eksperti-banner

Nga: Luke Johnson / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Shitja është thelbi i vetë jetës. Që nga dita kur lindim, ia shesim veten botës për t’u ushqyer, për të gjetur dashuri, për të marrë vëmendje. Ti e shet veten për të fituar miq, për të gjetur një punë, për të siguruar një bonus ose për të marrë duartrokitje.


Ka fjalë të tjera që kanë kuptim të ngjashëm me shitjen: bindje, marketing, tregti lëvizëse, manovrim tregtar. Por, ndoshta më i preferuari për mua është promovimi. Për mua, kjo folje ka një kuptim disi më specifik: përfshin idenë e dikujt që shet idenë e një projekti të biznesit - duke mbledhur fonde për të financuar një sipërmarrje të re madhore.

Pa asnjë dyshim, promovuesi më i mirë në botë është Elon Musku. Ai është një kategori më vete. Aftësia e tij e pagabueshme për të bindur investitorët që të mbështesin planet e tij të jashtëzakonshme, i mundësoi atij të rishpikë industrinë automobilistike me Tesla-n. Vlerësimi i saj është më shumë se dyfishi i vlerësimit të kombinuar të Toyota-s, Ford-it, General Motors-it, VW-së, Mercedes-Benz-it dhe BMW-së. Kjo pavarësisht faktit se të ardhurat e tyre të përgjithshme janë më shumë se 13 herë më të larta se të ardhurat e Tesla-s. Por, rregullat normale të biznesit nuk duket se zbatohen për Elonin. Nga makinat elektrike te raketat hapësinore, aftësia e tij për të entuziazmuar tregjet është e pakrahasueshme.

Dhe, promovimi i tij më i madh është gati të nisë. Në të vërtetë, ai është me siguri promovimi më i guximshëm i çdo lloji në histori - nxjerrja e SpaceX-it në bursë me një vlerësim prej rreth 1.8 trilionë dollarësh [1.56 trilionë euro]. Kjo përbën plot 75 për qind të kapitalizimit të tregut të të gjithë indeksit FTSE 100 - vlera e të gjitha 100 kompanive më të mëdha publike britanike.

Vlerësimi i SpaceX-it me 1.8 trilionë dollarë përfaqëson ndoshta deri në 90 herë të ardhurat që biznesi gjeneron çdo vit. Ndërkohë, shumë kompani më të zakonshme tregtohen me vetëm një pjesë të vogël të këtij raporti. Për shembull, Tesco tregtohet afërsisht me 40 për qind të të ardhurave të saj vjetore - me një vlerë prej 29 miliardë paundësh [33.6 miliardë euro] kundrejt 73 miliardë paundëve [84.6 miliardë] të ardhura. Në fakt, të ardhurat vjetore të Tesco-s janë pothuajse katër herë më të larta se ato të SpaceX-it, ndërsa vlerësimi i saj është pak më shumë se dy për qind e vlerës së propozuar për SpaceX-in.

Tani, dikush mund të pohojë se Tesco është një biznes i pjekur, me marzhe të ulëta fitimi, në një sektor shumë konkurrues, ndërsa SpaceX-i është një kompani shumë inovative, me rritje shumë të shpejtë, në sektorë në lulëzim si udhëtimet hapësinore dhe inteligjenca artificiale [IA]. Të gjitha këto janë argumente të drejta; por, hendeku në vlerësime midis Tesco-s së vjetër e të mërzitshme dhe SpaceX-it me rritje të shpejtë kërkon një pezullim vërtet heroik të mosbesimit.

Nxjerrja e kompanive në bursë nuk është biznes i zakonshëm i tregut të aksioneve - është pjesa më dinamike dhe më fitimprurëse e lojës. Gjatë dekadave kam realizuar disa Oferta Fillestare Publike (IPO). Hyrja më emocionuese në bursë ishte ajo e PizzaExpress Ltd në vitin 1993. Kërkesa për aksionet e tejkaloi shumë ofertën. Më kujtohet se më telefonuan në mesnatë - një natë para ditës së debutimit - menaxherët e fuqishëm të fondeve institucionale, duke këmbëngulur që pjesa e caktuar e aksioneve për ta të mos reduktohej.

Çmimi i emetimit ishte 40 pensë, por aksionet shkuan menjëherë në 100 pensë. Kohë interesante. Nxjerrja e kompanive në bursë është kapitalizëm i pastër në formën e tij më emocionuese - por, edhe më të rrezikshme. I gjithë cirku i bankave, brokerëve, drejtuesve, specialistëve të marrëdhënieve me publikun dhe këshilltarëve të tjerë jashtëzakonisht të shtrenjtë, është i motivuar fuqishëm që ky proces të rezultojë në një sukses të madh. Të gjithë janë në modalitetin e shitjes - të etur për të parë aksionet duke u tregtuar me një premium në tregun sekondar.

