LAJMI I FUNDIT:

Viti 1981: Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë

Viti 1981: Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë
Ali Lajçi në mesin e studentëve para Konvikteve (26 mars 1981). Në demonstratat e vitit 1981, asnjë qytetar nuk është lejuar të fotografohej. Të gjitha fotografitë e asaj kohe janë bërë nga shërbimet sekrete jugosllave.
-->

Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 1981?

Filloristët prapë e jepnin “fjalën e nderit të pionierit”, qytetarët prisnin të kalonte në qytetin e tyre Stafeta dhe të gjithë deklaroheshin se janë të përcaktuar në “rrugën së Titos”. Por, në fakt, në prag të Vitit të Ri 19812 shumëkush e parandien fundit e ish-Jugosllavisë. Ky ishte edhe fillimi i fundit i kalendarëve bajatoz nga fabrikat dhe aksionet e vjeljes së mollëve dhe të rrushit.

Vetura DeLorean në filmin “Back to the Future”

Ngjarjet kryesore në botë më 1981 janë: Nga magnati australian Rupert Murdock blihet e përditshmja “London Times”; shfuqizohet skllavëria në Mauritani; në dy atentate plagosen kryetari amerikan Ronald Reagan dhe Papa Gjon Pali II; Princi Charles martohet me Diana Spencerin (dasma transmetohet drejtpërdrejt në shumë kanale televizive botërore); “Solidariteti” polak mban Kongresin e parë në Gdansk; e veja e Mao Zedongut, Jiang Qing, dënohet me vdekje (dënim që do të zëvendësohet me burg të përjetshëm); François Mitterrand është presidenti i parë socialist i Republikës së Pestë të Francës; vritet kryetari i Bangladeshit, Ziaur Rahman, si dhe ai i Egjiptit, Anwar Sadat (vendin e tij do ta zë Hosni Mubarak).

Më 1981 del në shitje vetura DeLorean, një dështim komercial po veturë ikonike fal filmave “Back to the Future”; lansohet video-lojëra “Donkey Kong” e cila bashkë me “Mario”-n e bën Nintenton një prej kompanive më me nam në botë; e, për muzikantët del në shitje sintetizatori revolucionar, E-Mu Emulator.

Më 1981 lindin shumë aktorë të sotshëm të njohur: Elijah Wood, Justin Timberlake, Tom Hiddleston, Joseph Gordon-Levitt, Jessica Alba, Rami Malek, Natalie Portman, Chris Evans … Ndërsa, vdesin legjendat e muzikës – Bill Haley dhe Bob Marley; aktorja Natalie Wood, si dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Adolf Hitlerit, Albert Speer. Më 1981 vdesin edhe: intelektuali kroat Mirosllav Kërlezha, ideologu kryesor i neoshqiptarizmës, Branko Merxhani, si dhe kompozitori arbëresh, Shime Deshpali.

Hosni Mubarak dhe Anwar Sadat

Ngjarjet kryesore në Kosovë kishin të bënin me … demonstratat e shqiptarëve – një prej ngjarjeve më të mëdha në historinë e Kosovës që shënojnë fillimin e dominimit të politikës serbe në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë, fillimin e suprimimit të autonomisë së Kosovës dhe të Kushtetutës së vitit 1974 që avancoi statutin politik e shoqëror të shqiptarëve, por edhe fillimin e fundit të kësaj federate e të shtetit komunist jugosllav. Rrjedha e saktë e ngjarjeve të marsit 1981 dominohet nga shumë “mistere”, sidoqoftë rezultati final është se ato do të përforcojnë nacionalizmin shqiptar dhe kërkesën e tyre për republikë e pavarësi.

Demonstratat fillimisht shpërthyen në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, në mbrëmjen së mërkurës, më 11 mars 1981, atëherë kur thyhen pjatat “me fasule”. Si pretekst ishin pakënaqësitë e arsyeshme të studentëve me kushtet e ushqimit e të banimit.

Atë ditë, në Stadiumin e Prishtinës ishte zhvilluar ndeshja futbollistike midis Prishtinës dhe Partizanit të Beogradit, ndaj qytetarët nuk e dinin se çfarë po ndodhë, duke menduar se demonstruesit janë simpatizantë futbolli. Pajazit Nushi – atëherë nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës – përpiqej të bisedonte me demonstruesit, por kot. Turmës i bashkohet Ali Lajçi i cili mban një fjalim që “ndez” edhe më shumë pjesëmarrësit.

