Gjashtë arsyet pse Anglia nuk do ta fitojë Kupën e Botës 2026


Për Anglinë, “30 vitet e dhimbjes” duhej të përfundonin në Euro 1996, kur futbolli pritej të “kthehej në shtëpi”. Megjithatë, edhe pas tre dekadash, “Tre Luanët” nuk kanë fituar asnjë trofe madhor që nga Kupa e Botës 1966. Tani, para Botërorit 2026, optimizmi është rikthyer.
Skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel e siguroi kualifikimin me fitore në të gjitha ndeshjet dhe pa pësuar asnjë gol. Anglia renditet e katërta në botë dhe ka arritur dy finale radhazi të Kampionatit Evropian. Me emra si Declan Rice, Jude Bellingham dhe Harry Kane, që konsiderohet ndër favoritët për Topin e Artë, shpresat janë të mëdha.
Megjithatë, ka disa arsye pse ëndrra për t’i dhënë fund pritjes 60-vjeçare mund të dështojë.
Mbrojtja ngre pikëpyetje

Pavarësisht tetë ndeshjeve kualifikuese pa pësuar gol, mbrojtja e Anglisë nuk bind plotësisht. Mungesa e një mbrojtësi të majtë natyral, varësia nga forma fizike e John Stones dhe Reece James, si dhe eksperienca e kufizuar e alternativave në prapavijë, mund të bëhen problem në momentet vendimtare.
Temperaturat e larta

Kushtet klimatike në SHBA pritet të kenë ndikim të madh. Gjatë Kupës së Botës për Klube, shumë lojtarë dhe trajnerë u ankuan për vapën ekstreme. Edhe pse FIFA ka vendosur pauza për freskim gjatë ndeshjeve, temperaturat mund të jenë një sfidë e madhe për një ekip që vjen nga një klimë shumë më e ftohtë.
Forma e Bukayo Sakas

Bukayo Saka ishte lojtari më i rrezikshëm i Anglisë në Euro 2024, por sezonin e kaluar u përball me disa dëmtime. Tuchel ka pranuar se ai ende nuk është rikuperuar plotësisht nga problemi në tendinën e Akilit, duke ngritur dyshime për ndikimin e tij në turne.
Mungesa e lojtarëve që ndryshojnë ndeshjet

Stoli anglez nuk duket aq i pasur me lojtarë që mund të bëjnë diferencën në momentet kritike. Vendimet për të lënë jashtë emra si Phil Foden dhe Cole Palmer kanë reduktuar opsionet kreative të skuadrës.
Varësia nga Harry Kane

Vetë Tuchel e ka pranuar se, pa Kane, Anglia humbet një pjesë të madhe të rrezikshmërisë së saj. Sulmuesi i Bayern Munich mbetet pika kryesore e referimit në sulm dhe një dëmtim apo formë e dobët e tij mund të ndikojë ndjeshëm te shanset e ekipit.
Presioni i historisë

Pavarësisht potencialit, Anglia vazhdon të mbajë mbi supe barrën e dështimeve të së kaluarës. Edhe në epokën e Gareth Southgate, skuadra arriti dy finale evropiane, por nuk ia doli të fitonte trofeun. Presioni i pritshmërive të mëdha mund të jetë sërish një kundërshtar i fortë për “Tre Luanët”.
Në letër, Anglia ka një nga skuadrat më të forta të Botërorit 2026. Megjithatë, problemet në mbrojtje, kushtet e vështira klimatike, varësia nga Kane dhe pesha e historisë mund ta pengojnë edhe një herë drejt lavdisë së shumëpritur./Telegrafi/





































