Rikthehet “Ujku i Murrmë”

Një grusht i fortë u hodh mbi bashkimin e ri dhe politikën e re të pretenduar nga Edi Rama. Fatos Nano, lideri i vjetër i politikës, theu më në fund heshtjen e tij dy vjeçare, heshtje e cila me sa duket nuk ishte aq e tillë, duke marrë parasysh deklarimet e mbrëmshme në emisionin “Opinion”.
“Ujku i Murrmë”, i politikës shqiptare erdhi edhe një herë në fushën e betejës me plot forcë, si për të treguar se në këtë arenë nuk mund të luhet lehtë dhe se beteja për reputacion, nuk mund të bëhet vetëm me slogane, të tilla si: Politikë e re; bashkim i ri; bashkim përtej së majtës dhe së djathtës, ide të hedhura në tregun politikë prej më shumë se një viti, por për Fatos Nanon, këto nuk ishin tjetër vetëm se “rroba të vjetra të blera tek gabi”.
Qëndrimi “pushim” katër vjeçar, duket se Fatos Nanos i ka shërbyer për rigjenerim politik, ndërsa pas zgjedhjeve të qershorit, ai po “mpreh shpatat”, për t’u përballur fort me kreun aktual të Partisë Socialiste, të cilin Nano i dha vlerësimet nga më të çuditshme, por vetëm të një lideri jo. Ai e akuzoi në të gjitha format, akuza me vend në shumicën e rasteve.
Por, cili do të jetë reagimi i Edi Ramës? A do të vijojë ai ende me sloganin e politikës së re? Apo do që qëndrojë në heshtje? Ka shumë mundësi, që Rama të zgjedhë heshtjen si rrugën për të “shpëtuar” nga kjo lëkundje e fortë që i dha ish-paraardhësi i tij në krye të selisë rozë. Rama duhet të jetë në momentet më të këqija, të paktën për këto muajt e fundit. Akuzat e ardhura nga kundërshtarët politikë, jo në të gjitha rastet janë kaq të besueshme, por kur ato vijnë nga brenda partisë, sigurisht që shkaktojnë reaksion të fortë.
Në dukje i pa trembur, Edi Rama gjendet në hall tashmë, pasi Nano vendosi të thyente heshtjen, në stinën e nxehtë politike, në momentin më delikat. Me sa duket Fatos Nano, ka pritur çastin e duhur, për të ndërmarrë sulmin politik, njësoj i Ujku i Murrmë, i cili e godet prenë në momentin më të përshtatshëm, duke shkaktuar goditjen fatale. Megjithatë, politika i njeh të tilla sulme dhe socialistët janë mësuar deri diku.
Por koha dhe vendi, ja bëjnë bajagi të vështirë Edi Ramës, të shndërroj vërtetë politikën e re në një politikë të re edhe në qeverisje. Shanset duken të pakta, pasi e djathta me reformat e ndërmarra, do të marrë edhe një mandat të dytë qeverisës. Të paktën këtë e deklaroi edhe Nano, jo si një politikan por si një qytetar i vëmendshëm me atë çfarë ndodh. Kjo është ajo që iu intereson të gjitha palëve politike, për mirë apo për keq. E nëse gjithçka do të rrjedh sipas planit imagjinar por të mirë menduar të Fatos Nanos, pas 28 qershorit, do të ndodhë sulmi i madh dhe mbase përfundimtar, kur “Ujku i Murrmë” të marrë edhe një herë pushtetin e dikurshëm, kësaj here për ta forcuar edhe më atë.
E më pas, për t’u bërë gati për postin e kryeministrit, në zgjedhjet e 2013-ës, apo të presidentit të Republikës, në 2011-ën, pasion që Fatos Nano nuk e ka mohuar kurrë. Megjithatë, opisioni i parë për momentin, duket se është “futja e levës”, Edi Ramës për ta nxjerrë nga vendi ku ndodhet. Të paktën, ky duket plani afatshkurtër i Nanos, i cili në politikë njeh vetëm dy alternativa: O shef, o jashtë saj. Prej katër vitesh, ai vendosi të qëndrojë jashtë, dhe të gjithë po habiteshin se si.
Politikanët nuk dalin në pension, megjithëse Berisha deklaroi pas 3 korrikut 2005 se kundërshtarin e tij të vjetër dhe të pa thyeshëm i kishte dhënë një “librezë pensioni”. Në të vërtetë, ky nuk ishte tjetër, vetëm se pension i përkohshëm. Rikthimi, të paktën për momentin, është më pak shqetësues për Berishën, kundërshtarin e vjetër, me të cilin ka nisur paqja vitet e fundit.