1 prill 1981, Hydajet Hyseni (me megafon), ju drejtohet demonstruesve në qendër të Prishtinës, para ish-Komitetit Krahinor. Pranë tij ishte edhe Kadri Batusha. Për personin e tretë “nuk dihet asgjë”!

Kjo protestë – që nisi në Mensë të Studentëve – u planifikua në natën e 10 marsit 1981, në dhomën 312 të Konviktit të Studentëve. Biseda për një reagim për kushte më të mira të mësimit, të banimit e ushqimit të studentëve, vazhdon në dhomën 310. Aty ishin: Kadri Kryeziu, Ramadan Gashi, Bedri Deliu, Murat Musliu, Jonuz Jonuzi dhe Gani Koci.

Demonstratat e 11 marsit zgjatën deri në orët e hershme të mëngjesit, kur ndërpriten me intervenimin e forcave të Milicisë.

Në demonstratat e ditëve tjera (25 e 26 mars 1981), kyçet ilegalja politike shqiptare, si grupi i Mehmet Hajrizit e Hydajet Hysenit (Organizata Marksist-Leniniste e Kosovës – OMLK). Kështu, më 25 mars, në Prishtinë kishte sërish grumbullime të studentëve. ndërsa në Prizren organizohen nxënësit e shkollave fillore e të mesme. Në të dy këto qytete do të ketë arrestime.

Nxitje në atë kohë jepnin edhe revistat e shtypit ilegal në mërgim, e që lexoheshin nga studentët, si: “Liria”, “Lajmëtari i lirisë”, “Bashkimi” e të tjera. Po ashtu, grupet ilegale, që ishin mjaftë të organizuara, shtypnin edhe trakte që i shpërndanin pothuajse në tërë Kosovën.

Një nga pllakatet e botuara në shtypin ilegal, revista “Liria”, 1981

Më 26 mars 1981, ditën kur në Prishtinë arrinte Stafeta e Rinisë (organizim që nderonte figurën e Titos, ditëlindjen e tij dhe Ditën e Rinisë së Jugosllavisë së dikurshme), studentët u drejtuan rrugëve dhe shesheve. Në mesin e tyre kishte edhe nxënës. Këtë ditë pason reagimi brutal i forcave speciale të Milicisë, në Qendrën e Studentëve, ku rrahën shumë të rinj e të reja në konvikte. Kjo bën që më 1 prill demonstratat të kenë karakter gjithëpopullor e që revolta studentore të përhapet në tërë Kosovën. Më 1 dhe 2 prill 1981, demonstrata – pos në Prishtinë – kishte edhe në Podujevë, Vushtrri, Viti, Lipjan, Ferizaj, Mitrovicë, Gjakovë, Gjilan, Prizren etj.

Më 2 prill 1981, në Prishtinë vriten nxënësit Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva, që ishin organizatorë të nxënësve të Shkollës së Mesme Elektroteknike. Që të dy këta ishin pjesëtarë të ilegales (OMLK-së). Pas rënies së tyre, organet e Sekretariatit vazhdonin të maltretonin familjarët e tyre me të ashtuquajturat “biseda informative”.

Naser Hajrizi më 1970

Gjatë demonstratave, demonstruesit bartnin pankarta me parullat e karakterit social dhe ekonomik. Por, nuk munguan as ato politike. Parullat kryesore, që shpesh binin në kundërshtim me njëra-tjetrën, ishin: ato të karakterit ekonomik – “Dikush në kolltuk, dikush pa bukë”, “Deri kur në podrum”, “Kërkojmë kushte më të mira”, “Trepça punon, Beogradi ndërton”; ato politike – “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, “Jemi shqiptarë, jo jugosllavë”, “Kosova e kosovarëve”, “I duam shokët e burgosur”, “Rroftë Adem Demaçi”, “Rroftë vëllazëria e popullit shqiptar”, “Bashkim i trojeve shqiptare”; dhe ato të ideologjisë enveriste të Shqipërisë: “Rroftë marksizëm-leninizmi”, “Poshtë revizionizmi”, “S’ka bisedime me borgjezinë e kuqe”, “Rroftë klasa punëtore” dhe “Rrnoftë Enver Hoxha”.

