Si po e ndryshon inteligjenca artificiale gjuhën


Ndërsa akuzat për përdorimin e LMM-ve [modelet e mëdha gjuhësore] tronditin botën e letërsisë dhe të medias, gjuhëtarët shpjegojnë se çfarë e dallon vërtet shkrimin njerëzor nga ai i makinerive, ndërsa romancierët, përfshirë Jennifer Eganin dhe Jeanette Wintersonin, reflektojnë mbi të ardhmen e letërsisë në epokën e ChatGPT-së.
Nga: David Shariatmadari, shkrimtar / The Guardian
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
Tre paragrafë nga tri vlerësime të ndryshme për hotele. A mund ta dalloni se cili, nëse ndonjëri prej tyre, është gjeneruar nga IA-ja [inteligjenca artificiale]?
"Hoteli ndodhet në një lokacion të shkëlqyer për çdo gjë. Ka shumë vende ku mund të hash dhe të pish. Vetë hoteli është gjithmonë plot energji. Taverna që ndodhet në katin përdhes është patjetër një vend që duhet vizituar. Ushqimi, shërbimi, çmimet dhe atmosfera ishin të shkëlqyera”.
"Një hotel i mirë, ndonëse dhoma kishte përmasat e një ashensori të pajisur mirë. Fjeta mirë, dushi ishte i shkëlqyer dhe stafi ishte miqësor. Mëngjesi ishte i ngarkuar, por i organizuar mirë. Do të kthehesha sërish, ndonëse ndoshta jo me një valixhe shumë të madhe”.
"Një bazë e shkëlqyer për një udhëtim në Londër. Dhoma ishte e qetë, shtrati i rehatshëm dhe gjithçka funksiononte pikërisht ashtu siç duhej. Stafi ishte i gatshëm për të ndihmuar, pa u bërë i bezdisshëm. Një qëndrim i qetë dhe pa ndërlikime - nga fillimi deri në fund”.
Si mendoni se ia dolët? Shumica e njerëzve, thotë Claire Hardaker, profesoreshë e gjuhësisë forenzike në Universitetin e Lankasterit, e bëjnë këtë lloj vlerësim të saktë në vetëm rreth 60 përqind të rasteve. Testi i saj në internet, Bot or Not [robot ose jo], u kërkon përdoruesve të identifikojnë tekstet e rreme në një seri prej 15 recensionesh. Kjo shkallë mesatare suksesi mund t'i habisë ata që janë të bindur se nga distanca mund ta dallojnë një tekst të shkruar nga IA-ja. Kur, në maj, u ngritën dyshime për autenticitetin e një tregimi të shkurtër fitues të një çmimi, nga Jamir Naziri, përdoruesit e rrjeteve sociale u treguan jashtëzakonisht të shpejtë në dënimin e tij. "Nëse ti e di, e di ti”, komentoi njëri prej tyre. Më vonë, Naziri i tha revistës The Atlantic se nuk e kishte përdorur IA-në.
Hardakeri thotë se pjesëmarrësit, në testin e saj, priren të mbështeten në disa udhëzues për të identifikuar gjuhën e prodhuar nga IA-ja, përfshirë praninë e klisheve dhe përdorimin e vijës ndarëse. Edhe "rregulli i treshes", ku fjalët ose shprehjet renditen në një treshe që tingëllon e kënaqshme, konsiderohet një shenjë dalluese. "Njerëzit kanë mësuar disa rubrika shumë të thjeshta dhe tani thjesht i zbatojnë me ngulm kudo”.
Megjithatë, ekziston një problem: këto "shenja dalluese" janë karakteristike edhe për shkrimin njerëzor, mbi të cilin, në fund të fundit, janë trajnuar modelet e mëdha gjuhësore (LLM) që prodhojnë këto tekste. "Mund të kthehesh deri te Charles Dickensi dhe të thuash se ai kishte IA sepse edhe ai e ka përdorur vijën e gjatë ndarëse”. Edhe oratorët e njohin rregullin e treshes që nga koha kur Jul Cezari tha: Veni, vidi, vici [Erdha, pashë, fitova]. Nga tre shembujt e recensioneve të hoteleve, vetëm i pari ishte autentik. A e dalluat?
