LAJMI I FUNDIT:

Xhudo 2018: Një tjetër vit i suksesshëm, medalje në të gjitha grupmoshat – Trajneri Kuka nuk ndalet, premton suksese tjera në 2019

Xhudo 2018: Një tjetër vit i suksesshëm, medalje në të gjitha grupmoshat – Trajneri Kuka nuk ndalet, premton suksese tjera në 2019

Sukseset e Kosovës në xhudo ka filluar të bëhet përditshmëri, tjetër vit, tjera arritje nga skuadra e pandalshme e Driton Kukës.

Sa herë ka një garë të xhudos diku në botë ku sportistët tonë marrin pjesë, atëherë të gjithë janë në pritje të medaljeve. Kosova është një vend i vogël, ku investimet në sport janë të pakta, por trajneri Kuka është shembull se si nga dëshira, vullneti dhe puna e madhe mund të arrihet çdo gjë.


Aq të shumta ishin sukseset në xhudo gjatë 2018 sa është pothuajse e pamundur t’i numërojmë një nga një, por Telegrafi është munduar t’i përmbledh, ndërsa më poshtë keni pasqyrën e vitit që lamë pas:

Majlinda Kelmendi e filloi vitin 2018 me një trajtim mjekësor në Slloveni, ku operimi përfundoi me sukses. Pasi ishte në fazën e rikuperimit Majlinda ishte pjesë e Ekipit Olimpik të Kosovës në ‘Tarragona’ në cilësinë e trajneres së bashku me Kukën, kjo pasi prania e saj është motiv për gjithë sportistët tjerë.

Majlinda Kelmendi: Kam pranuar oferta marramendëse, por askush nuk ta jep respektin si vendi yt
Lexo po ashtu Majlinda Kelmendi: Kam pranuar oferta marramendëse, por askush nuk ta jep respektin si vendi yt

Kampionia olimpike në ‘Rio 2016’ pas 14 muajsh mungesë iu kthye garave dhe normalisht që suksesi nuk mungoi. Kelmendi fitoi medaljen e argjendtë në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Majlinda Kelmendi i kthehet medaljeve të arta, triumfon në Grand Prixin ‘Tashkent 2018’

Të artën nuk ia lejoi lëndimi në hundë që kishte pësuar në çerekfinale, në pamundësi për të vazhduar luftën ndaj italianes, Odette Giufrida, u detyrua të dorëzonte finalen dhe të kënaqej me medaljen e argjendtë në këtë Grand Slam që ishte i vlefshëm për pikë në Lojërat Olimpike ‘Tokyo 2020”.

Nuk kaloi shumë dhe Majlinda iu kthye medaljeve të arta, heroina ynë triumfoi në Grand Prix ‘Tashkent 2018’ të mbajtur në Uzbekistan, ku fitoi në finalen deri në 52 kilogramë xhudisten nga Zvicra, Evelyne Tschopp.

Nora Gjakova e filloi vitin 2018 me suksese, më 19 janar Nora fitoi medaljen e artë deri në 57 kilogramë në Kupën Botërore ‘Tunisia Grand Prix’, xhudistja jonë triumfoi ndaj koreano-jugore, Kwon. Gjakova ishte e pafat në Grand Slamin e Parist ku u eliminua në rrethin e dytë, por nuk kaloi shumë dhe Nora u kthye me një medalje të artë, ketë herë në Grand Prix Antalya.

Nora vazhdoi me suksese, këtë herë të një niveli më të madh, ajo në Tel Aviv të Izraeli fitoi medaljen e artë dhe u shpall kampione e Evropës në kategorinë deri 57 kilogramë. Xhudistja ishte pjesë e ekipit olimpik të Kosovës në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018” dhe normalisht që suksesi nuk mungoi, tjetër medalje e artë.

Nora Gjakova e artë në Lojërat Mesdhetare ‘Tarragona 2018’,

Në sport është e pamundur të fitosh gjithmonë dhe kështu ndodhi, Nora humbi luftën për medalje të bronztë në Grand Prix që u mbajt në Zagreb të Kroacisë ndaj japonezes, Haruka Funakubo. Duket se Nora ishte futur në periudhën jo të mirë që e ka çdo sportist dhe kështu u eliminua në çerekfinale të Kampionatit Botëror në xhudo që u mbajt në Baku, por përkundër kësaj ajo arriti t’i sigurojë Kosovës 520 pikë olimpike për Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’.

