LAJMI I FUNDIT:

Eva, Pandora dhe Platoni: Si e formësoi miti grek, gruan e parë krishtere?

Eva, Pandora dhe Platoni: Si e formësoi miti grek, gruan e parë krishtere?

Nga: Katie Brown
Përktheu: Vesa Gashi

Më shumë se çdo tekst tjetër biblik, libri i Zanafillës ka pasur një ndikim fundamental në idetë tona rreth roleve gjinore në krishterimin perëndimor. Qëndrimet sociale rreth mënyrës se si burrat dhe gratë duhet të krijojnë relacione me njëri tjetrin kanë rrjedhur nga interpretimet e Zanafillës 2-3. Tregimi rreth dëbimit të Adamit dhe Evës nga kopshti i Edenit ka qenë një lente përmes së cilës janë filtruar vazhdimisht debatet mbi gjininë.

Pozicioni i nënshtruar i grave përgjatë historisë perëndimore mendohet që ka burimin në këto kapituj – të cilët kanë influencuar perspektivën mbi inferioritetin e grave, natyrën e krijimit të grave dhe ‘mallkimin’ e supozuar në Zanafillën 3:16.


Megjithatë, shumë nga këto ide negative rreth “gruas së parë” nuk kanë zanafillën në Bibël, por në mitologjinë dhe filozofinë greke. Idetë rreth Evës në Kopshtin e Edenit dhe doktrinat e ndërlidhura me “Rënien e njeriut” dhe “Mëkatin fillestar” janë influencuar nga traditat greke. Veçanërisht, nga filozofia platonike dhe nga tregimi mitologjik mbi Pandorën.

Interpretimet e hershme në Zanafillën 2-3

Dy shpjegimet rreth krijimit në Zanafillë, Zanafilla 1 dhe Zanafilla 2-3, përgjithësisht kuptohen si të ndara nga njëra-tjetra, të shkruara nga autorë të ndryshëm në kontekste të ndryshme. Në narrativën e parë të krijimit, Zoti krijon një burrë dhe një grua në të njëjtën kohë – që është interpretuar që të implikojë krijimin egalitarian të gruas dhe burrit. Narrativa e dytë e krijimit deklaron që Zoti krijoi Evën nga Adami, pasi që ky i fundit ishte i vetmuar.

Në dekadat e fundit, akademikët si Phyllis Trible kanë tentuar të riinterpretojnë narrativën e dytë nga një perspektivë feministe, duke argumentuar që edhe pse Eva është krijuar për dhe nga një burrë, ata u krijuan si të barabartë. Sipas këtij interpretimi, pabarazia mes sekseve hyri në ekuacion pas dëbimit të tyre nga Eden-i. Madje, ka shumë ide të gabuara edhe rreth kësaj pike. Eva nuk ka joshur Adamin që të mos i bindet Zotit dhe të ha nga Pema e Njohjes. Nuk përmendet as që Djalli merr formën e gjarprit, dhe as Adami e as Eva nuk mallkohen nga Zoti për mëkatin e tyre – mallkohen toka dhe gjarpri, por jo Adami dhe Eva. Nuk përmendet askund që Adami dhe Eva kanë “mëkatuar” dhe nuk përmendet “rënia e njeriut”. Këto ide u formuan dhe normalizuan shekuj më vonë.

Duke u bazuar në rëndësinë e kësaj historie në traditën krishtere, shumica do supozonin që ajo mbartë një influencë po kaq të madhe edhe në judaizmin antik. Por, kjo nuk është çështja. Eva nuk përmendet në Biblën hebreje pas Zanafillës 4; dhe vetëm nga fundi i Periudhës së Tempullit të Dytë, Adami dhe Eva fillojnë të shfaqen vazhdimisht në literaturën judaike.

Interpretuesit e kësaj periudhe nuk u morën me rolet dhe marrëdhëniet gjinore. Në këto tekste të hershme nuk përmendet as “mëkati” e as “rënia e njeriut”. Para Kishës së Hershme, ky tregim kuptohej etiologjikisht si një përrallë rreth parësisë së njeriut në raport me krijesat e tjera. Qëllimi i saj ishte të shpjegonte dhe justifikonte vështirësitë e jetës njerëzore, si puna fizike dhe lindja e fëmijëve dhe thelbi zakonisht vihej në rëndësinë e përvetësimit të njohurisë në tekst. Ngrënia e mollës nga Pema e Njohjes interpretohej pozitivisht.