Kapitalizmi modern demonstron fuqinë e mbledhjes së kapitalit. Kompanitë që kanë qasje në kapitalin më të madh janë ato që kanë më shumë gjasa të fitojnë. Firmat që mbështeten te fitimet e mbajtura për të financuar rritjen e tyre, i përkasin më shumë shekullit XX. Shumë biznese, si SpaceX, që dalin sot në bursë, operojnë me humbje të konsiderueshme.

Por, Amerika është një komb i ndërtuar mbi spekulime të guximshme dhe ka një besim mbresëlënës te “Gjëja e Madhe e Radhës”. Tregjet e saj të kapitalit janë aq të thella dhe të gjera sa investitorët financojnë sipërmarrje të rrezikshme që do ta kishin të vështirë të siguronin fonde kudo tjetër. Ajo ripërtërihet vazhdimisht falë makinerive teknologjike si Lugina e Silicit [Silicon Valley], duke shtyrë pareshtur kufijtë e mundësive, qoftë në gjysmëpërçues, bioteknologji, tregti elektronike apo IA.

Amerika jo vetëm që gëzon privilegjin e jashtëzakonshëm të posedimit të monedhës rezervë botërore, dollarit, por furnizimi i saj i madh me kapital të gatshëm për të marrë rrezik do të thotë se mund të bëjë baste gjigante mbi koncepte të reja, ndërsa tregjet e tjera të kapitalit nuk mund të konkurrojnë realisht.

Sigurisht, t’ua shesësh një kompani investitorëve të mundshëm ka të bëjë shumë më tepër sesa me shifrat. Duhet të ketë një histori. Një rrëfim për rritje të pafundme. Dhe, Eloni është mjeshtër në mbërthimin e imagjinatës së blerësve, duke i magjepsur ata me ëndrrat për makina elektrike, eksplorim hapësinor, automjete autonome, robotë e kështu me radhë. Historia e tij e suksesit, që nga koha kur ishte bashkëthemelues i PayPal-it e më tej, është historia e një fituesi.

Ai ka një legjion ndjekësish të përkushtuar që besojnë se ai e zotëron prekjen e Midës. Pa dyshim, ndjesia e tij për kohën është madhështore - orientimi i Tesla-s drejt robotaksive, shndërrimi i biznesit të rrjeteve sociale Twitter në një qendër të IA-së; dhe, tani IPO-ja më e madhe që Uoll-Striti ka parë ndonjëherë.

Në shumë aspekte, bota e financës është një degë e industrisë së spektaklit. Ajo është plot shkëlqim e pompozitet, dhe çdo audiencë bie pre e forcës së yjeve. Edhe në epokën e të dhënave dhe IA-së, prania e fuqishme e një lideri të famshëm mbetet jashtëzakonisht joshëse. Askush nuk luan me rrezikun si Musku, dhe askush nuk e promovon një aksion si Eloni.

Ai ka mbledhur pothuajse çdo bankë të madhe investimesh për të menaxhuar IPO-në - tarifat e tyre të përgjithshme ka të ngjarë të tejkalojnë 500 milionë dollarë. Qindra bankierë me paga shumë të larta po punojnë fort për t’u siguruar që marrëveshja të realizohet me sukses. Por, ngritja e 75 miliardë dollarëve - edhe në kohë të mbushura me eufori si këto - nuk është aspak detyrë e lehtë. Turneu prezantues për investitorët vazhdon këtë javë, ndërsa dita e parë e tregtimit të aksioneve pritet të jetë të premten.

Teksa i admiroj arritjet e jashtëzakonshme të Elonit në disa industri, duhet një akt i madh besimi për të menduar se një njeri i vetëm zotëron aftësi kaq magjike sa të mund të vazhdojë të drejtojë me sukses dy biznese me vlerë shumëtrilionëshe, duke qenë njëkohësisht drejtor ekzekutiv i të dyjave. Pa dyshim, Goldman Sachs, Morgan Stanley, JP Morgan dhe bankierët e tjerë me shumë gjasa do t’i gjejnë fondet e nevojshme, por unë nuk do të jem në radhë për të marrë pjesë. Megjithatë, i uroj suksese dhe shpresoj që ai të vazhdojë me mahnitjen e botës së tregtisë dhe financës me inxhinierinë e tij industriale dhe financiare. /Telegrafi/