Duket se një “pension” i ri do t’i jepet Edi Ramës, për ta rikthyer në folenë e vjetër të pushtetit, Bashkinë e Tiranës, e në mos atje, Rama duket se do të jetë lideri që do t’i duhet t’i kthehet profesionit të tij, atë të piktorit. Deri atëherë, do të ketë shumë frymëzim për të vizatuar planet dhe rrufetë shumë ngjyrëshe të politikës, aq më tepër kur ajo e ka goditur deri në palcë.
Nano u shpreh i vendosur, se do të ishte tejet aktiv që prej këtij momenti, dhe ai është lideri që nuk tërhiqet pa korrur fitoren. Në këtë drejtim, ka një pikë të përbashkët me Sali Berishën. Të dy të konsideruar të vjetër dhe të dalë jashtë mode, por megjithatë që të dy vijojnë të jenë aktiv në politikë, më shumë se sa të rinjtë e ardhur nga përtej oqeani, të propaganduar fuqishëm, por për fat të keq pa rezultat.
Ata, pëveç se aktiv, janë “gjeneralë”, që pavarësisht rrethanave historike, qëndrojnë në krye të ushtrisë politike. Të gjithë ata që ngrenë krye, derën e kanë të hapur. Kjo është lufta me mjetet e paqes dhe intrigat e politikës, që si Nano ashtu edhe Berisha e kanë fituar kurdoherë. Tani radhën e ka Edi Rama, i cili mund të jetë drejtues me autoritet, por nuk mund të jetë strateg politik.
Në këtë pikë, është shumë më i dobët se sa Fatos Nano. Pushteti, paratë dhe mediat e shumta të blera prej tij në këtë rast, nuk mund t’i shërbejnë për asgjë, thjesht dhe vetëm për të krijuar zhurmnajë publike, por jo fitore politike. “Gladiatori” me emrin Fatos Nano është rikthyer. Kjo do të thotë rrezik për Edi Ramën, do të thotë një kundërshtar më shumë, më i fuqishëm.
Tashmë Edi Rama ka përballë jo vetëm të djathtën dhe një pjesë të së majtës me në krye Ilir Metën, por ka edhe një pjesë të Partisë Socialiste, që për hir të së vërtetës edhe pse Nano nuk ka një drejtim aktual në këtë parti, ka një ndikim tejet të madh në bazë. Na mbetet të shohim, se çdo të ndodhë më tej. Një gjë është e sigurt: lufta politike ka edhe të humbur. Rama, pushtetin më të madh do ta ketë të paktën në bashkinë që ai drejton, deri në zgjedhjet e ardhshme.
Atje ka marrë të gjitha “energjitë”, për të rritur pushtetin e tij, por me sa duket një “pincë” e mprehtë do t’ia ndërpresë në mes këtë tentativë. E nëse të gjitha këto nuk do të jenë të realizueshme, gjithsesi Fatos Nano, është pa dyshim lideri me më shumë ndikim në të majtën, më shumë se sa edhe Rama. Fatos Nano, edhe pse dihet se kush është, nuk është kaq i urryer sa Edi Rama.
Ky i fundit, ka një kundërshti të fortë në shumë shtresa të shoqërisë, për shkak të arrogancës dhe përjashtimit të të gjitha atyre që nuk janë njësoj dhe nuk janë përkrahës të politikës dhe mënyrës që ai ka zgjedhur. Kjo e bën edhe më të vështirë arritjen e ëndrrës për t’u bërë kryeministër. Në dukje, Rama e ka “mbledhur” Partinë Socialiste brenda folesë së tij, por nga brenda vlon reagimi, (ende i heshtur). Ai pranon të gjitha ata që i nënshtrohen.
E nëse nuk ka kundërshtar të dukshëm deri në këto momente, kjo nuk do të thotë se gjithçka shkon për mrekulli brenda kësaj partie. E përtej bazës politike, Edi Rama ka një kundërshti të fortë edhe brenda shoqërisë shqiptare. Politika e re, në thellësi duket krejt ndryshe. Politikë e re, na qenka edhe përjashtim. Për këtë arsye, një pjesë jo e vogël e komunitetin mysliman në vend, për shkak të politikave të tij antiislamike dhe lidhjeve të fshehta nga perëndimi, kanë një presimë gjithnjë e më kundërshtuese ndaj liderit të partisë më të madhe në opozitë.
Kjo nuk është shumë me rëndësi, si çështje, por vota përkthehen jo pak. Rama tashmë ndodhet midis disa zjarreve. Arroganca dhe indiferenca e tij, mund të shpëtojnë deri diku, por nuk mund ta nxjerrin fitimtar. Mbrëmjen e shkuar, hero i Partisë Socialiste dhe në një far mënyre edhe kryetar ishte Fatos Nano, dhe jo Edi Rama që ka bredhur në të gjithë Shqipërinë përgjatë më shumë se një viti.





































