Shifra marramendëse që do të fitojë Ronaldo te Al-Nassr

Ylli i futbollit, Cristiano Ronaldo është prezantuar te klubi i Arabisë Saudite, Al-Nassr, të premten mbrëma.
Pesë herë lojtari më i mirë në botë ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me klubin nga Arabia Saudite.
37-vjeçari, sipas mediave, pritet të përfitojë mbi 200 milionë euro në vit, duke përfshirë edhe ato që do të vijnë nga marketingu.
Me këtë shifër ai bëhet futbollisti më i paguar ndonjëherë.
Ronaldo konsiderohet gjerësisht si një nga lojtarët më të mëdhenj të futbollit, pasi ka fituar pothuajse çdo trofe të mundshëm, përveç Kupës së Botës.
Ai e ka nisur karrierën te Sportingu, ndërsa ka luajtur te Manchester United, Real Madrid dhe Juventus. Në nëntor të këtij viti, pas rikthimit për herë të dytë, u largua nga Man United.
Lëvizja e tij për t’u transferuar në Arabinë Saudite është vlerësuar si befasi, pasi vetë Ronaldo kishte deklaruar se dëshiron ta mbyllë karrierën në një klub evropian dhe dëshira e tij ishte të ishte pjesë e një klubi që luan në Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/




















