Ndoshta pikërisht sepse është kaq e vështirë të dihet me siguri, dyshimi është bërë rendi i ditës. Në botën letrare, akuzat për përdorimin e IA-së tani po ua vështirësojnë jetën shkrimtarëve me nivele të ndryshme justifikimi. Një roman horror i një autoreje debutuese, Shy Girl, u tërhoq nga botuesi Hachette pasi në internet qarkulluan thashethemet se autorja ishte mbështetur te IA-ja, të cilën ajo e mohon. Ndërkohë, libri i Steven Rosenbaumin, The Future of Truth [E ardhmja e së vërtetës], një studim serioz mbi "mënyrën se si IA-ja e riformëson realitetin”, rezultoi të përmbante një numër të madh citimesh halucinante të cilën autori e pranoi në një kërkimfalje.
Organizatat mediatike, përfshirë The Guardian-in, marrin një numër gjithnjë e më të madh ankesash për tekste që supozohet se janë gjeneruar nga IA-ja. Këto përfshijnë intuita lidhur me mënyra të caktuara formulimi, por edhe komente për gabime shtypi dhe gabime gramatikore. Në një rast, fjala after [pas] ishte përsëritur pa dashje në të njëjtën fjali. "Nuk mund ta paramendoj që një redaktor ose korrektues njeri të mos vërente diçka të tillë”, shkroi një lexues, duke treguar një besim gati prekës në aftësitë tona redaktuese.
Problemi është se jo vetëm që IA-ja trajnohet mbi shkrimin njerëzor, por edhe njerëzit po ndikohen stilistikisht prej saj; ndërveprimi mes tyre krijon një lloj salle të pasqyrave gjuhësore. Përveç rasteve kur një autor e pranon vetë, është e vështirë të thuhet me siguri nëse një tekst i caktuar është shkruar nga IA-ja apo jo. Kjo pasiguri është një recetë për paranojë.
Dhe, nëse tundoheni të përdorni një mjet komercial zbulimi për të dalluar tekstin njerëzor nga ai i gjeneruar nga makina, edhe kjo shoqërohet me pasiguri, thotë Hardakeri. "Duke qenë se disa prej nesh shkruajnë natyrshëm në një mënyrë që mund të konsiderohet e ngjashme me atë të IA-së" - ajo përmend, për shembull, personat neurodivergjentë - "shkrimi i tyre do të identifikohet si tekst i krijuar nga IA-ja. Nga ana tjetër, mund ta modifikosh rezultatin e prodhuar nga IA-ja që të duket më njerëzor. Nëse një përmbajtje të tillë e fut në një detektor të IA-së, do të marrësh rezultate të çuditshme”. Si dikush që ka shërbyer si eksperte në procese gjyqësore, ajo është "jashtëzakonisht skeptike" për efektshmërinë e këtyre mjeteve.
Detektori Pangram, së fundmi shumë i njohur dhe që pretendon se ka një normë rezultatesh të rreme prej rreth 1 në 10 mijë, ka treguar në teste të pavarura se është shumë efektiv në zbulimin e teksteve të krijuara nga IA-ja, madje edhe kur ato janë kaluar nëpër një aplikacion "humanizues" për të maskuar origjinën e tij. Megjithatë, dilemat mbeten. Unë arrita ta mashtroj që në përpjekjen e parë (shihni pamjen e ekranit më poshtë), duke përdorur një stil bombastik, i cili mund të jetë karakteristik për IA-në, por po aq mund të jetë edhe vepër e dikujt me një stil natyrshëm bombastik - ose, më saktë, të një shkrimtari të ngopur me rezultate të LMM-ve që fuqizojnë ChatGPT-në, Claude-in dhe Gemini-n. E, kjo, gjithnjë e më shumë, jemi të gjithë ne.

Sasi të mëdha tekstesh të krijuara nga IA-ja po botohen tashmë çdo ditë - nga tekstet reklamuese deri tek abstraktet akademike dhe letërsia. Në të njëjtën kohë, ajo shtrihet gjithnjë e më shumë në jetën tonë përmes sugjerimeve të gjeneruara automatikisht për postën elektronike, rezultateve të kërkimit me AI Overview dhe përgjigjeve që marrim nga çetbotët. Me këtë nivel ekspozimi, nuk shtrohet më pyetja nëse IA-ja po e ndryshon gjuhën - si mënyrën se si flasim, ashtu edhe mënyrën se si shkruajmë; çështja është se si po e ndryshon. Dhe, a duhet t'i rezistojmë këtij ndryshimi apo ta përqafojmë atë?
