eksperti ad

Ronald Koeman ka dhënë dorëheqjen nga posti i trajnerit të kombëtares së Holandës. Vendimi vjen një ditë pas humbjes zhgënjyese ndaj Marokut pas penalltive, që solli eliminimin e “Tulipanëve” nga Kupa e Botës 2026 në fazën e 1/16-ës.

“Vendosa mbrëmë se është koha të largohem si trajner i Holandës. Të gjithë kishim ëndrrën të bënim histori në këtë Botëror, por nuk ia dolëm. Askush nuk është më i zhgënjyer se unë. Si trajner, përgjegjësia bie mbi mua”, u shpreh Koeman.


Holanda kishte kaluar në epërsi 1-0 në minutat e fundit falë golit të Cody Gakpos, por pësoi një gol të dhimbshëm në kohën shtesë, kur Issa Diop barazoi për Marokun.

“Ky ëndërr nuk u realizua. Por mbi të gjitha jam krenar për gjithçka që futbolli më ka dhënë, për njerëzit që kam takuar dhe për faktin që pata privilegjin ta bëj pasionin tim profesion”, shtoi ai.

Koeman u përball me kritika të ashpra nga tifozët dhe media holandeze për braktisjen e stilit tradicional sulmues, pasi në ndeshjen eliminatore ndaj Marokut përdori një formacion të kujdesshëm me pesë mbrojtës dhe lojë kryesisht në kundërsulm.

Kjo shënon fundin e mandatit të tij të dytë si selektor i Holandës.

Ai e kishte drejtuar Holandën edhe nga viti 2018 deri në 2020, para se të largohej për te Barcelona, ndërsa u rikthye në vitin 2023, pas largimit të Louis van Gaal./Telegrafi/

telegrafi sport app