Kicker: Arijon Ibrahimovic e ka shansin e fundit te Bayern Munichu

Arijon Ibrahimovic mund të ketë përpara shansit e fundit për t'u imponuar te Bayern Munich, pasi klubi beson se 20-vjeçari është gati të luftojë për një vend në skuadrën e Vincent Kompanyt.
Talenti me prejardhje nga Kosova rinovoi kontratën me Bayernin në fillim të korrikut deri në vitin 2028 dhe tani synon të shfrytëzojë mundësinë për të siguruar një vend në ekipin e parë.
Pas huazimeve te Frosinone, Lazio dhe Heidenheimi, Ibrahimovic rikthehet në Mynih me më shumë përvojë. Në sezonin 2025/26 ai zhvilloi 32 ndeshje në Bundesliga me skuadrën gjermane, duke realizuar dy gola dhe shtatë asistime, pavarësisht rënies së klubit nga elita.
20-vjeçari bëri rikthimin e tij me fanellën e Bayernit në ndeshjen miqësore të humbur 2-1 ndaj Wehen Wiesbadenit, ku u aktivizua në pjesën e dytë. Tani ai pritet të luftojë për minuta si zëvendësues dhe të përfitojë nga çdo mundësi që do t'i jepet.

Sipas raportimeve, drejtuesit e Bayernit besojnë se Ibrahimovic ka motivimin dhe dëshirën për të fituar besimin e trajnerit Kompany.
Ai është planifikuar kryesisht si alternativa e Luis Diazit në krahun e majtë. Fillimisht, Bayerni synonte të transferonte një tjetër futbollist për atë pozitë, por Anthony Gordon rezultoi shumë i shtrenjtë dhe përfundoi te Barcelona.
Më pas, kampionët e Gjermanisë siguruan transferimin e Ismail Saibarit, por marokeni preferon të luajë në qendër të sulmit, si "numër 10" ose "9 i rremë". Pikërisht kjo krijoi më shumë hapësirë për Ibrahimovicin, i cili është mësuar të luajë në krahun e majtë ose në pozicione më të brendshme në fazën sulmuese.
Megjithatë, konkurrenca mbetet shumë e fortë. Serge Gnabry pritet të rikthehet në formacion, ndërsa Harry Kane, Jamal Musiala, Michael Olise, Lennart Karl dhe Ismail Saibari janë gjithashtu pjesë e repartit ofensiv.
Vincent Kompany pritet të bëjë rotacione gjatë sezonit dhe Ibrahimovic konsiderohet pjesë e planeve të tij. Klubi do të vlerësojë situatën e talentit gjatë pushimit dimëror për të parë nëse ai ka arritur ta shfrytëzojë këtë mundësi, e cila mund të jetë vendimtare për të ardhmen e tij te Bayerni./Telegrafi/










