Prej disa kohësh e dimë se LLM-të prodhojnë tekste të cilat, mesatarisht, mund të jenë paksa më ndryshe nga shkrimi njerëzor. Shpesh kjo bëhet e dukshme vetëm kur shqyrtohen sasi të mëdha materiali. Një studiues i kujdesshëm e lidhi popullaritetin e papritur të fjalës delve [gjurmim!] me LMM-të që në vitin 2024, pasi analizoi një bazë të dhënash me artikuj shkencorë. Fjalë të tjera "karakteristike" të cilat IA-ja ka pasur prirje t'i përdorë më tepër, përfshijnë showcase [prezantim!], boast [mburrje!], underscore [nënvizim!], garner [mbledhje!], align [rreshtim!], surpass [tejkalim!] dhe intricate [ndërlikim!]. Por, sërish, çdo shkrim individual mund ta përdorë krejtësisht në mënyrë të pafajshme këtë fjalor
Në një kthesë të mëtejshme, disa studiues mendojnë se fenomeni i fjalës delve mund të mos jetë rezultat i vetë modeleve, por i njerëzve të ngarkuar me vlerësimin dhe drejtimin e tyre në një proces të njohur si reinforcement learning with human feedback - RLFH [mësim përforcues me reagime njerëzore]. Për punonjësit që “paguhen pak, që janë të stresuar dhe nën presion kohor”, duket se “disa fjalë trajtohen si një zëvendësues i cilësisë” dhe modeli trajnohet pa dashje t’i përdorë ato më shpesh. Me fjalë të tjera, ngritja meteorike e fjalës delve mund t’i detyrohet faktit se ajo nuk duket si lloji i fjalës që do të përdorte një IA. (Një sugjerim i veçantë se ajo u shfaq më shpesh sepse ishte karakteristike e anglishtes së përdorur në Nigeri, ku jetonin shumë punonjës të RLHF-së, nuk mbështetet nga të dhënat.)
Ka edhe modele të tjera që mund të dallojmë: LLM-të pëlqejnë emrat, por duket se përdorin përemrat më pak se njerëzit. Kjo mund të pasqyrojë faktin se ato nuk flasin për veten apo për njerëzit e tjerë aq shumë sa ne si qenie shoqërore. Ato pëlqejnë mbiemrat përcaktues (the uncomfortable chair / karrigia e parehatshme), por jo mbiemrat kallëzues (the chair was uncomfortable / karrigia ishte e parehatshme), ndoshta sepse preferojnë të japin informacion në pako të vogla dhe të dendura, ndërsa ne priremi ta zgjerojmë shprehjen. Modele të ndryshme kanë veçori të qarta idiosinkratike - madje mund t’i quani “dialekte”: Gemini ka prirje të thotë here’s a breakdown [Ja një analizë e detajuar!], ndërsa DeepSeek-u shpesh përgjigjet me një certainly [sigurisht!] të hareshme. Kur i kërkohet të redaktojë anglishten formale nga pjesë të ndryshme të botës, IA-ja priret ta rrafshojë dhe homogjenizojë atë drejt një standardi anglo-amerikan, në një proces të cilin studiuesit e kanë quajtur cultural ghosting [zhdukja kulturore]. Kështu, kërkesa krejtësisht e pranueshme në anglishten profesionale indiane Kindly do the needful & revert back at the earliest [Ju lutem bëni veprimet e duhura dhe ktheni përgjigje sa më parë] korrigjohet në Please complete the task & respond promptly [Ju lutem përfundojeni detyrën dhe ktheni përgjigje menjëherë].
Po shtohen tani dëshmitë se aspektet e LMM-ve kanë dalë në botën “reale”, duke ndryshuar mënyrën se si njerëzit përdorin gjuhën kur IA-ja nuk është pranë. Një studim analizoi mijëra biseda pa skenar dhe zbuloi se fjalët si delve dhe boast u rritën ndjeshëm pas publikimit të ChatGPT-së Një tjetër tregoi se frekuenca e fjalës delve, në abstraktet akademike, ra pasi ajo u veçua në rrjetet sociale, gjë që tregon se ndikimi i inteligjencës artificiale mund të shfaqet në mënyra komplekse.

A ka rëndësi e gjithë kjo? Gjuha ndryshon vazhdimisht - fjalët hyjnë dhe dalin nga moda, dhe teknologjia e re ka qenë gjithmonë një nga forcat që qëndrojnë pas kësaj. Megjithatë, IA-ja duket se po gjeneron nivele veçanërisht të larta ankthi. Pse? “Mendoj se ajo që i frikëson njerëzit është ideja e depërtimit në vetëdije, e krijimit të njeriut të ri”, thotë Hardakeri. Që nga viti 2023, ajo e ka zgjeruar projektin Bot or Not edhe në të folur dhe muzikë, dhe ka vënë re se sa i thellë është reagimi i njerëzve kur një këngë që u ka pëlqyer rezulton të jetë kompozuar dhe interpretuar nga një makinë.
