Sipas raportimeve të gazetarit të njohur Fabrizio Romano, Liverpooli ka marrë vendimin përfundimtar që Alisson Becker të mos largohet gjatë afatit kalimtar veror, duke i dhënë fund spekulimeve për një transferim të mundshëm te Juventusi.

Portieri brazilian kishte zhvilluar bisedime me klubin bardhezi dhe me ish-trajnerin e tij te Roma, Luciano Spalletti, për një kalim të mundshëm në “Allianz Stadium”.


Në një moment, largimi i Alissonit nga “Anfield” dukej i mundshëm, sidomos pasi kontrata e tij u zgjat automatikisht deri në vitin 2027.

Megjithatë, gjatë ditëve të fundit, drejtuesit e Liverpoolit kanë ndryshuar qëndrim dhe kanë vendosur ta mbajnë portierin si pjesë kyçe të projektit edhe për një sezon tjetër.

Romano bën të ditur se klubi anglez ka kontaktuar zyrtarisht përfaqësuesit e lojtarit, duke konfirmuar se Alisson mbetet pjesë e planeve të Arne Slot.

Në anën tjetër, Juventusi tani duhet të fokusohet te opsione të tjera për portën për sezonin 2026/27. Një nga emrat që po përmendet si alternativë është David De Gea i Fiorentinës, ndërsa mediat italiane raportojnë se bardhezinjtë po përgatiten për një zëvendësim të Michele Di Gregorio.

Ndërkohë, Giorgi Mamardashvili mund të largohet nga Liverpooli në formë huazimi. Portieri gjeorgjian është lidhur me disa klube të Serie A, përfshirë Juventusin dhe Interin. /Telegrafi/

telegrafi sport app