LAJMI I FUNDIT:

West Hami konfirmon largimin e katër lojtarëve

West Hami konfirmon largimin e katër lojtarëve

Klubi anglez, West Ham United ka konfirmuar ndarjen me katër lojtarë në fund të qershorit, kur kontratat e tyre të skadojnë.

Çekanët e kanë mbyllur një sezon relativisht të suksesshëm duke arritur garat evropiane për sezonin e ri dhe deri në gjysmëfinale të Ligës së Evropës këtë sezon.


Megjithatë, ekipi londinez synon të përforcohet për sezonin e ri dhe tashmë ka filluar ndryshimet në ekip.

West Hami ka filluar me largimet dhe tashmë ka konfirmuar katër largime këtë verë, me skadimin e kontratave të tyre në fundit të qershorit.

Kapiteni i klubit, Mark Noble do të pensionohet zyrtarisht pas 18 sezonesh si lojtar i ekipit të parë.

35-vjeçari largohet pas një karriere të shkëlqyer që e pa atë të bëjë 550 paraqitje, ku shënoi 62 gola dhe regjistroi 61 asistime.

Andriy Yarmolenko do të largohet pas katër sezonesh në lindje të Londrës, gjatë të cilave sulmuesi ukrainas shënoi një sërë golash të rëndësishëm.

32-vjeçari ukrainas realizoi gjithsej 86 paraqitje, shënoi 13 gola dhe regjistroi shtatë asistime.

Ryan Fredericks ka luajtur 77 herë që kur mbërriti në London Stadium në verën e vitit 2018, duke shënuar tre gola, duke asistuar gjashtë të tjerë dhe duke luajtur një rol të rëndësishëm në mbetjen e West Hamit në Ligën Premier gjatë sezonit 2019/20.

David Martin iu bashkua West Hamit në qershor 2019 dhe bëri një debutim të paharrueshëm për klubin që ai mbështeti kur ishte fëmijë në fitoren 1-0 në Ligën Premier kundër Chelseat në nëntor të të njëjtit vit.

Martin, 36 vjeç, bëri gjithsej pesë paraqitje në Ligën Premier.

West Ham gjithashtu do të largojë lojtarë të rinj, por më pak të njohur.

Nathan Holland, Jayden Fevrier, Bernardo Rosa, Amadou Diallo dhe Ossama Ashley janë të rinjtë që largohen. /Telegrafi/