Gary Shteyngart, një romancier që ligjëron shkrimin kreative në Universitetin e Kolumbias, vuri re një fuqi të ngjashme ndjenjash te studentët e tij përballë perspektivës së letërsisë së IA-së. “Kur një nga studentët e mi të studimeve pasuniversitare tha se ‘si eksperiment, do të shkruaj një pjesë të këtij teksti me IA’, studentët e tjerë u zemëruan aq shumë, saqë më shkruan letra duke më thënë se sa e tmerrshme ishte kjo”.
“Ka një lloj marrëveshjeje të nënkuptuar midis shkrimtarit dhe lexuesit, ku ti e di se vepra që po merr është krijuar nga një qenie njerëzore, dhe mendoj se kjo u përjetua si një sulm ndaj asaj marrëveshjeje”, thotë ai. “Leximi i letërsisë është ky bashkim mendor vullkanor, i jashtëzakonshëm, me një qenie tjetër njerëzore - hyrja në vetëdijen e personit tjetër. Me IA, unë po hyj në simulakrën e vetëdijes së një personi tjetër, një hap larg, ose shumë hapa larg. Sa e trishtueshme është kjo në këtë krahasim”?
Për Hardakerin, “mendoj se kjo shkel mënyrën se si e konceptojmë atë që na bën të veçantë, atë që na bën të vlefshëm dhe unikë”. Në të njëjtën kohë, modeli i gjenerimit të muzikës që ajo përdor “ka krijuar disa hite të vërteta. I dëgjoj, pa ironi, në veturën time dhe goxha më pëlqejnë”.
A mund të ndodhë e njëjta gjë me letërsinë? A do ta zërë një ditë një roman i shkruar nga një makinë vendin e vet mes 100 romaneve më të mëdha të të gjitha kohërave? Peter Stockwell, profesor i gjuhësisë letrare në Universitetin e Notingemit, mendon se IA-ja mund të jetë në gjendje të bëjë gjërat bazike, por nuk mund të arrijë majat. “Nëse dëshiron diçka që është shumë e njohur, shumë mesatare dhe plotësisht funksionale, ajo është jashtëzakonisht e mirë në këtë”.
Një mënyrë për të menduar për gjuhën, thotë ai, është si një seri shtresash, me fjalët në fund, të ndjekura nga togfjalëshat, fjalitë e varura, fjalitë e përbëra, e deri te struktura narrative. “IA-ja është vërtet e mirë në nivelet më të ulëta. Ajo ka mësuar shumë nga strukturat tona sintaksore dhe, për këtë arsye, gjithçka duket e formuar mirë dhe gramatikisht e saktë. Por, sa më lart të shkosh, aq më pak e mirë është”. Harkun e një rrëfimi IA-ja e ka veçanërisht të vështirë ta realizojë në mënyrë bindëse.
“Nëse i kërkon IA-së të shkruajë një rrëfim, ajo mund të bëjë një punë mjaft të mirë duke paraqitur një rend ngjarjesh dhe që diçka të ndodhë në fund. Por, nuk do të ishte rrëfim shumë i qartë”, vazhdon ai. “Nuk do të ndodhte asgjë befasuese ose interesante. Dhe, nëse do të kishte diçka befasuese, zakonisht do të dukej si gabim, e jo si një kthesë brilante”.
Përbërësi sekret i shkrimit të shkëlqyer mbetet sekret - madje edhe për studiuesit që e studiojnë atë. “Gjuhëtarët nuk e kuptojnë, në të vërtetë, se si funksionon gjuha në nivelet e saj më të larta”, në nivelin e ligjërimit, të rrëfimit dhe të magjepsjes. “Nuk mund të ndërtojmë një makinë që të bëjë diçka kur nuk e dimë se si funksionon ajo”. Megjithatë, kemi njëfarë ideje se në çfarë mund të përmblidhet kjo - dhe kjo është natyra jonë në thelb shoqërore dhe, përkitazi me këtë, fakti që ne jemi wetware - mish njerëzor, me rritjet e adrenalinës, vrullet e dopaminës, dëshirën për kontakt shoqëror, ku të gjitha këto gjejnë shprehje në strukturën e gjuhës dhe në mënyrën se si e përdorim atë.
