Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, edhe zyrtarisht ka kaluar në partinë e Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje.

I pari i Mitrovicës ka mbajtur një fjalim para mbështetësve të Vetëvendosjes, duke u zotuar se do të punojë në të mirën e qytetarëve.

Bahtiri ka thënë se mungesën e mbështetjes nga Qeveria qendrore dhe ish – partia e tij për ta ruajtur çdo pëllëmbë të qytetit të cilin e drejton ai, e ka gjetur te Albin Kurti i cili sipas tij, është lideri që ia do të mirën Kosovës.

Ai ka theksuar se gjatë kohës kur kishte diskutime në Bruksel për fatin e Mitrovicës, lideri i VV-së sipas tij, iu kishte gjendur pranë, duke e ndihmuar dhe orientuar atë.

“Prej atëherë e dua me plot zemër dhe shpirt, sepse miku i mirë gjendet në ditët e vështira. Nuk ka pas ditë më të vështira, sepse diskutohej për ndarje të territorit të qytetit, e Albin Kurti më ka ndihmuar shumë. Andaj, duke ditur vlerat e Kurtit unë kam vendosur t’i bashkëngjitëm me krejt zemër e krejt forcë. Mendoj se është momenti i fundit t’i kthehemi njëherë e përgjithmonë njeriut që e ka dëshmuar veten, dhe t’i bashkojmë forcat me qitë Albin Kurtin si kryeministër i vendit”, ka thënë Bahtiri.

Kurti: Ardhja e Bahtirit në VV, na jep forcë Kurti: Ardhja e Bahtirit në VV, na jep forcë

Ai ka thënë se Albin Kurti do të jetë kryeministër i ardhshëm i vendit, dhe se sipas tij, ai çdo herë i ka pasur prognozat e sakta.

“Ngjarjet që do të na vijnë janë vendime të rënda, dhe aty mundet të preket territori i Kosovës, dhe kujt mund t’i besojmë ma fuqishëm se Albin Kurtit, besoni që askujt. Edhe diçka po ju them, nuk ka kush që e mund Agim Bahtirin në Mitrovicë, nuk ka shancë”, ka shtuar Bahtiri.

Kujtojmë se Bahtiri që për dy mandate qeverisur me qytetin e Mitrovicës, ishte pjesë e partisë së Behgjet Pacollit, AKR. /Telegrafi/