LAJMI I FUNDIT:

Vetëvendosje e vendosur për të kundërshtuar marrëveshjet Kosovë-Serbi

Vetëvendosje e vendosur për të kundërshtuar marrëveshjet Kosovë-Serbi

Ndonëse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën e bojkotuan Kuvendin e Kosovës, sot Lëvizja Vetëvendosje si e vetme iu kthye sërish Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje para se të hynin në sallën ku pritej të fillonte seanca e rregullt, janë shprehur do të marrin pjesë në seancë pasi kur kanë dalë kanë thënë se do të kthehen sërish në Kuvend.


Por kanë potencuar që do të veprojnë varësisht prej çështjeve që do të diskutohen në Kuvend por nëse diskutohet demarkacioni me Malin e Zi.

Aida Dërguti tha se do të reagojnë, ndërsa e pyetur nëse do të gjuajnë gaz apo ndryshe ajo u shpreh se do të shihet në vazhdim.

“Ne në momentin kur kemi dal kemi thënë se do të kthehemi. Ne do ta luajmë rolin opozitarë dhe varësisht prej çështjeve të cilat do të vijnë në agjendë të Kuvendit do të veprojmë. Pra, nëse vjen demarkacioni ne do të veprojmë si zakonisht, siç kemi kundërshtuar. Çdo aksion politik i cili e pengon vazhdimin e seancës normale kur të vjen te demarkacioni ne do të përdorim”, tha Dërguti.

Dërguti ka shtuar se me pjesëmarrjen e tyre në Kuvend do të pasurohet edhe debati.

Edhe Glauk Konjufca tha se janë kthyer në Kuvend dhe do të marrin pjesë derisa zhvillohen të gjitha pikat tjera pa demarkacion me Malin e Zi dhe “Zajednicën, komunave serbe në Kosovë, ku ka theksuar se kjo do ta radikalizonte Vetëvendosjen dhe nuk do të lejonin që këto marrëveshje të kalonin.

“Përndryshe në tema tjera, ku flitet për ligje tjera gjitha ato vendime dhe punë të cilat merret natyrshëm Kuvendi i Republikës së Kosovës ne do të veprojmë brenda kornizave normale të një parlamentarizmi demokratik”.

Ai shtoi se Demarkacionin dhe “Zajednicën” nuk do t’i lejojnë në asnjë mënyrë të kalojnë.

Mënyra se si do të kundërshtohen tha se do të vendoset dhe shihet në të ardhmen.

Ndërsa deputetja nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani para fillimit të seancës së rregullt të Kuvendit ku po merr pjesë edhe Lëvizja Vetëvendosje, tha se është mirë që opozita është kthyer në Kuvend.

Sipas Osmanit nuk është mirë të kthehen skenat e kaluara që kanë qenë në Kuvend pasi sipas deputetes Osmani ato pamje e kanë dëmtuar Kosovën shumë para botës.

“Edhe ato vende që kanë pas ndërmend të na njohin si shtet tashmë hezitojnë ta bëjnë këtë”.

“Pamja që ne duhet të prodhojmë nga ky Kuvend i Kosovës duhet të jetë pamje e debatit demokratik”, ka thënë Osmani.