eksperti-banner

Përgatitjet e kombëtares së Turqisë për Kupën e Botës janë përfshirë nga polemika pas publikimit të një videoje që ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale.

Pamjet, të cilat filluan të qarkullojnë në platformën X gjatë fundjavës, dyshohet se tregojnë disa lojtarë të ekipit kombëtar në ballkonin e një hoteli pak orë para ndeshjes hapëse të Grupit D kundër Australisë në Vancouver.


Ende nuk është konfirmuar se çfarë substance po përdornin lojtarët në video. Materiali është shpërndarë me shpejtësi online, ndërsa spekulimet variojnë nga duhani deri te substanca të tjera, por pa asnjë konfirmim zyrtar.

Në video shihen tre anëtarë të skuadrës turke, ku njëri prej tyre është i identifikueshëm si mbrojtësi i qendrës dhe lojtari i Fenerbahces, Caglar Soyuncu. Dy lojtarët e tjerë nuk mund të identifikohen qartë.

Përfshirja e Soyuncut ka marrë vëmendje të veçantë, duke qenë se ai është një nga lojtarët kryesorë të përzgjedhësit Vincenzo Montella dhe ishte parashikuar të ishte titullar në ndeshjen ndaj Australisë.

Ngjarja ka ndezur debat të madh në Turqi, me tifozë që shprehin shqetësim për disiplinën dhe përqendrimin e skuadrës para një ndeshjeje vendimtare në turne.

Skuadra turke është vendosur fillimisht në Arizona Athletic Grounds në Mesa gjatë përgatitjeve, përpara se të udhëtonte drejt Kanadasë për ndeshjen hapëse.

Pas Australisë, Turqia përballet me Paraguain në ‘Levi’s Stadium’ më 19 qershor, ndërsa ndeshja e fundit e grupit është ndaj Shteteve të Bashkuara më 25 qershor në ‘SoFi Stadium’./Telegrafi/

telegrafi sport app