Interpretimi konvencional i Zanafillës 2-3 si një tregim i thjeshtë, para-monarkik mbi origjinën hyjnore të njerëzimit dhe mbi mundimet e jetës njerëzore ndryshoi në mënyrë dramatike përgjatë zhvillimit te krishterimit të hershëm. Që nga shekulli i V-të, të krishterët perëndimorë kanë lexuar Zanafillën përmes lentes helenistike që ka deformuar mesazhin e tekstit origjinal. Shpjegimi hebraik i këtij teksti na mëson që njerëzit duhet të synojnë njohjen pavarësisht pasojave dhe për interpretuesit më të hershëm të tij, ky ishte një aspekt shumë esencial i Zanafillës 2-3. Kjo ide ishte po ashtu shumë influencuese në të gjitha shkollat filozofike helenistike. Dëshira për njohje dhe urti ishte e rëndësishme për të dy traditat dhe ky motiv i përbashkët mund të jetë një arsye që shpjegon mbështetjen e fuqishme të interpretuesve të Zanafillës 2-3 në idetë helene.

“Mëkati fillestar,” “Rënia e njeriut,” dhe filozofia greke

Një numër i Etërve të hershëm të Kishës bazuan doktrinat e tyre në konceptet filozofike helene. Mbi të gjitha, ata huazuan nga platonizmi – shumë studiues krishterë alternuan idetë e Platonit që t’i përshtateshin teologjisë krishtere. Teoria e Platonit mbi format është bazë e një sasie surprizuese të mendimit krishterë mbi natyrën e botës së vdekshme dhe mund të argumentohet që veprat e Platonit kanë pasur aq ndikim në ideologjitë e Etërve te Kishës sa edhe bibla hebraike.

Sa i takon Evës, Platoni është i rëndësishëm në dy mënyra. Intelektualët e krishterë morën disa nga teoritë më të rëndësishme të Platonit dhe i aplikuan ato në Zanafillë, në mënyrë që të ndërtonin dy doktrina të ndërlidhura: “Mëkatin fillestar” dhe “Rënien e njeriut”. Leximi krishterë i Zanafillës dhe tërë pikëpamja krishtere ngriten mbi këto ide.

Duke u mbështetur në idenë platonike që hyjnorja nuk ka asnjë përgjegjësi për të bëmat e këqija të njeriut, teologët krishterë zhvilluan konceptin e “Mëkatit fillestar”. Fillimisht njerëzit ishin krijuar me lirinë për të zgjedhur mes së mirës dhe së keqes, por për shkak të mëkatit të trashëguar, i gjithë njerëzimi tani është i shtyrë nga dëshira bazike drejtë kënaqësive materiale.

Bazuar në teorinë e Platonit mbi ndarjen trepjesëshe të shpirtit, Shën Agustini lexoi Zanafillën 2-3 në mënyrë alegorike, me burrin si pjesa racionale dhe gruan si pjesa irracionale e shpirtit. Sipas tij mëkati buron vetëm nga vullneti i lirë. Idetë e nxjerra nga platonizmi mbi shpirtin e pavdekshëm dhe deficitin e brendshëm njerëzor, u bënë fundament për doktrinën e “Mëkatit fillestar”. Njerëzimi lind me mëkat të trashëguar, por mund ta tejkalojë atë përmes mirësisë.

Edhe koncepti i “Rënies së njeriut” ka shumë të përbashkëta me teorinë e Platonit mbi rënien e qenieve hyjnore në tokë, dhe idenë e tij që njerëzimi u largua nga favori hyjnor, siç aludohet në Phaedrus. Intelektualët e krishterë adaptuan këto koncepte për të formuar idenë që pas dëbimit të tyre nga Eden-i, njerëzimi “ra” nga hiri; diçka për të cilën Eva përfundoi duke u fajësuar. Eva u interpretua si bartëse e përgjegjësisë për rënien e njerëzimit nga parajsa dhe gjendjen negative të botës. Rrjedhimisht, faji iu trashëgua të gjitha grave. Në mënyrë që të konkludohej se një grua ishte nxitëse e “rënies”, ose që të interpretohej Zanafilla 2-3 si një narrativë e “rënies”, etërit e krishterë u mbështetën në lexime selektive të shpjegimeve biblike dhe ky lexim u formësua në mënyrë të parevokueshme nga filozofia helenistike.

Edhe pse ai nuk ishte i vetmi që u qëndroi prapa këtyre doktrinave, Shën Agustini bartë përgjegjësinë kryesore për popullarizimin e tyre. “Mëkati fillestar” dhe “Rënia e njerëzimit” janë bërë sinonime të historisë së Adamit dhe Evës. Në këtë mënyrë, filozofia dhe mitologjia e Platonit ndihmoi në formësimin e kuptimësisë krishtere mbi fajin e gruas primordiale – dhe rrjedhimisht të gjitha grave.

