"Sezon i dështuar": Perez hyn në zhveshtore dhe kritikon rëndë futbollistët e Real Madridit pas eliminimit, shpëton vetëm njëri

Florentino Perez thuhet se hyri në dhomën e zhveshjes së Real Madridit menjëherë pas eliminimit të tyre nga Liga e Kampionëve për t'u treguar lojtarëve se çfarë mendonte për sezonin.
Sipas raportimeve dhe historive që qarkullojnë në mediat sociale, presidenti i Real Madridit u tërbua pas eliminimit dhe mbajti një fjalim para lojtarëve në të cilin u tha atyre se sezoni ishte një dështim.
Mediumi i njohur Goal ndau me miliona ndjekës të tij në Instagram situatën që dyshohet se ndodhi pas eliminimit të Real Madridit nga Liga e Kampionëve (1-2, 3-4 kundër Bayernit).
“Dil jashtë, mos shiko çfarë ndodh tani", thuhet t’i ketë thënë Perez, Arda Gulerit, duke dashur ta shmang nga kritikat.
Pas kësaj, dy herë golashënuesi i ndeshjes së djeshme u pa duke u larguar i vetëm, ndërsa pasuan fjalë të ashpra pas dyerve të mbyllura nga Perez.
“Një sezon pa trofe është dështim, dy janë të padurueshëm. Faleminderit për përpjekjen tuaj sot, por sezoni është një zhgënjim i plotë”, iu ka thënë fillimisht Perez lojtarëve.
“Të luash për Real Madridin është një privilegj, por edhe një detyrim i madh. Shumë prej jush nuk e kanë përmbushur atë. Të paktën ta përfundojmë kampionatin me dinjitet”, përfundoi presidenti i Real Madridit.
Ndryshe, Real Madridi është shumë pranë përfundimit të sezonit duarbosh. Ata kanë qenë jashtë Kupës së Mbretit për një kohë të gjatë dhe tani nuk janë as në Ligën e Kampionëve. Sa i përket La Ligës, ata aktualisht janë -9 pikë prapa liderëve Barcelonës. /Telegrafi/























