Ekzistojnë dy modele të gjera në gjuhësi, shpjegon Stockwelli. Njëri e sheh trurin si kompjuter i cili analizon strukturat gramatikore dhe llogarit kuptimin prej tyre, ndërsa tjetri e sheh atë si diçka në thelb të trupëzuar, gjë që pasqyrohet në gjuhë nga fakti se, në shumë gjuhë, ne kuptojmë duke “parë” ose priremi ta mendojmë “lartësinë”, aty ku ndodhet koka jonë, si diçka të mirë (ne ngrihemi “lartë” dhe biem “poshtë”). “Një nga gjërat kyçe është se IA-të e tanishme nuk kanë trup, ato nuk ekzistojnë në botë, kështu që nuk e dinë se si është të jesh në botë si një qenie njerëzore”.
Për Shteyngartin, ndjesia është thelbësore: “Sot është dita e parë e ngrohtë në Nju-Jork. Dhe, nëse do të filloja të shkruaja një roman, mendoj se ai do të ishte më i ngrohtë. Mendoj se do të filtroja atë që di përmes ngrohtësisë së ditës. Mendoj se, po të haja një drekë vërtet të mrekullueshme dhe të ulesha të shkruaja, në shkrimin tim do të kishte më shumë ndjesi”.
“Dashuria për trupin dhe për takimet e tij me botën fizike janë ato që nxisin një pjesë të letërsisë më të mirë. Prandaj, pothuajse më vjen keq për këto LLM, ndërsa po flas për to, sepse ato janë futur në ndonjë makinë të tmerrshme në Zonën e Gjirit [të San Franciskos] dhe thjesht nuk e dinë se sa e mrekullueshme është jeta”.
Një efekt, shumë i frikshëm, i përdorimit masiv të LLM-ve është se ato veprojnë si një forcë rrafshuese - duke zbutur larminë dhe veçantinë e gjuhës njerëzore në një lloj mase uniforme ngjyrë bezhë. Ky është një shqetësim i ligjshëm, deri diku, megjithëse nuk është i ri. Njerëzit janë shqetësuar prej kohësh për efektet homogjenizuese të filmit dhe televizionit amerikan mbi theksin dhe fjalorin, dhe ka nënzhanre të gjuhës - eufemizmat politikë, dërdëllitjet e shërbimit ndaj klientit, gjuha e terapisë - që janë përhapur më larg nga territori i tyre i origjinës sesa do të dëshironin shumë njerëz. Megjithatë, gjëja vendimtare është se ndikimi i tyre priret të gjenerojë një reagim kundërshtues - dhe, nuk ka arsye të mendohet se kësaj radhe do të jetë ndryshe.
Në fakt, aftësia jonë për të inovuar mund të jetë, në fund të fundit, ajo që e dallon vërtet shkrimin njerëzor - veçanërisht atë letrar - nga IA-ja. “I gjithë thelbi i një LLM-je është se trajnohet mbi gjuhën ekzistuese. Prandaj, është gjithmonë retrospektive”, thotë Stockwell. “Mund t’i kërkoj një IA-je: ‘më shkruaj një tregim të shkurtër në stilin e Virginia Woolfit’, dhe ajo do të bëjë një punë të mirë. Por, ajo që nuk mund t’i thuash është ‘më shkruaj një tregim në stilin unik të novatorit të ardhshëm të madh e serioz letrar’. Këtë nuk mund ta bëjë kurrsesi”.
Kjo ndodh sepse, edhe një herë, asaj i mungon mjedisi shoqëror dhe trupi, prej të cilëve lindin motivimet karakteristike njerëzore. “Pse bën dikush diçka të re në një formë arti si shkrimi letrar? Mund të jetë nga bezdia ose acarimi me atë që është bërë më parë. Ose sepse dikush i sheh gjërat ndryshe nga e zakonshmja, ose nganjëherë thjesht sepse njerëzit nuk rrinë dot të qetë dhe duan të bëjnë diçka ndryshe, ose janë paksa të çmendur apo të izoluar”.