Nora Gjakova, xhudistja e trofeve
Lexo po ashtu Nora Gjakova, xhudistja e trofeve

Nora u kthye dhe atë me medalje të artë në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, ajo mposhti në finale rusen, Anastasia Konkina.

Viti vazhdon, ashtu edhe medaljet për Norën, këtë herë e argjendtë në Grand Prix ‘Tashkent 2018’ në kategorinë deri në 57 kilogramë. Ndërsa një vit shumë të suksesshëm e përmbylli me një tjetër medalje të argjendtë në World Masters Guangzhou 2018”, Nora ishte e pafat në finale pasi u përball me kampionët botërore Yoshida nga Japonia.

Nga Nora kalojmë të vëllai i saj, Akili, i cili kishte një rritje të jashtëzakonshme duke e mbyllur vitin me shtatë medalje, fillojmë numërimin: E filloi më 20 janar me një të argjendtë në Tunis të Tunizisë, edhe pse humbi në finale nga xhudisti nga Kazakistani, Zhansay Smagulov, një arritje e tillë në Kupën Botërore në kategorinë deri në 73 kilogramë nuk është aspak e lehtë. Kjo fitore e ngriti Akilin në vendin e 17-të  nga vendi i 31-të në ranglistën botërore në kategorinë e tij.

Tani ishte radha për një të artë, Akili triumfoi në finale në Grand Slamin e Parisit ndaj xhudistin gjeorgjian, Lasha Shavdatuashvilli, i cili ishte kampion olimpik.

Pas kësaj ishte një periudhë e errët, xhudisti ynë nuk arriti të fitojë medalje në Grand Prix të Antyalias dhe Kampionatin Evropian. Akili ishte pjesë e Ekipit Olimpik të Kosovës për “Tarragona 2018” dhe arriti të triumfojë në finale lehtësisht ndaj turkut, Bilal Ciloglu. Tani pasi ia mori dorën të artave vazhdoi edhe në Grand Prixin e xhudos në Zagreb të Kroacisë,në finale mposhti kampionin Olimpik nga Lojërat Olimpike ‘Rio 2016’ italianin, Fabio Basile.

Akili u eliminua në çerekfinale të Kampionatit Botëror që u mbajt në Baku, por i siguroi Kosovës 320 pikë olimpike.  Kjo nuk e demoralizoi aspak sportistin tonë, ai vazhdoi me një të argjendtë në Grand Slamin e Abu Dhabit dhe pastaj me një të artë në Kampionatin Evropian U23.

Driton Kuka dhe Akil Gjakova pas medaljes së artë në Paris

Vitin Akili e përfundoi me medalje të argjendtë në Grand Prixin që u mbajte në Hagë të Holandës. Një vit për mos t’u harruar për Norën dhe Akilin, familja Gjakova gjatë një viti siguruan një ‘mal me medalje’.

Triumfin e parë të vitit 2018 për Erza Muminoviq trajneri Kuka e filloi me fjalët “Erza e vogël po bëhet e madhe…”, e bronztë në Kupën Evropiane në Zagreb. Erza shkoi duke u rritur, fillimisht e argjendtë në Evropianin e Juniorëve në Sarajevë dhe pastaj e artë në Berlin të Gjermanisë në Kupën Evropiane.

Erza Muminoviq, kampione e Evropës për kadet

Në Kupën Evropiane për kadet në Çeki ishte e bronztë, për t’iu kthyer të artës në Kupën Panamerikane. E argjendtë në Portugali  dhe pastaj ishte koha për qershie mbi tortë, Erza u bë Kampione e Evropës për kadet (nën 18 vjeç), arritje për të cilën mori shumë lëvdata. Erza e mbylli vitin me medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike ‘Buenos Aires 2018’ në Argjentinë, në kategorinë deri në 44 kilogram, ndërsa synimi i saj i madh janë Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’.

Distria Krasniqi e filloi vitin 2018 me medalje te argjendtë në Kupën e Botës ‘Tunisia Grand Prix’ pasi nuk arriti të fitojë ndaj brazilianes, Jessica Pereira. Pas kësaj arritje ajo u ngjit në tre pozita në ranglistën botërore për kategorinë deri në 52 kilogramë.