Meqë në këto demonstrata nacionalizmi shqiptar merr karakter ideologjik – pra zgjidhja e problemeve kombëtare shihej edhe përmes utopisë komuniste (që për ato rrethana ishte normale, meqë shpresat vareshin nga Shqipëria, e tillë siç ishte) – nga krerët shtetërorë jugosllavë kishte akuza se ato janë organizuar nga shërbimet e Shqipërisë.

Pamje nga demonstratat e vitit 1981

Kualifikimet e para të Komitetit të atëhershëm Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, për demonstratat e 11 marsit ishin se kanë karakter të revoltës sociale. Por, në mbledhjen e 28 marsit 1981, demonstratat e 11 dhe 26 marsit u cilësuan “armiqësore”. Ndërkaq, më 2 prill, në mbledhjen e përbashkët të Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë dhe të Kryesisë së Republikës së Serbisë, demonstratat u cilësuan “destruktive” që “kanë për qëllim destabilizimin e sistemit kushtetues”, “minimin e vëllazërim-bashkimit” dhe “përmbysjen e sistemit politik”. Një ditë më vonë, më 3 prill 1981, në mbledhjen e përbashkët të Kryesisë së Këshillit Ekzekutiv Federativ dhe të Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, demonstratat u cilësuan si “irredentiste”, “nacionaliste” e madje edhe “kundërrevolucionare”.

Revista “Liria”, 1981

Pas kësaj nisin arrestimet masive të organizatorëve dhe pjesëmarrësve me aktivë, gjykimi dhe dënimi i tyre me deri 20 vjet burg. Po ashtu, nga këto demonstrata nis procesi i diferencimit ideopolitik në të gjitha strukturat dhe nivelet e jetës shoqërore, politike e intelektuale shqiptare.

Në lidhje me këto demonstrata dhe parulla, ambasadori britanik në Beograd, Sir E. Bolland, ka hartuar një raport për efektin e tyre në sistemin politik të Jugosllavisë. Ai nuk ka fjalë të mira për këto demonstrata për shkak se në parulla vërehej kërkesa marksiste-leniniste, për një komunizëm më të egër se ai që kishte RSFJ. Ai madje e lavdëron intervenimin e shtetit në Kosovë duke e quajtur si të kujdesshëm dhe të moderuar. Ambasadori është në mbrojtje të integritetit të RSFJ-së, kryesisht për shkak se ky shtet zbatonte “një komunizëm liberal dhe nuk ishte nën ndikimin e komunizmit sovjetik (rus)”. Megjithatë, sipas studiuesit Daut Dauti, ai nuk i mohon të drejtat politike të shqiptarëve në Jugosllavi.

“Sipas çdo kriteri logjik, Kosova, brenda kufijve të tanishëm, duhet të ketë status të barabartë në Jugosllavi sikur republika e Malit të Zi, Sllovenisë dhe Maqedonisë, pasi që popullsia e saj është po aq e madhe dhe po aq etnikisht homogjene si çdo republikë tjetër. Por, udhëheqësia jugosllave refuzon me këmbëngulje që të dorëzohet para kësaj logjike për arsye të politikës së brendshme dhe çështjes së sigurisë”, thuhet në raportin e tij. “Dikush, diku duhet të lëshoj  pe: është problem për të cilin Jugosllavia duhet të vendos se çka do të bëjë. Në të kaluarën, Jugosllavia ka pasur sukses pas çdo shpërthimi të nacionalizmit në Kosovë pasi që  e qetësonte situatën duke ofruar koncesione  kushtetuese, të cilat, në mënyrë kumulative, Kosovës i kanë dhënë virtualisht status të republikës”.

Për fund, pa dhënë shumë gjykime, do të ishte mirë të njihet mendimi i studentit italian Demetrio Delifera, i cili për studime për kulturën shqiptare gjendej në Prishtinë në kohën e këtyre demonstratave. Në gazetën “Espresso” të Italisë, ai do të botojë pjesë të ditarit të tij. Përshkrimi i tij prej një neutrali, zbërthen më së miri atë se a ishin në gjendje të mirë apo të keqe shqiptarët e Kosovës në vitin 1981.