Pandora dhe Eva – ngjashmëritë dhe dallimet

Pse u shpall vetëm Eva fajtore, dhe jo Adami? Kjo është një pyetje që shpesh huton historianët biblikë. Në aludimet e hershme ndaj Zanafillës në literaturën çifute, duke përfshirë edhe referencat e pakta për Adamin dhe Evën në letrat e Paul-it në Testamentin e Ri, nëse ndokush ishte fajtor për largimin nga Kopshti i Edenit, ishte Adami. Megjithatë, gradualisht, Eva u bë bartëse e këtij faji; ajo e nxiti që të bënte zgjedhjen e gabuar, andaj faji nuk ishte vërtetë i tiji. Arsyeja prapa gjykimit të saj si fajtore për mëkatin e parë kuptohet nga ngjashmëritë mes historisë së saj dhe një miti tjetër të famshëm, rreth një gruaje që zhyti botën në vese, korrupsion dhe vështirësi. Historia e Pandorës dhe kutisë së saj influencuan mënyrën se si Kisha e Hershme lexoi historinë e Evës.

Ka qenë një supozim i zakonshëm përgjatë historisë krishtere që Pandora paraqet një “lloj Eve”. Për shkak të famës së Pandorës në filozofinë, literaturën dhe mitologjinë greko-romake, aspektet e historive të tyre që bartnin ngjashmëri u ekzagjeruan në atë mënyrë që Pandora u bë “Eva greke” dhe Eva u bë ‘Pandora krishtere”.

Në shikim të parë, është e jashtëzakonshme se sa shumë të përbashkëta duken të kenë mitologjitë rreth këtyre dy grave. Në fakt, gati çdo kulturë antike ka pasur një mit krijimi dhe shumica prej tyre kanë një numër surprizues të ngjashmërive me mitin e krijimit tek Zanafilla: njerëzit, që fillimisht u krijuan nga balta; përvetësimi i njohjes dhe vullneti i lirë si aspekte qendrore të tregimit dhe një grua që bartë fajin për vuajtjet njerëzore – të gjitha janë tema të përbashkëta në mitologjinë e krijimit.

Kur flasim për Evën dhe Pandorën, secila portretizohet si gruaja e parë në botë. Të dyja luajnë një rol kryesor në historinë e tranzicionit nga gjendja origjinale e bollëkut dhe rehatisë në atë të vuajtjes dhe vdekjes. Të dyja janë të krijuara pas meshkujve. Të dyja joshen për të bërë diçka që nuk duhet ta bëjnë. Të dyja janë fajtore për ardhjen e së keqes në këtë botë.

Por, mes Evës dhe Pandorës ekzistojnë edhe një numër i dallimeve. Ndoshta, dallimi më i rëndësishëm shtrihet në qëllimin e tyre origjinal. Historia e Pandorës na paraqitet në dy versione, që të dyja të shkruara nga poeti Hesiod. Gjersa kanë ekzistuar edhe interpretime dhe versione tjera të miteve të Pandorës, ato të Hesiod-it i kanë mbijetuar kohës.

Në “Teogoninë” e Hesiod-it, Pandora etiketohet si një “bukuri djallëzore”, por nuk përmendet që ajo ka hapur ndonjë kuti. Në “Punime dhe Ditë”, zotat krijojnë Pandorën dhe kutinë e saj specifikisht si ndëshkim për njerëzimin. Zotat i japin asaj kutinë me qëllimin që ajo ta hap dhe të çlirojë vuajtjet dhe torturën mbi botën njerëzore – dhe ajo, e shtyrë nga “dhurata” paradoksale e kuriozitetit hap këtë kuti, duke çliruar të gjitha llojet e së keqes mbi botën.

Ndryshe nga Pandora, në Zanafillën 2-3 Eva nuk i ‘dhurohet’ Adamit nga zemërimi hyjnor. Në Zanafillën 2:18, Zoti deklaron që nuk është mirë që burri të jetë i vetëm – atij i duhet një ndihmës dhe homolog, dhe Eva plotëson këtë nevojë. Ajo krijohet si shoqëruese komplementare për Adamin, e jo si ndëshkim. Në një mënyrë, ata krijohen si dy gjysma të së njëjtës tërësi – një imazh shumë më pozitiv sesa imazhi mizogjenik i gruas si një dhuratë e mallkuar në mitin e Pandorës.