Pastaj ishte e radha për dy të arta, fillimisht në Grand Slamin e Parisit, pastaj Grand-Prix Antalya. Sukseset vazhduan, e argjendtë në Kampionatin Evropian që u mbajt në Tel Aviv. Edhe Distria ishte pjesë e Ekipit Olimpik të Kosovës për Lojërat Mesdhetare në ‘Tarragona 2018’, në Spanjë arriti të fitojë medaljen e artë duke triumfuar në finale ndaj italianes, Odette Giuffrida, në kategorinë -52 kilogramë.

Distria, Akili, Nora; Kosova fitoi tri medalje të arta dhe një të argjendtë në Tarragona

Krasniqi u eliminua në rrethin e dytë në Grand Prix që u mbajt në Zagreb të Kroacisë, por një muaj më vonë e fitoi të bronztën në atë të Budapestit. Në Kampionatin Botëror në Baku fitoi ndeshjen e parë, por në të dytën nuk e përcjelli fati dhe humbi ndaj xhudistes nga Guatemala, Jacquelin Solis.

Distria u rikthye fuqishëm, së pari me një të argjendtë në Grand Slamin e Abu Dhabit , pastaj e artë në Grand Prixin ‘Tashkent 2018’ dhe e bronztë në Grand Prixin e Hagës.

Vitin 2018 e mbylli me medalje të artë në Kinë, ku në “World Masters Guangzhou 2018” për 16 sekonda e hodhi në tatami medalisten japoneze nga Lojërat Olimpike, Kondo Ami.

Ajo që kaloi pritshmëritë e trajnerit është Loriana Kuka, vitin e filloi me medalje të artë në Kampionatin Evropian që u mbajte në Uster të kantonit të Cyrihut në Zvicër. Rrugëtimi i saj në xhudo vazhdoi i artë edhe në Grand Prix Antalya, ku në finale për kategorinë deri në 78 kilogramë mposhti, Anastiya Turchyn.

Në Kampionatin Evropian “Tel Aviv 2018” përfundoi jo më shumë se në vendin e tetë, ndërsa medaljeve iu kthye në ‘Tarragona 2018’, e argjendtë. Vitin e përmbylli me dy të arta, së pari në Kampionatin Evropian U23 në Hungari, pastaj edhe në Grand Prixin ‘Tashkent 2018’.

Për arritjet në tyre në xhudo ia vlen të përmenden edhe Flaka Hoxha, Fjolla Kelmendi, Shpat Zeka, Fationa Kasapi, Indrit Çullhaj, Shpat Zeka dhe Laura Fazliu.

Duke kërkuar fjale nëse kemi harruar dikë, apo ndonjë sukses pa përmendur pasi në xhudo sukseset janë të shumta, atëherë kuptojmë më së miri punën e madhe të trajnerit Driton Kuka. Dikush mund të jetë lodhur duke e lexuar sukseset, apo ne duke i përmbledhur ato me krenari, por është trajneri Kuka i cili nuk pushon kurrë. Me mjete vetanake, në pronën e familjes në Pejë, ai ka ndërtuar pasluftës palestrën “Ippon”, e gjitha kjo nga dëshira e madhe për xhudon, duke dashur që sukseset që nuk arriti kurrë për shkak të rrethanave politike Serbi-Kosovë, t’i transmetojë tek të rinjtë.

Driton Kuka për IJF: Ndalova xhudon kur isha 19 vjeçar për shkak të rrethanave politike, pas luftës fillova punën me fëmijë, tani shpresoj që qeveria të na ndërtojë një Qendër Kombëtare
Lexo po ashtu Driton Kuka për IJF: Ndalova xhudon kur isha 19 vjeçar për shkak të rrethanave politike, pas luftës fillova punën me fëmijë, tani shpresoj që qeveria të na ndërtojë një Qendër Kombëtare

47-vjeçari nuk është vetëm trajner i skuadrës, por edhe psikologu, miku i secilit sportist, njeriu që merret me mediat, personi që duhet mendoj për financat duke i bërë presion institucioneve shtetërore, e duke vrapuar pas sponsorëve të ndryshëm, vetëm e vetëm që të rinjtë të shikojnë botën ndryshe me anë të sportit dhe bota të shikojë Kosovën dhe të rinjtë e saj ndryshe nëpërmjet sportit.

