I vrari në Dragash dyshohet se ishte imam – detaje të reja nga therja me thikë në Zlipotok


Personi që u vra mbrëmë në fshatin Zlipotok të Dragashit dyshohet se ishe imam në këtë komunë.
Autoritetet nuk e kanë konfirmuar ende identitetin e viktimës, por burime të KosovaPress thonë se bëhet fjalë për hoxhën Gazmen Tairovci.
Rasti ku humbi jetën ishte raportuar të hënën rreth orës 23:15 në polici, me telefon. Fillimisht ishte thënë se në fshatin Zlipotok, komuna e Dragashit, kishte ndodhur një rrahje mes disa personave.
Burime nga policia kanë thënë se me arritjen në vendin e ngjarjes, patrulla e forcave të rendit ka gjetur një person të shtrirë në tokë. Dyshimet e para ishin se atij I ishin shkaktuar lëndime me një mjet të mprehtë.
“Pas arritjes së ekipit mjekësor nga QKMF Dragash, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës, G.T., mashkull rreth 47-vjeçar nga Zlipotoku i Dragashit”, thuhet në një raport të policisë.
I dyshuari, gjithnjë sipas forcave të rendit, është identifikuar si B.H., mashkull 40-vjeçar nga Zlipotoku. I njëjti ndodhet në arrati, ndërsa që nga mbrëmja e kaluar policia, sic ka thënë, është duke ndërmarrë veprime intensive për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të Stacionit Policor në Dragash, komandanti i stacionit, si dhe është njoftuar Njësia Rajonale e Hetimeve në Prizren, të cilës më vonë i janë bashkuar edhe njësi të tjera policore. Hetimet janë duke u zhvilluar në koordinim me prokurorin e shtetit ndërsa rasti është inicuar si "Vrasje e rëndë".







































