LAJMI I FUNDIT:

“Dhimbja që u kthye në forcë”, rrëfimi i Elbasan Rashanit për vdekjen e babait dhe shkëlqimin në Ligue 1 dhe me Kosovën

“Dhimbja që u kthye në forcë”, rrëfimi i Elbasan Rashanit për vdekjen e babait dhe shkëlqimin në Ligue 1 dhe me Kosovën

Elbasan Rashani kishte bërë karrierë më parë vetëm në futbollin skandinav, më saktësisht në Norvegji dhe Danimarkë.

Në këto dy kampionate, Elba kishte luajtur për klube të mëdha si Brondby, Odd dhe Rosenborg, para se në janarin e vitit 2021 të kalojë në futbollin turk te Erzurumspor.


Kontrata e tij ishte gjashtë muaj, me mundësi vazhdimi edhe për dy vite të tjera nëse Erzurum mbetej pjesë e elitës së futbollit turk.

Por përkundër formës së mirë te Erzurumspor ku shënoi tre gola dhe asistoi në dy të tjerë, kjo skuadër nuk arriti ta mbajë statutin e ekipit elitar në Turqi.

Elba ishte rikthyer në Norvegji, vendin ku u lind dhe u rrit për të pritur ofertat që po vinin në drejtim të tij.

Por në muajin qershor djaloshit nga Vushtrria i ndodhi një tragjedi në familje, pasi personi më i dashur në jetë, babai, i ndërroi jetë pas një sulmi në zemër.

Vdekja e papritur e babait e shkatërroi moralisht në njërën anë, por në tjetrën Elba u desh të bëhej i fortë, pasi tani ka mbetur i zoti i shtëpisë dhe përpos që duhet të kujdeset për gruan dhe djalin e tij, duhet të kujdeset edhe për nënë dhe motrat e tij.

“Ka qenë një muaj shumë i vështirë qershori për mua. Sapo e kishim festuar ditëlindjen e 60-të të babait ku kaluam për mrekulli e gjithë familja dhe pas dy dite nëna më thirri për të më treguar se ai ka një sulm kardiak, ku më vonë nuk arriti të shpëtojë”.

“Ishte një moment shkatërrues për mua, por u desh të bëhem i fortë, pasi e dija që babi dëshiron të më shoh të fortë dhe të kujdesëm për familjen time”, fillon rrëfimin e tij për Telegrafin, Elbasan Rashani.

Pasi kreu të gjitha procedurat e varrimit të babait në Kosovë, Elba u rikthye në Norvegji dhe po priste për të vendosur për njërën nga ofertat e shumta që i kishin ardhur.

“Ka qenë një periudhë e vështirë siç e thash edhe më lartë, por u desh që të bëhem i fortë për të vazhduar tutje. Kisha shumë oferta para vetës, sidomos nga skuadrat turke, por në fund vendosa për Clermontin pasi kjo skuadër më priti shumë dhe këmbënguli për të më marrë”, vazhdoi tutje Rashani për Telegrafin.

Ishte 16 korriku i këtij viti, kur Elba zyrtarizohej si një futbollist i ri i Clermont, skuadër që ishte futur për herë të parë në histori të klubit në elitën e futbollit francez, Ligue 1.

“Vendosa për Clermont, trajneri më donte me ngulm, por edhe klubi treguan besim të madh në mua dhe kjo është shumë e rëndësishme për një futbollist”.

Qysh në ndeshjet parasezonale Rashani tregoi se ka marrë një forcë të madhe, duke bërë ndeshje të mëdha e duke realizuar edhe gola.

“Qysh në ditët e para tek kjo skuadër kam krijuar përshtypje shumë të mira, të gjithë më kanë pritur mirë dhe kishin besim tek unë”, vazhdoi Rashani.

Clermont ndeshjen e parë në histori të klubit në Ligue 1 e zhvilloi më 8 gusht në udhëtim te Bordeaux, kur Rashani u inkuadrua në 12 minutat e fundit të ndeshjes dhe bëri asistimin e parë për fitoren 2-0 të skuadrës së tij.