Takimi i kryeministrit Ramush Haradinaj me kryetarin e Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, trajnerin e xhudos Driton Kuka dhe ekipin e xhudistëve

I lumtur për sukseset në 2018, me premtime se do të vazhdojnë në 2019 dhe me një dëshirë të vogël drejt institucioneve, Kuka në një intervistë për Telegrafin komentoi të gjitha këto:

Viti 2018 ishte më i suksesshme për ekipin tonë të xhudos. Normalisht se medalja e artë e Majlindës në Lojërat Olimpike është rezultati më i madh, por ky vit për mua ishte i rëndësishëm sepse kemi medalje në të gjitha grupmoshat, duke fillua nga kadetët deri tek të rriturit”.

Ka aq shumë rezultate sa është problem t’i numërosh, më kanë bërë më të vërtetë shumë krenar. Shpresoj që vite si ky të na përsëritën edhe në vazhdim”.

Driton Kuka: Spanja u njoftua dy herë me shtetin e Kosovës

“Objektivat për 2019? Ne e përfunduam një vit me pesë norma olimpike, e kur të kesh parasysh që gjitha sportet tjera olimpike në Kosovë nuk e kanë asnjë normë, objektivi unë është këta të pestit të mbesin brenda normës olimpike. Realisht ne nuk kemi garues tjerë që mund të hyjnë pasi konkurrenca është jashtë zakonisht e fortë”, tha Kuka për Telegrafin.

Viti 2018 e prodhoi një emër të ri, Erza Muminoviq, e cila është bërë kampione evropiane për kadete, edhe është medalistja e vetme e Kosovës në Lojëra Olimpike për të rinj, aktualisht është një nga më të mirat në botë në grupmoshën e saj”.

Ministri Gashi dha shpërblimet shtetërore për Erza Muminoviqin dhe Drion Kukën

Edhe në vitin 2019 janë katër apo pesë emra që mund t’i bashkohen skenës së xhudos, por se cili apo cila do të arrijnë kjo mbetet të shihet. Në parim mendoj se e kemi ndërtuar një vazhdimësi dhe vit pas viti kemi garues të rinj që na bëjnë krenarë dhe që unë mburrem me sukseset e tyre”.

Kërkesa apo dëshira drejtuar Qeverisë së Kosovës? Unë mendoj se e kemi mbështetjen e shtetit, por mund mendoj se komunat duhet të fillojnë të përkrahin sportin. Problemet e sportistëve, trajnerëve janë të nivelit lokal, por besoj se qeveria në bashkëpunim me pushtetet lokale duhet të ndërtojnë një strategji më serioze se si duhet përkrahur klubet lokale. Jemi në një situatë ku klubet po na shuhen, ka kaluar koha e vullnetarëve ku njerëzit me entuziazëm kanë udhëhequr klubet, mendoj që duhet të marrë shembull shtetet që punojnë në këtë drejtim si Kroacia apo Sllovenia. Kjo është dëshira ime e vetme për 2019 dhe atëherë sukseset nuk do mungojnë”, ka thënë Kuka për fund.

Xhudo, krenaria e madhe e çdo qytetari të Kosovës. /Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
Barcelona po nënshkruan mega-kontratë, ajo do t'i sjellë klubit mbi një miliard euro

Barcelona po nënshkruan mega-kontratë, ajo do t'i sjellë klubit mbi një miliard euro

La Liga
E ardhmja e Guardiolës tek Man City në dyshim – një emër i ri del favorit për ta zëvendësuar atë

E ardhmja e Guardiolës tek Man City në dyshim – një emër i ri del favorit për ta zëvendësuar atë

Premier League
Shkodran Mustafi parashikon fituesin e Kampionatit Evropian dhe paralajmëron rikthimin në futboll

Shkodran Mustafi parashikon fituesin e Kampionatit Evropian dhe paralajmëron rikthimin në futboll

Përfaqësueset
Ndryshojnë në mënyrë drastike shanset, superkompjuteri vjen me parashikim të ri për Ligën e Kampionëve

Ndryshojnë në mënyrë drastike shanset, superkompjuteri vjen me parashikim të ri për Ligën e Kampionëve

Liga e Kampionëve
Shkëlqeu ndaj Man Cityt dhe në klub ende e duan, por veterani i Real Madridit ia ka kumtuar Perezit largimin për në fund të sezonit

Shkëlqeu ndaj Man Cityt dhe në klub ende e duan, por veterani i Real Madridit ia ka kumtuar Perezit largimin për në fund të sezonit

La Liga
Zinedine Zidane ‘një hap larg’ emërimit si trajner i gjigantit të njohur evropian

Zinedine Zidane ‘një hap larg’ emërimit si trajner i gjigantit të njohur evropian

Ndërkombëtare
Kalo në kategori