Gati dhjetë paga nuk i ka marrë nga klubi dhe nuk dihet se a do t’i marrë ndonjëherë, por asnjëherë nuk është ndalur së mbrojturi portën e skuadrës së zemrës, ku e nisi karrierën. Ka pasur oferta nga skuadrat e ndryshme, por nuk ia ka kthyer shpinën tifozëve dhe qytetit, për të cilët ka respekt të madh.

Bëhet fjalë për portierin e Llamkos Kosovës, Petrit Tahirin, i cili ka pranuar vetëm 11 gola në stinorin vjeshtor në 16 paraqitje, raporton SportPlus.


“Stinorin vjeshtor e vlerësoj të suksesshëm, duke pasur parasysh krizën financiare nëpër të cilën kemi kaluar. Ka qenë shumë e vështirë për të gjithë. Sikur të ishin gjërat në vend, mendoj se me këtë grup lojtarësh që kemi, do të përfundonim më lartë se pozitën që jemi tani”, tha fillimisht Tahiri për gazetën.

“Ka qenë e vështirë të na motivoi trajneri, Bekim Shotani, por ai me stërvitjet e tij dhe me atmosferën që ka krijuar na ka shtyrë që të luajmë për të dhe të vazhdojmë tutje, sepse ne lojë ne kemi pasur nga kush të motivohemi, jemi motivuar për qytetin, për tifozët e flaktë ‘Forca’ dhe me se shumti për trajnerin Bekim Shotani, por edhe Ismet Munishin dhe ndihmësit e tij të palodhshëm”, shtoi ai. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app