“Ky është një klub fantastik, është një trajner që për mua është më i miri me të cilët kam punuar. E dinim se do të fillojmë mbarë, pasi e kishte përgatitur skuadrën në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Asistimi në xhiron e parë u harrua, kur në xhiron e tretë ndodhi shpërthimi nga Elba, në takim përballë gjigantit francez Olympique Lyon.

Clermont ishte duke humbur 3-1 nga pjesa e parë, derisa Rashani inkuadrohet në lojë në minutën e 69-të. Çfarë zëvendësimi nga trajneri Pascal Gastien, pasi ylli i Kosovës u shndërrua në hero për skuadrën e tij.

Të pranishëm në ‘Parc Olympique Lyonnais’ ishin 34,713 tifozë, por të gjithë u heshtën falë golave të Rashanit. Vushtrriasi të parin e realizoi në minutën e 80-të për të ngushtuar epërsinë në 3-2, derisa të dytin arriti ta realizoj me kokë në minutën e 91-të për t’i siguruar një pikë të madhe ekipit të tij.

Ai festoi duke ngritur duart lartë në qiell, pasi e dinte se dikush nga lartë po i jep forcë për këtë sukses.

Festa e Rashanit dhe dedikimi me dy duart në qiell, për babanë.

“Pas golave ndaj Lyonit, shikova qiellin dhe fola vet me vete, duke thënë e di që je ti ai që më dhe këta gola, e di që je ti ai baba që po më jep këtë forcë”, deklaroi Rashani i emocionuar.

Se është në top formë, Elba tregoi edhe në ndeshjen e ardhshme, ku kësaj radhe Clermont ishte nikoqir i Metz dhe po humbiste 0-2.

Elba asistoi tek goli i parë për të ngushtuar epërsia e mysafirëve në 1-2, derisa në minutën e 58-të shënoi për 2-2.

Festa ishte e gjitha për të, tani për t’ia dedikuar golin djalit të tij Lionit që ka 19 muaj që ka lindur dhe i shikon nga afër çdo ndeshje të babait në stadium.

“Familja ka qenë gjithmonë e shenjtë për mua. Agnesa (bashkëshortja) është një përkrahëse e madhe dhe gjithmonë është në stadium, ndërsa tani është edhe djali im Lioni që e kam sigurisht tifozin numër një”, tha Elba për Telegrafin.

Rashani thotë se ka dëshirë që Lioni të bëhet futbollist, por nuk do t’i ndërhyjë në të ardhmen në lidhje me profesionin.

“Natyrisht që do të kem dëshirë që të bëhet futbollist, por do ta lë të lirë të zgjedhë”, thotë Elba.

Forma fantastike që po kalonte në Ligue 1 u ndal shkaku i ndeshjeve ndërkombëtare dhe Elba si gjithmonë, pa shumë zhurmë dhe me krenari të madhe vjen e luan për Kosovën.

Në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë të fituar nga Kosova 0-1, Rashani ishte ndër lojtarët më të mirë në fushë, duke kryer edhe shumë detyra defensive.

“Ishte ndeshje e rëndësishme dhe kishim nevojë shumë për pikë. Luajtëm shumë mirë si skuadër dhe morën një fitore të madhe. Më vije keq për atë gol të anuluar”, tha Elba.

Por ai në takim me Gjeorgjinë u lëndua dhe mungoi në ndeshjen ndaj Greqisë në Prishtinë, ku mungesa e tij u vërejt shumë (1-1).

“Doja të luaja, por ishte e pamundur në atë takim, pasi rrezikoja edhe më shumë nëse do të lëndohesha”.

Të gjithë në Kosovë filluan të pyesnin nëse Rashani do të jetë i gatshëm për Spanjën, pasi për dallim nga vitet e kaluara, tani sulmuesi anësorë shihet si ndër pikat kyçe të Përfaqësueses së Kosovës.

Rashani ishte titullar ndaj Spanjës dhe njëri nga më të mirët në fushë. 28-vjeçari vraponte pa ndalur, në sulm e mbrojtje, duke shkëlqyer dhe duke fituar simpatinë edhe më të madhe të kosovarëve.

