Zyrtare: Djed Spence, lojtari më i ri i Interit

Djed Spence është zyrtarisht lojtar i ri i Interit, pasi ka përfunduar transferimin nga Tottenham Hotspur për një shumë prej 35 milionë eurosh, përfshirë bonuset.
Mbrojtësi anglez ka nënshkruar kontratë me “Nerazzurrët” deri në qershor të vitit 2031, duke u bërë futbollisti i dytë anglez që i bashkohet Interit këtë verë, pas bashkëkombësit të tij John Stones, i cili mbërriti si lojtar i lirë nga Manchester City.
Spence mbërriti në Milano vonë të enjten, ndërsa të premten iu nënshtrua testeve të plota mjekësore, fillimisht te klubi dhe më pas edhe pranë CONI-t (Komitetit Olimpik Italian).
Pas përfundimit pa probleme të kontrolleve mjekësore, Spence firmosi kontratën e re. Marrëveshja besohet se i garanton atij rreth 2.5 milionë euro në sezon, plus bonuse të lidhura me paraqitjet dhe performancën.
Tottenham do të përfitojë rreth 31.5 milionë euro menjëherë nga transferimi, ndërsa mund të marrë edhe 3.5 milionë euro të tjera në formë bonusesh. Klubi londinez gjithashtu ka siguruar 10 për qind të shumës së një shitjeje të ardhshme të lojtarit.
Për Spencen bëhet fjalë për një rikthim në Serie A, pasi ai kishte luajtur më parë në Itali me Genoan, ku ishte i huazuar për gjashtë muaj gjatë vitit 2024.
26-vjeçari, i cili festoi ditëlindjen vetëm javën e kaluar, mund të luajë si në krahun e djathtë, ashtu edhe në të majtin e mbrojtjes.
Te Interi, Spence shihet si pasuesi ideal i Denzel Dumfriesit në krahun e djathtë, pas transferimit të holandezit te Real Madridi./Telegrafi/














































