Makthit prej dy muajve për adhuruesit e futbollit po i vije fundi, pasi që nga sot do të mund të shohim futboll të vërtetë.

Emocionet që dhuron loja më magjike në botë futbolli do t’i përjetojmë sot me futbollin e vërtetë në Evropë, atë të Gjermanisë.

Bundesliga do të rikthehet me fillim nga ora 15:30 dhe tani edhe qëndrimi në shtëpi për t’i ndjekur këshillat nga shtetit do të jetë më i lehtë.

Saktësisht më 13 mars u ndal futbolli gjerman, por do të rikthehet sot pas dy muajve edhe pse më i zbehur pasi nuk do të jenë në shkallët e stadiumeve tifozët e zjarrtë gjermanë.

Bundesliga ka vendosur të rifillojë duke u bërë kampionati i parë i madh evropian që rikthehet në fushë pas pandemisë Covid-19, ndërsa ekipet do të përballet me rregulla të rrepta.

Gjithsesi në këtë ditë të madhe për adhuruesit e futbollit, na pret një ndeshje e jashtëzakonshme në Bundesliga, pasi zhvillohet derbi i Ruhr mes Borussia Dortmund dhe Schalke 04.

Dy skuadrat rajonale do të përballen me fillim nga ora 15:30, ndërsa objektivat e tyre janë të kundërta pasi Dortmundi po lufton për titull e Schalke 04 për një vend që i dërgon në Ligën e Evropës.

Këtë pasdite në fushë do të zbresin edhe tre futbollistë shqiptarë, ku derbi mes tyre luhet në ndeshjen Fortuna Dusseldorf – Paderborn, me Valon Berishën që është nikoqir i Jurgen Gjasulës.

Mesfushori tjetër shqiptar Amir Abrashi me Freiburgun e tij do të luajnë në udhëtim te RB Leipzig.

Ndeshje tejet interesante pritet të jetë edhe ajo mes Eintracht Frankfurt dhe Borussia Moenchegladbach me fillim nga ora 18:30.

Kampioni në fuqi i Gjermanisë, Bayern Munich luan të dielën në udhëtim te Union Berlin, ndërsa Werderi i Milot Rashicës të hënën pret Bayer Leverkusenin. /Telegrafi/