Dean Huijsen është tërhequr nga grumbullimi me Kombëtaren e Spanjës për shkak të një dëmtimi muskulor.

Mbrojtësi i Real Madridit kishte shfaqur shenja lodhjeje që në momentin e mbërritjes në kampin stërvitor dhe nuk mori pjesë në seancën e parë stërvitore të së martës.


Pas ekzaminimeve mjekësore të kryera të mërkurën në mëngjes, u konfirmua dëmtimi muskulor që detyroi Federatën të zyrtarizojë largimin e tij nga lista e grumbullimit.

Në vend të Huijsen, trajneri Luis de la Fuente ka ftuar Aymeric Laporte, i cili rikthehet në Kombëtare pas gati një viti mungesë, ndeshja e tij e fundit ishte në Nations League, në nëntor të vitit 2024.

Huijsen do të rikthehet te Real Madridi ku do t’i nënshtrohet kontrolleve të mëtejshme mjekësore nga stafi i klubit për të përcaktuar saktësisht shkallën e dëmtimit.

Kjo lëndim i shtohet listës së mungesave të Spanjës, ku tashmë janë edhe Lamine Yamal dhe Rodri.

Deklarata zyrtare e Federatës Spanjolle:

“Dean Huijsen largohet nga grumbullimi i Kombëtares për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2026 kundër Georgias në Elche dhe Bullgarisë në Valladolid për shkak të një dëmtimi muskulor. Lojtari i Real Madridit mbërriti në kamp me simptoma lodhjeje, nuk u stërvit të martën dhe pas përkeqësimit të gjendjes iu nënshtrua analizave mjekësore që konfirmuan dëmtimin. Klubi është njoftuar dhe lojtari është larguar nga grumbullimi. I urojmë një rikuperim të shpejtë”. /Telegrafi/