LAJMI I FUNDIT:

Shënjestra të censorëve të rinj: Nismat absurde kundër veprave të artit

Shënjestra të censorëve të rinj: Nismat absurde kundër veprave të artit

Pierluigi Battista

Një valë neo-obskurantiste rrezikon të mbysë gjykimin e shëndoshë dhe kulturën, në emër të flamurit të së Mirës dhe të Drejtës. Përballemi me hipotezën e mospublikimit të “Një ditë shiu në New York” nga Woody Allen, për shkak të akuzave ndaj regjisorit të cilat një gjykatë amerikane i ka gjykuar si të pabazuara, për përdhunimin e vajzës minorene të Dylan Farrowit. Aspekti më i shëmtuar i kësaj hipoteze është që ajo të konsiderohet e vërtetë: pra bota po diskuton me të vërtetë nëse është apo jo momenti për të publikuar një film të Woody Allenit; nuk është një lajm i rremë, është në fakt sinjalizues i një klime të frikshme censure dhe intimidimi.


Duhet të ishte normale dallimi se veprat e artit, të letërsisë dhe të kinemasë janë një gjë dhe një gjë tjetër keqbërjet eventuale(ta përsërisim eventuale) të kryera nga ai që është autori. Në të vërtetë ky dallim nuk ekziston më dhe po flitet qetësisht për fshirjen e artit për të goditur artistin për të shkuarën e tij. Nuk është një shaka: në muajt e shkuar një grup demonstruesish të nxitur, protestuan zhurmshëm në inaugurimin e retrospektivës së organizuar nga Cinémathèque Française dedikuar Roman Polanskit. Apo më mirë: sipas protestuesve askush nuk mund të shohë më kryevepra si “Cul de saco” apo “Pianisti”, sepse regjisori është fajtor për një përdhunim. Nuk kërkohet që të dënohet një fajtor, por të asgjësohen filmat e tij. Dhe, kjo kërkesë konsiderohet legjitime dhe e arsyeshme: ja pra efektet e valës neo-obskurantiste.

Sa kohë ka nga rivlerësimi asgjësues që censorët e kohës donin t’i bënin filmit “Tango e fundit në Paris” të Bernardo Bertoluccit? Motivet ndryshojnë, do të kishin qenë më “progresiste” po jo finalja: censura.

Më tej akoma, në universitetet amerikane po rritet prirja, disa herë e mbështetur nga komitete të përdorur për djegien simbolike të veprave të inkriminuara, për të ndaluar “Tit Androniku” të William Shakespearet dhe “Metamorfozat” e Ovidit sepse na përmbakan situata dhune seksuale që mund të “fyejnë” ndjeshmërinë e studentëve dhe studenteve që kanë pësuar ngacmime seksuale. Zelltarët më të mëdhenj nuk kanë kursyer as linçimin postum të “Getsbi i Madh” të Francis Scott Fitzgeraldit sepse na qenkësh një roman i mbushur me veprime të këqija. Në Karolinën e Veriut ka nisur thirrja për heqjen nga libraritë të çdo gjurme të “Lolitës” të Vladimir Nabokovit, sigurisht për mbrojtjen e minorenëve. Dhe shtëpitë botuese kanë nxituar të pastrojnë tekstet e Mark Twainit sepse përmbanin fjalën “zezak”.

Ndalimi i modifikimit të teksteve, imazheve të veprave sipas qejfit, vepra që duhen mbrojtur në tërësinë dhe integritetin e tyre, duhet të ishte neni 1 i një vizioni liberal që e konsideron atë si liri të shprehjes së kulturës.

Një tjetër shembull vjen nga Italia. Në vend se të konsiderohet si simptomë e një mentaliteti të zymtë, obskurantist dhe censurues, vendimi i Maggio Musicale Fiorentinos, mbështetur edhe nga kryebashkiaku Dario Nardella për të ndryshuar finalen e “Carmenit” të Georges Bizetit, po kalon si teprim ekstravagant, që synoka shkurajimin e impulseve antifeministe të publikut. Dhe, kanë nisur të dëgjohen mërmërimat e para censuruese për serinë televizive “Gomorra”, sepse do na përcjellka mesazhe të këqija.

Diksush ka ecur më para. Në Londër censuruan disa nudo femërore të Egon Schieles, artisti që u dënua njëherë një shekull më parë në Vjenë, për padenjshmëri. Edhe në këtë rast ka ndryshuar motivacioni (tani flitet për mbrojtjen e dinjitetit të grave), por nuk ndryshon persekutimi ndaj një vepre arti që do të donin ta zhduknin.

Një komitet intelektualësh (intelektualët janë përherë në rreshtin e parë kur invokohet censura e veprave të tjerëve siç është demonstruar nga turmat e shkrimtarëve, artistëve, mendimtarëve të tërhequr nga proceset e djegieve të Hitlerit dhe Stalinit) ka kërkuar që të fshihet në qilar një pikturë e Balthusit sepse stimulon impulse të rrezikshme pedofilie. Në Francë, në valën e protestave që kanë detyruar botuesin “Gallimard” të tërheq projektin për publikimin e teksteve antisemite të Louis-Ferdinand Céline, mes të cilave “Çikërrima për një masakër” u arrit deri aty sa të kërkohej tërheqja e shitjes së një kryevepre të letërsisë si Udhëtim në fund të natës.

Vendosja e një lidhjeje mes sjelljeve të një artisti të konsideruara të pandershme dhe veprave të tij, për të kërkuar mandej censurën dhe mbylljen e gojës është një nga simptomat e valës së neo-obskurantizmit që po na përmbyt. Së fundmi, një gazetar në “Washington Post”, duke lexuar shënime dhe ditarë që vetë Woody Allen ka vënë në dispozicion të studiuesve, konkludoi se regjisori i “Manhattanit” është fajtor për diçka që i ngjan “psikokrimit” të distopive të ideuara në vitet 1900: dëshira, tërheqja për femrat shumë më të reja.

A do ta ngopte padurimin e censorëve fshirja e veprës së Woody Allenit?

Ndoshta jo, mundet që në mënyrë të dobishme të nxjerrin jashtë ligjit punët e Pablo Picasso-s që femrat nuk është se i trajtojnë mirë, apo të Pier Paolo Pasolinis me çedukuesen e tij “Djemë të jetës”. Shpresojmë që jo, por me këtë klimë obskurantiste, asnjëherë mos thuaj kurrë. /“Corriere della Sera”/Përkthyer në shqip nga: Respublica.al/

Në trend Kultura

Më shumë
EZRA POUND

EZRA POUND

Poezi

"Ishulli i vdekjes" i Britanisë së Luftës së Dytë Botërore

Kulture
Binjaket magjepsëse dhe shkrimtarët e famshëm

Binjaket magjepsëse dhe shkrimtarët e famshëm

Kulture
Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Kulture
Karnavalet, origjina dhe domethënia

Karnavalet, origjina dhe domethënia

Kulture
Jeta në komunizmin shqiptar

Jeta në komunizmin shqiptar

Kulture
Kalo në kategori