Përballja mes Manchester City dhe Arsenal në fundjavë u konsiderua si një “finale e parakohshme” për titullin në Ligën Premier dhe rezultati nuk zhgënjeu në aspektin dramatik.

City i Pep Guardiola arriti një fitore të rëndësishme 2-1 në “Etihad”, duke i dhënë një goditje të fortë Arsenalit në garën për titull. Me këtë sukses, diferenca është ngushtuar në vetëm tre pikë dhe gara tashmë duket si një duel i drejtpërdrejtë deri në fund të sezonit.


Megjithatë, sipas parashikimeve të “superkompjuterit” të Opta-s, Arsenal mbetet favorit për titullin. “Topçinjtë” kanë 72.97% shanse për të përfunduar në vendin e parë, ndërsa Manchester City ka vetëm 27.03%, me një diferencë të parashikuar prej dy pikësh në fund.

Ndërkohë, Manchester United është praktikisht i sigurt për një vend në Ligën e Kampionëve, me 98.64% gjasa për kualifikim pas fitores ndaj Chelsea.

Në garën për zonën evropiane, Liverpool dhe Aston Villa kanë forcuar pozitat e tyre. Një moment vendimtar erdhi nga Virgil van Dijk, i cili realizoi në minutën e 100-të ndaj Everton, duke krijuar një avantazh të rëndësishëm për Liverpoolin.

Forma e dobët e Chelsea në këtë fazë të sezonit mund t’i kushtojë shumë, pasi londinezët rrezikojnë seriozisht të mbeten jashtë çdo gare evropiane. Në të njëjtën zonë, Brentford dhe Bournemouth janë në garë të ngushtë, me këta të fundit që madje kanë gjasa të ngjiten më lart në renditje.

Sa i përket mbijetesës, Leeds United ka marrë frymë pas fitores ndaj Wolverhampton Wanderers, duke krijuar një diferencë prej tetë pikësh nga zona e rënies.

Ndërkohë, Burnley dhe Wolverhampton Wanderers konsiderohen tashmë të rënë nga kategoria, me 100% gjasa sipas parashikimeve.

Skuadra e tretë që pritet të bjerë ende nuk është e qartë. Aktualisht, Tottenham Hotspur ndodhet në atë pozitë pas një barazimi dramatik ndaj Brighton & Hove Albion, ndërsa West Ham United është menjëherë mbi ta dhe mbetet në rrezik serioz, me rreth 38.97% gjasa për rënie.

Java në vazhdim mund të jetë vendimtare, sidomos për Cityn që luan ndaj Burnleyt – një ndeshje që mund t’i çojë përkohësisht në krye dhe ta kthejë garën për titull në një duel edhe më të ashpër deri në fund./Telegrafi/

telegrafi sport app