Rritet numri i ushtarëve rusë nën 25 vjeç që po vdesin në luftën kundër Ukrainës


Numri i ushtarëve të rinj rusë që po humbin jetën në luftën kundër Ukrainës është rritur ndjeshëm, sipas një analize të të dhënave nga projekti “Dua të gjej” (I Want to Find), i cili mbledh kërkesa për gjetjen e ushtarëve rusë të zhdukur.
Analiza e më shumë se 200 mijë kërkesave për ushtarakë rusë të zhdukur tregon se në vitin 2024, ushtarët nën moshën 25-vjeçare përbënin rreth 8.5 për qind të të gjitha rasteve të raportuara.
Pas dërgimit të rekrutëve rusë në zonën kufitare të Kurskut, kjo përqindje u rrit ndjeshëm, duke arritur në 16 për qind të kërkesave për ushtarë të zhdukur.
Në vitin 2025, pjesa e ushtarëve të rinj ishte rreth 13 për qind, ndërsa në vitin 2026 ajo u rrit sërish mbi 15 për qind.
Sipas analizës, ky trend pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Disa qytetarë rusë po dërgohen në vijën e frontit menjëherë pasi mbushin moshën 18-vjeçare, duke u përballur me rrezikun e lartë të vdekjes në luftime.
Rritja e numrit të viktimave mes ushtarëve të rinj ka nxitur debate në Rusi lidhur me përdorimin e rekrutëve të rinj në operacionet ushtarake në Ukrainë dhe mënyrën se si autoritetet po menaxhojnë humbjet njerëzore të luftës. /Telegrafi/
