Rëndësia e miteve të Pandorës dhe Evës

Intelektualët e krishterë u kapën pas disa ngjashmërive mes këtyre dy miteve dhe gërshetuan së bashku elemente të ndryshme nga secila në mënyrë që të amplifikonin fajin e Evës dhe rrjedhimisht fajin e të gjitha grave. Në interpretimet krishtere të narrativës së Zanafillës, elementet e një perspektive ‘anti-Eva’ dhe ‘anti-grave’ dalin në shesh. Ajo u portretizua si rrënuese e njerëzimit, dhe interpretuesit si Tertullian kanë kontribuar në idenë që ky ishte qëllimi i vetëm i ekzistencës së saj. Tertullian-i injoron faktin që edhe ajo ishte krijuar në imazhin e Zotit sikurse edhe Adami. Ajo nuk u krijua për të mundësuar rënien e njeriut. Por, ajo përfundoi duke u perceptuar, sikurse edhe Pandora, si një lloj e lige e domosdoshme. Përgjithësisht, ngjashmëritë mes këtyre narrativave mbi peshojnë ndryshimet.

Duke pasur parasysh ngjashmëritë mes Pandorës dhe legjendave të Zanafillës, ne mund të dalim në përfundimin se ndoshta këto histori ndajnë një origjinë të njëjtë. Nëse hulumtojmë mjaftueshëm, ka tema dhe motive të ngjashme në shumicën e miteve antike mbi krijimin. Por, është më e mundshme që ngjashmëritë mes këtyre miteve janë rastësore. Miti i Pandorës influencoi mënyrën se si të krishterët e hershëm lexuan Zanafillën 2-3, e jo shkrimin e vet tekstit.

Traditat e tjera, si judaizmi dhe krishterimi lindor ortodoks nuk e interpretojnë Zanafillën 2-3 si një histori të “rënies” por e konsiderojnë si një fillim të maturimit të njerëzimin. Atë që krishterimi perëndimor e sheh si një formë të parajsës, traditat e tjera e konceptojnë nën një dritë shumë më pak pozitive. Në këtë kopsht, njerëzimi nuk kishte vullnet të lirë, pavarësi, dhe njohuri. Vetëm pasi që Adami dhe Eva hanë nga Pema e Njohjes, ata vërtetë janë “në imazhin e Zotit”.

Historia e Evës: Konkluzioni

Pak karaktere në historinë biblike kanë pasur më pak fat në portretizimin e tyre, sesa Eva. “Paradise Lost” nga Milton shërben si një ndër shembujt e vetëm që shpjegon se sa i keqinterpretuar është bërë personazhi i Evës në teologjinë krishtere – ajo është joshëse, egoiste dhe tinëzare. Ajo është paraqitur si një grua që ka përdorur seksualitetin e saj për të shfrytëzuar Adamin e gjorë, duke e tërhequr atë drejtë grackës së djallit, dhe që i ktheu shpinën krijuesit të saj nga zemërimi dhe xhelozia e pavend. Faktikisht, Eva është një karakter minor në Bibël dhe shumica e vizioneve tona mbi të janë rezultat i ideve helene që iu aplikuan kapitujve të shkurtër të Zanafillës 2-3 në shekujt IV dhe V.

Etërit e Kishës së pari huazuan shumëçka nga teoritë e Platonit dhe i përshtatën idetë e tij me skripturën krishtere, në një mënyrë të atillë që rezultoi duke i bërë konceptet e “Mëkatit fillestar” dhe “Rënies së njeriut” dy nga doktrinat bazë te teologjisë krishtere. Si rezultat, këto doktrina esencialisht mallkuan Evën dhe pjesën tjetër të grave. Për të bërë gjërat edhe më të vështira, mes tregimit të Evës dhe atij të Pandorës – një gruaje tjetër, gabimet e së cilës rezultuan në një zhvendosje dramatike të vendit të njerëzimit në botë, u nxorën shumë paralele.

Ngjashmëritë e pakta mes tyre u ekzagjeruan deri në pikën ku Eva, ashtu si edhe Pandora, u bënë simbole mizogjene të inferioritetit femëror. Të themi që kjo ka formësuar pozicionin e grave në historinë krishtere dhe perëndimore në një mënyrë të parevokueshme, është një minimizim. Për shekuj të tërë, këto keqinterpretime të Zanafillës 2-3 kanë luajtur rolin e bazës mbi të cilën janë strukturuar qëndrimet sociale ndaj roleve dhe relacioneve gjinore në botën krishtere dhe atë perëndimore. /Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA/

Në trend Kultura

Më shumë
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

Fjala+
Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”

Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”

Kulture
Viti i Naim Frashërit

Viti i Naim Frashërit

Kulture
Kalo në kategori