet të jetë vetëm para kamerës. “Moderatori duhet të jetë para kamerës vetëm për të bërë dritë. Jo ti si moderator të mendosh a ka me ardh mysafiri, çfarë të veshësh, a është prishur ndriçimi…”, theksoi ajo, duke e quajtur këtë qasje jo profesionale dhe problem serioz për nivelin e televizionit.
Në vijim, Xhejlane Tërbunja shkoi edhe më tej me deklaratat e saj, duke thënë se, po të ishte në dorën e saj, do ta shkurtonte ndjeshëm numrin e televizioneve aktive në vend.
- YouTube youtu.be
“Për këtë arsye mendoj që do i mbyllja nja gjashtë televizione, do i mbaja nja tri a katër. Edhe ato do i forcoja, do kisha investuar para qysh duhet. Do i merrnja njerëzit më të mirë… e pastaj ti do kishe nivel”, tha aktorja, duke shtuar se “ka budallallëk pa fund” në emisione, si para ashtu edhe prapa kamerës.
Deklaratat e saj në “Shok Podcast” pritet të hapin diskutim, pasi Tërbunja solli një kritikë të fortë ndaj mënyrës se si ndërtohen emisionet dhe si menaxhohen ekipet mediatike në Kosovë, duke e vendosur theksin te nevoja për strukturë, investim dhe profesionalizëm real. /Telegrafi/





























