“E drejta e studimit për studentët kosovarë është ende shumë më e kufizuar sesa ajo që u jepet universiteteve të tjera të vendit. Shërbimet publike në Prishtinë janë të nivelit më të ulët. Megjithëse mësimi bëhet edhe në shqip, nuk ka libra në këtë gjuhë. Për t’i siguruar ato nga Tirana, kur është e mundshme, duhet të paguhet një mbitaksë e lartë. Pika tjetër që i shtyri studentët të manifestojnë ishte niveli i ulët i jetesës dhe papunësia (80 për qind e të diplomuarve nuk gjejnë punë, shumë prej tyre kanë emigruar në Gjermani, Francë, Belgjikë, Zvicër, e Suedi)”, ka shkruar ai. “Asnjë jugosllav që nuk ishte në Prishtinë, nuk ka mundur të imagjinojë nga të dhënat zyrtare ftohtësinë dhe vendosmërinë e reparteve të Policisë të sjella me aeroplan nga Beogradi. Por, as banorët e Prishtinës nuk e dinë me të vërtetë se çfarë u bë në mbrëmjen e datës 26 mars. Duheshin pesë ditë që të përhapeshin në qytet, në fillim habia, e mandej urrejtja për policët e për ata që i dërguan. Gjithashtu, rritet gjithmonë e më shumë shqetësimi për qytetarët e shumtë të arrestuar që rrezikohen të mos dalin më nga burgu, siç ndodhi më 1968”, ka shkruar ndër të tjera ky italian që dëshmon – siç kishte thënë këngëtarja më e famshme e asaj kohe në ish-Jugosllavi, Zana Nimani – se për demonstrata shqiptarët “me siguri kishin ndonjë arsye”!

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, 10 korrik 1982 (nga e djathta në të majtë): Jakup Krasniqi, Mehmet Hajrizi, Gani Sylaj, Nezir Myrtaj dhe Berat Luzha. Ky është grupi i parë prej 19 anëtarëve të OMLK-së. Në foto mungon Hydajet Hyseni, i cili nuk u paraqit në gjykim me arsyetimin e Trupit Gjykues se është i sëmurë. Drejtuesit e grupit protestuan, duke e bërë të pamundur mbajtjen e seancës së parë, meqë ishte dyshuar se Hydajeti është vrarë! Në këtë proces gjyqësor u dënuan këta veprimtarë: 1. Hydajet Hyseni, me 15 vjet burg; 2. Jakup Krasniqi, me 15 vjet burg; 3. Mehmet Hajrizi, me 12 vjet burg; 4. Gani Syla, me 15 vjet burg; 5. Nezir Myrtaj, me 12 vjet burg; 6. Berta Luzha, me 12 vjet burg; 7. Sherafedin Berisha, me 5 vjet burg; 8. Ismail Syla, me 12 vjet burg; 9. Jahir Hajrizi, me 11 vjet burg; 10. Sheqir Zeneli, me 4 vjet burg; 11. Fehmi Plakiqi, me 5 vjet burg; 12. Azem Syla, me 5 vjet burg; 13. Xhevdet Syla, me 4 vjet burg; 14. Fatmir Krasniqi, me 4 vjet burg; 15. Ferid Çollaku, me 8 vjet burg; 16. Hysni Hoti, me 6 vjet burg; 17. Kadri Luzha, me 5 vjet burg; 18. Mustafë Ademi, me 6 vjet burg; 19. Jashar Alijaj, me 6 vjet burg.

Më 1981, në këtë vit të rënd, në revistat dhe gazetat e Kosovës botoheshin pamje nga Berlini dhe muri që ndante të dy anët e qytetit. Por, muri shqiptaro-shqiptar ishte shumë më i madh dhe më i mbrapshtë se ai Berlinit. Botoheshin po ashtu artikuj për vuajtjet e zezakëve në Amerikë, e ne ishim zezakët e Evropës.

