Ylli i madh i Gjermanisë thyen heshtjen pas lëndimit që do t’ia pamundësojë të luajë në Botëror

Ylli i Gjermanisë, Lennart Karl, ka thyer heshtjen me një deklaratë emocionale pas largimit të hidhur nga Kupa e Botës.
“Nuk e di as nga t’ia nis, por më dhemb jashtëzakonisht shumë që duhet ta humbas turneun më të madh”, ka shkruar Karl në Instagram.
Talenti në rritje i Bayern Munich pësoi një këputje muskulore gjatë seancës së fundit stërvitore, në prag të miqësores së së shtunës ndaj SHBA-së në Çikago, dhe për rrjedhojë do ta humbasë Botërorin e tij të parë.
“Bëra gjithçka që të isha gati për Kupën e Botës. Fatkeqësisht, lëndimet shpesh godasin në momentin më të keq të mundshëm”, u shpreh ylli gjerman.
Ai e kishte fituar vendin në skuadër falë një sezoni të fortë debutues te Bayern dhe paraqitjeve bindëse në debutimin e tij me kombëtaren në muajin mars.
“I uroj ekipit tim çdo sukses dhe do t’i mbështes çdo minutë. Do të rikthehem më i fortë, e premtoj”, përfundoi ai./Telegrafi/




































