Trajnerët kosovarë: Shqipëria po na nënçmon

Ky fenomen vlerësohet si shumë negativ nga njohës të rrethanave të futbollit të Kosovës. Trajneri më i suksesshëm kosovarë në vitet e pasluftës, Afrim Tovërlani, apelon kosovarët që mos të shkojnë në prova në Shqipëri. "Realisht nuk mendoj se duhet të shkojnë në prova, përveç se t'i kryejnë kontrollet mjekësore. Është dëshmuar se shumë futbollistë nga Kosova që kanë shkuar në Shqipëri, kanë shkëlqyer, madje në ekipet më të mëdha. Klubet nga Shqipëria kanë mundësi t'i shohin lojtarët e Kosovës në xhirimet televizive. Ai lojtar që shkon në prova në Shqipëri, nuk e vlerëson së pari veten, e pastaj futbollin e Kosovës", ka thënë Afrim Tovërlani për www.sportal.al.
Thuajse i të njëjtin mendim është edhe trajneri Ismet Munishi. "Lojtarët më të mirë në Kosovë, nuk ka logjikë që të testohen në Shqipëri, pasi që klubet nga shteti amë, kanë mundësi që t'i shohin ata në transmetimet televizive. Kampionati shqiptar është në një nivel shumë më të lartë se ai i Kosovës dhe duhet të jesh futbollist shumë i dalluar në Kosovë që të luash në Shqipëri, por pa prova", pohoi Munishi.
Ndërkohë, futbollisti dhe menaxheri Shpëtim Babaj, i cili ka dërguar shumë futbollistë në Shqipëri, konsideron se klubet nga Shqipëria po e nënçmojnë futbollin e Kosovës. "Nëse një ekip në Kosovë bie nga liga, sigurisht se ekipet në Shqipëri, mund të kenë dyshime për lojtarë të caktuar ta atij ekipi. Mirëpo, për ekipet që transmetohen në televizione, nuk i'a vlen që ata lojtarë të dërgohen në prova. Unë për vete nuk i dërgoj pasi që me këtë punë merrem tash e tri vite. Nuk i'a vlen që të nënvlerësohemi, ashtu siç po na nënvlerëson Shqipëria aktualisht", deklaroi Babaj.
Ai si lojtar ka bërë karrierë në shtatë shtete të huaja, ndërkohë që i ka djersitur fanellat edhe të disa skuadrave shqiptare.






















