Në Kosovë prapë flitej dhe shkruhej për emancipimin e femrave, për seks dhe për problemet me shkolla, sidomos në universitet i cili ishte shndërruar në “problem” goxha të madh pas demonstratave të studentëve shqiptarë. Prandaj, apelohej për “mobilizim të përgjithshëm, për ruajtjen dhe forcimin e unitetit midis të gjitha kombeve dhe kombësive tona”. Sanije Hyseni, vajza e cila për herë të fundit ia kishte dorëzuar stafetën Titos, në një artikull thoshte: “Rinia nuk lejon rrezikimin e fryteve të revolucionit”. Ndërsa, të tjerët: “Nga të gjitha anët e Kosovës arrijnë telegrame: Energjikisht dënohen demonstratat”, “Ne kemi përgjegjësi historike që ta bëjmë të pamundshëm – veprimin e mëtejshëm të armikut”. Dhe, blla, blla, blla të tjera …

Më 1981, thuhet se bën vetëvrasje kryeministri i Shqipërisë, Mehmet Shehu. Sipas disa teorive, thuhet se në mes të Enverit dhe Mehmetit, nga marsi i vitit 1981, ka pasur polemikë për Kosovën e cila ka kaluar deri në kufijtë e grindjes. Këtë e ka thënë Ali Çeno, truproje e Shehut, i cili ka qenë prezent. “Aty nga marsi apo fillimi i prillit të vitit 1981, Enveri dhe Mehmeti sapo kishin dalë nga ndërtesa e KQ-së. Ata u ndalën para shtëpisë së partisë, duke debatuar me njëri-tjetrin me zë të lartë, saqë fjalët e tyre dëgjoheshin jo vetëm nga ne oficerët e grupeve të shoqërimit, por edhe më larg. Mehmeti iu drejtua Enverit: ‘Sot të shpallim mobilizimin e përgjithshëm dhe të nisim tanket drejt Veriut, në kufirin me Jugosllavinë. Ne këtu nuk mund të rrimë duarkryq dhe byth palafiku, kur atje vriten njerëz. Një mobilizim i përgjithshëm do të tërhiqte vëmendjen e Perëndimit dhe problemi i Kosovës do të jetë më i lehtë për t’u zgjidhur. Po të na paraqitet nevoja, të fillojmë edhe luftën. Nuk kemi ç`presim më’. Pas këtyre fjalëve, Enveri ju përgjigj po me atë ton të lartë: ‘Jo, këtë nuk mund ta bëjmë kurrë. Nuk mund ta prishim në një ditë atë që kemi ndërtuar për dyzet vjet’…“, ka thënë Çeno.

Por, e vërteta më e besueshme është se diktatorët në pleqëri bëhen mosbesues ndaj secilit, edhe ndaj miqve e bashkëpunëtorëve më të afërt.

Dosja 1981: Ngjarjet që ndryshuan rrjedhën e historisë (Foto)
Lexo po ashtu Dosja 1981: Ngjarjet që ndryshuan rrjedhën e historisë (Foto)

Viti i Ri 1981 ishte i rëndë dhe plot dhembje. Shumë shqiptarë u vranë, mijëra të tjerë u arrestuan dhe keqtrajtuan. Në media botoheshin reagime ndaj “Zërit të popullit” në Tiranë, i cili “dezinformonte rreth shkaqeve të demonstratave armiqësore në Kosovë”. Është kjo koha kur edhe për fjalën “eho” (E-nver HO-xha) shkonte njeriu në burg.

“Nuk na zgjati shumë”, thoshin atëherë shqiptarët, të cilët pas kushtetutës së vitit 1974 kishin filluar ta shijonin pak lirinë dhe përparimin.

Tito me shqiptarë e fortë të ish-Jugosllavisë: Xhavit Nimani, Mahmut Bakalli dhe Fadil Hoxha. Pas vitit 1981, Serbia nuk donte më politikanë këmbëngulës shqiptarë …

Filmat më të njohur në botë ishin: “Chariot’s of Fire”, “Neighbours”, “An American Werewolf in London”, “On Golden Pond” … e në Kosovë ende flitej dhe shkruhej për projektet televizive dhe filmat: “Tre vetë kapërcejnë malin”, “Fidani”, “Gjurmë të Bardha”, “Era dhe Lisi” …

Bota dridhej nën ritmin e Human League, Queen, 45 Starsound, Elkie Brooks, Foreigner, Journey, Styx, Stevie Nicks, Duran Duran … Ndërsa, Kosova nën ritmet e: Irfan Blakçorit, Arian Kerliut, Gazmend Pallaskës, Bedri Islamit, Valentina Saraqinit, Hilmi Obërtincës, Shaban Kelmendit, Fontanës, Trixit, Ilirëve, Aidës, Rokmasës, TNT-së etj.

Në rokun e Kosovës dhe në tërë Kosovën u fut një “valë e re”! /Telegrafi/

Mehmet Shehu pas “vetëvrasjes”