Ylli i madh i Real Madridit mbështet rikthimin e mundshëm të Mourinhos

Sulmuesi brazilian Vinicius Junior raportohet se e sheh si zhvillim pozitiv rikthimin e mundshëm të Jose Mourinho në krye të Real Madridit, pavarësisht tensioneve që kishin mes tyre më herët gjatë këtij sezoni.
Sipas raportimeve të mediumit El Chiringuito, braziliani beson se trajneri portugez mund të rikthejë unitetin në zhveshtore, në një moment kur “Los Blancos” po kërkojnë zgjidhje pas një sezoni zhgënjyes.

Raporti thekson se Real Madridi tashmë i ka paraqitur Mourinhos një ofertë verbale për postin e trajnerit, ndërsa bisedimet mes palëve thuhet se po avancojnë pozitivisht.
Më herët kishte pasur dyshime rreth marrëdhënies së Mourinhos me disa lojtarë të skuadrës, pas incidenteve të ndodhura gjatë përballjes mes Benficas dhe Real Madridit këtë sezon.
Disa futbollistë raportohet se kishin mbetur të pakënaqur pasi Mourinho kishte mbrojtur publikisht Gianluca Prestianni, pas akuzave për abuzim racist ndaj Vinicius Jr.

Megjithatë, sipas të njëjtit burim, Vinicius nuk mban mëri ndaj trajnerit portugez dhe konsideron se mosmarrëveshjet e së kaluarës duhet të mbeten pas.
Braziliani besohet se e sheh Mourinhon si një trajner që mund ta bëjë skuadrën të funksionojë më shumë si kolektiv, në vend që të mbështetet vetëm te individualitetet.
Gjithashtu, raporti shton se qëndrimi i Viniciusit po shihet brenda klubit si një shenjë pjekurie, sidomos pas tensioneve të fundit në dhomat e zhveshjes pas humbjes në El Clasico ndaj Barcelonës.
Rikthimi i Mourinhos në ‘Santiago Bernabeu’ thuhet se është gjithnjë e më pranë, edhe pse negociatat zyrtare me Benficën vazhdojnë ende. /Telegrafi/





















