Ka plot shembuj nga historia, thotë Stockwelli: “Pas burokracisë dhe uniformitetit të Luftës së Parë Botërore, e ke këtë lëvizje të papritur artistike, të madhe dhe antitetike me ngritjen e surrealizmit dhe dadaizmit; në mënyrë të ngjashme, pas ashpërsisë së pas Luftës së Dytë Botërore, ke lëvizjen psikedelike - arti dhe letërsia ndryshojnë sërish, në mënyrë mjaft rrënjësore. Kështu, gjithmonë duket se ekziston ai lloj kundërshtimi ndaj normave. Është e vështirë të mendosh se si do ta programoje një IA që ta bënte këtë, sepse IA-ja punon mbi një korpus të madh materialesh ekzistuese. Është mishërimi i status quo-së konservatore me një ‘k’ të vogël”.
Origjinaliteti është aq i rëndësishëm për romancieren Jennifer Egan, saqë ajo është vetizoluar tërësisht nga kjo teknologji. “Ndiej një rrezik infektimi - për të përdorur këtu një metaforë disi të ngarkuar”, më thotë ajo. “E di se ata kanë vjedhur një pjesë të materialit [tim] dhe nuk mund të bëj asgjë për këtë, por vullnetarisht nuk do t’ua jap as edhe një fjalë më shumë”. Anthropic-u përdori kopje pirate librash, përfshirë romanet e Eganit, për të trajnuar çetbotin e saj Claude; shumica e LLM-ve e përdorin gjuhën nga pyetjet individuale si të dhëna shtesë për trajnim. Ajo tingëllon e acaruar: “Nuk dua të bëhem pjesë e kësaj kotësie gjuhësore që ato ofrojnë”.
Politika e tolerancës zero nuk e pengon atë të bëhet paranojake. “Më kanë thënë për disa veçori stilistike që janë shenja dalluese të IA-së, dhe rastësisht ato janë gjëra që mua më pëlqejnë. Për shembull, më pëlqejnë shumë vizat e gjata, por tani e shoh veten duke e shqyrtuar secilën prej tyre, shumë më tepër se më parë. Kam vënë re gjithashtu se kam prirje për grupe në treshe. Prandaj, e shoh veten duke i shqyrtuar edhe ato. Në fakt, kjo nuk më shqetëson, sepse i gjithë qëllimi është të mos shkruash diçka që mund ta kishte shkruar edhe dikush tjetër”.
Çfarë lloj këshille do t'i jepte ajo një shkrimtari më të ri që tani po noton në këto ujëra? A duhet të praktikojë ai një lloj të vetin të higjienës ndaj IA-së? “Tani do të tingëlloj si një riosh krejtësisht i rëndomtë, të cilin IA-ja ndoshta mund ta kishte shkruar, dhe këshilla ime është: rrini larg. Dua të them, në rregull, përdoreni për të shkruar letra elektronike. Madje përdoreni edhe për të marrë ide për kërkime. Por, nëse doni të bëheni shkrimtarë: mësoni të shkruani. Hej! Do ta vija vërtet në dyshim se pse do të ekzistonte ai impuls për ta përdorur”.
Jo të gjithë janë kaq të përmbajtur. Jeanette Winterson, e cila ka shkruar gjerësisht për IA-në dhe artin, më thotë: “Çdo shkrimtar mund të bëjë zgjedhjen e vet. Njerëzit janë qenie që përdorin mjete. Kjo ka qenë historia e suksesit tonë. Për momentin, e gjithë IA-ja, përfshirë IA-në gjeneruese, është mjet. A do të punoja me një LLM? Sigurisht! Pse jo”?
Por, ajo paralajmëron kundër pikëpamjes se aftësia gjuhësore e IA-së do të thotë se ajo mund ta barazojë ose ta tejkalojë shprehjen njerëzore. “Përtej bazave, kuptimi bëhet një seri realitetesh të brendshme dhe gjuha është e mrekullueshme në përcjelljen e këtyre realiteteve të brendshme. Makinat nuk e ndajnë me ne realitetin tonë, jo më pak sepse nuk kanë sistem limbik. Njerëzit nuk mund të kenë mendim pa pasur ndjenjë ... letërsia është e shkëlqyer në zbulimin e këtyre shtresave”.
Teksa kopjoj citimet e saj në një dokument Google plot me shënime të mia, vërej se IA-ja e integruar bën një sugjerim. Më pyet nëse dua t’i ndryshoj fjalët e Wintersonit që të “përputhen më mirë me stilin” e materialit ekzistues: të lëmojë skajet e njërës prej shkrimtareve më idiosinkratike të gjuhës angleze. Me një nxitim pothuajse supersticioz, e hedh poshtë sugjerimin. /Telegrafi/



