“Ishte shumë e rëndësishme ajo ndeshje ndaj Spanjës. Kam mbledhur të gjitha forcat dhe jam futur në fushë, ku e gjithë skuadra ka treguar një lojë të madhe dhe me pak fat do të mund të fitonim edhe pikë”, deklaroi Rashani.

Ai është pjesë e Kosovës që nga viti 2015, derisa thotë se për të është krenari e madhe ta vesh fanellën e vendit të tij.

“Prej ditës që kam ardhur të luaj me Kosovën, për mua ka qenë një krenari jashtëzakonisht e madhe. Është nder ta përfaqësosh vendin tënd dhe unë mundohem gjithmonë të jap maksimumin për të arritur rezultate të mira për Kosovën”, vazhdoi tutje Elba për Telegrafin.

“Ne kemi marrë katër pikë deri më tani, por mendoj se kemi merituar edhe më shumë. Gjithsesi deri në fund na kanë mbetur edhe tri ndeshje dhe shpresojmë të marrim më të mirën që të renditemi sa më lartë në grupin ku ndodhemi”, u shpreh Rashani.

Por pas rikthimit nga Kosova, atë e pret një udhëtim tjetër i vështirë me skuadrën e tij Clermont.

Elba me skuadrën e tij do të zbresin në fushën e ‘Parc de Princes’, për tu përballur me yjet më të mëdha botërorë të PSG-së.

“Ne si futbollistë në çdo ndeshje futemi për të marrë maksimumin, por ndaj Parisit do të jetë shumë vështirë”.

“Gjithsesi shkojmë në kryeqytet për të bërë lojën tonë dhe urojmë të bëjmë një tjetër mrekulli pas asaj të Lyonit”, tha Elba.

Sulmuesi anësorë ka dy vite kontratë me Clermontin, derisa thotë se qëllimi i tij është që të luaj sa më shumë dhe ta ndihmojë skuadrën në arritjen e objektivave.

“Unë jam i lumtur këtu, familja e ime gjithashtu. Uroj që të kem shëndet të mirë dhe pa lëndime që t’i ndihmojë skuadrës për t’i arritur objektivat që kemi”, përfundoi Rashani për Telegrafin.

Rashani e ka nisur karrierën tek të rinjtë e skuadrës së famshme norvegjeze Odd Ballklub, derisa që nga viti 2011 u bë pjesë e ekipit të parë.

Në vitin 2014 ai u largua në drejtim të Danimarkës për të luajtur me gjigantin Brondby, derisa dy vite më vonë u rikthye në Norvegji, ku nënshkroi për skuadrën më të madhe Rosenborg.

Rikthimi i tij në Odd ndodhi në vitin 2017, para se në ditët e para të vitit 2021 të transferohej në Turqi. /Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
Zinedine Zidane ‘një hap larg’ emërimit si trajner i gjigantit të njohur evropian

Zinedine Zidane ‘një hap larg’ emërimit si trajner i gjigantit të njohur evropian

Ndërkombëtare
E ardhmja e Guardiolës tek Man City në dyshim – një emër i ri del favorit për ta zëvendësuar atë

E ardhmja e Guardiolës tek Man City në dyshim – një emër i ri del favorit për ta zëvendësuar atë

Premier League
“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

Liga e Kampionëve
Phil Foden shpjegon pse Bellingham është një ‘dhuratë nga Zoti’ për Anglinë

Phil Foden shpjegon pse Bellingham është një ‘dhuratë nga Zoti’ për Anglinë

Ndërkombëtare
Refuzohet kërkesa e Prokurorisë, Akil Gjakova lirohet nga paraburgimi

Refuzohet kërkesa e Prokurorisë, Akil Gjakova lirohet nga paraburgimi

Xhudo
Ancelotti theu protokollin e UEFA-s pasi eliminoi Manchester Cityn nga Liga e Kampionëve

Ancelotti theu protokollin e UEFA-s pasi eliminoi Manchester Cityn nga Liga e Kampionëve

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori