LAJMI I FUNDIT:

Skocia voton për mbajtjen e një referendumi për pavarësi

Skocia voton për mbajtjen e një referendumi për pavarësi

Parlamenti i Skocisë votoi të mërkurën për një referendum të ri për pavarësinë e vendit të tyre, veprim ky që synon të rrit presionin politik mbi qeverinë britanike, ndërsa Mbretëria e Bashkuar veçse është larguar nga Bashkimi Evropian.

Deputetët në Parlamentin skocez, votuan me 64 vota pro, dhe 54 kundër, për mbajtjen e një referendumi, në këtë mënyrë banorët e Skocisë do të vendosin nëse dëshirojnë pavarësinë e vendit të tyre.


Sidoqoftë ky votim nuk do të ketë ndonjë efekt, pasi që referendumi duhet të zhvillohet me marrëveshjen e qeverisë britanike, ndërsa kryeministri Boris Johnson, këtë muaj e hodhi poshtë kërkesën e qeverisë skoceze për pavarësinë e vendit të tyre.

Johnson ka kujtuar referendumin e vitit 2014, ku skocezët kanë refuzuar pavarësinë e tyre.

Qeveria pro-pavarësisë së Skocisë thotë se Brexit ndryshon gjithçka.

Britania në tërësi votoi në vitin 2016 për t’u larguar nga BE, por votuesit në Skoci zgjodhën në masë të madhe për të mbetur.

Largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian pritet të ndodhë të premten.

“Ne qëndrojmë vetëm dy ditë larg nga humbja e anëtarësimit tonë në BE dhe të gjitha të drejtat që vijnë me të”, tha lideri i qeverisë skoceze, Nicola Sturgeon.

“Sipas mendimit tim, tani është padyshim e vetmja mënyrë që Skocia të kthehet në zemër të Evropës dhe të sigurojmë që të bëhet një vend i pavarur”, ka shtuar më tutje Sturgeon.

Deputetët skocezë gjithashtu votuan për të mbajtur flamurin e Bashkimit Evropian në parlamentin e tyre edhe pas Brexit-it. /Telegrafi/